Zbardhet transkripti i intervistës së ZPS-së me personin që i ishte parë vetura pranë OVL-UÇK

Aktuale

Zbardhet transkripti i intervistës së ZPS-së me personin që i ishte parë vetura pranë OVL-UÇK

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 14:39
Avokati Rees

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokuronit të Specializuar me personin, targat e veturës të të cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.

Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë ndonjë hetim rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.

Pjesa e leximit të transkriptit:

Avokati Rees: Në atë pjesë të transkriptit ku ai sapo ka konfirmuar se është pronari i automjetit kur e pyet sa kohë ke që e ka këtë automjet, përgjigjet: Nga mesi i shkurtit të vitit 2020. Pyetje: Ky automjet ka pasur të njëjtën apo ka ndryshuar targën ndonjëherë? Përgjigja: Ka ndryshuar kur e bleva. Pyetje: A jeni ju i vetmi pronar i automjetit apo e përdorin edhe të tjerë? Përgjigja: 90% të kohës e përdor unë, shumë rrallë e përdorë bashkëshortja ose babai Dhe pastaj kjo vazhdon kur flasin nëse punon nga shtëpia ose nga zyra, e konfirmon se është kthyer në zyrën në qershor”, ka thënë avokati Rees derisa ka lexuar transkriptin e intervistës.

Ai ka vazhduar me transkriptin duke lexuar pjesën kur ZPS pyet personin nëse ka ndonjë lidhje me OVL-UÇK.

Avokati Rees: Ndihmës prokurori thotë: A e dini çfarë është OVL UÇK ju lutem? Përgjigje: Jo. A keni qenë ndonjëherë në zyrat OVL UÇK? Përgjigje: jo. Për t’ua treguar më mirë, prokuroi u jep adresën e OVL UÇK në Prishtinë dhe e pyet a njeh këtë adresë, ai thotë jo. Pyetje: A keni dëgjuar ndonjë gjë, apo në lajme sa u takon dokumenteve që u janë dërguar OVL UÇK-së dhe pastaj nga kjo organizatë janë bërë publike? Përgjigje: Kam dëgjuar në lajme, por nuk di asgjë për këtë. Pyetje: Pra, nuk keni informacion se kush i ka dhënë këto dokumente ose kush mund të jetë përfshirë në këtë incident mbase rastësisht? Përgjigje: Jo. Pyetje: A ju kujtohet mbase ja keni dhënë dikujt borxh atë ditë automjetin rreth datës 16 shtator? Përgjigje: Jo nuk ja kam dhënë askujt. Pyetje: A e njeh dikë që punon ose ka lidhje me OVL UÇK? Përgjigje: Jo. Pyetje: A e njeh, a ke folur ndonjëherë me Nasim Haradinaj, Hysni Gucatin, Faton Klinakun. Përgjigje: Jo. Nuk kemi pyetje të tjera për ju sot”, përfundon avokati leximin e transkriptit.

Pas kësaj, dëshmitarja Pumper ka thënë nuk e ka parë asnjëherë në intervistë dhe nuk i është kërkuar të hetojë lidhur rreth kësaj çështjeje.

Pumper ka thënë se koordinimi i hetimit është bërë nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar.

Ndërsa prokurorja Valeria Bolici ka thënë se klasifikimi i këtij dokumenti është konfidencial.

Dëshmia e Zenka Pumper ka nisur më 18 tetor 2021 ku ka vazhduar për katër ditë me radhë.

Ajo është koordinatore e hetimeve në ZPS dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori 2020 dhe i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat