PE kritikon BE-në për mospërmbushje të obligimeve ndaj Ballkanit Perëndimor

Aktuale

PE kritikon BE-në për mospërmbushje të obligimeve ndaj Ballkanit Perëndimor

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 16:06
Ilustrim

Kritika ndaj Bashkimit Evropian për mospërmbushje të premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe thirrje që BE-ja të jetë më e pranueshme në rajon, janë dëgjuar të enjten në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Si dëshmi më të shpeshta se BE-ja nuk është duke ndihmuar në përmbushjen e obligimeve, janë përmendur mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këto procese nuk janë finalizuar akoma edhe pse Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se të tria këto shtete i kanë përmbushur kriteret që janë kërkuar nga to.

Në këtë mënyrë, sipas shumë folësve që morën pjesë në diskutime, Bashkimi Evropian po e rrezikon kredibilitetin e vet në rajon dhe po krijon hapësirë për ndikime të faktorëve tjerë të jashtëm.

Debati është zhvilluar edhe për të analizuar rezultatet e Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që është zhvilluar në Bërdo të Sllovenisë.

Anzhe Logar, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, vend që ka kryesimin e radhës në BE, ka thënë se ky Samit ka shënuar forcimin e lidhjeve të BE-së dhe rajonit. Ai ka thënë se me këtë samit është rikonfirmuar përkushtimi i BE-së për procesin e zgjerimit.

Por ka pasur deputetë që premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos i kanë quajtur vetëm “fjalë të zbrazëta”, sidomos duke përmendur refuzimin që të ketë referenca kohore për procesin e zgjerimit dhe shpresat e vendeve të rajonit për integrim në BE.

Viola von Cramon, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania, që është edhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se “Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Bërdo ishte një paradë e hipokrizisë, fjalëve boshe dhe vlerësimeve për autokratët, dhe mbi të gjitha pretendimeve se BE do të zgjerohet dhe vendet e rajonit po bëjnë reforma”.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një politikë krejtësisht të ndryshme në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, “BE nuk është më ai klubi që në vitin 2003 premtoi integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e as vendet e rajonit nuk kanë më motiv” duke bërë thirrje që të ketë më shumë sinqeritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat