Skandalet në AKI/ Deputeti i Kosovës bën thirrje për prangosjen e Driton Gashit

Aktuale

Skandalet në AKI/ Deputeti i Kosovës bën thirrje për prangosjen e Driton Gashit

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 16:34
Driton Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka bërë thirrje për arrestimin e Driton Gashit, ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) të implikuar në skandalin me dy agjentë.

Skandali i publikuar të premten zbulon se si Gashi, në cilësinë e shefit të AKI-së, ishte marrë vesh me ish-prokurorin special Sylë Hoxha, për përfshirjen e dy agjentëve të AKI-së si dëshmitarë në procesin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Agjentët kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Veprimet e ish-shefit të AKI-së, kanë nxitur reagimin e Dimal Bashës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Të premten, Basha ka bërë thirrje për prangosjen e tij.

“Driton Gashi, ish drejtori i AKI-së, është një prej njerëzve ma t’prishtë që i ka shërby këtij vendi”, ka thënë Basha, përmes një cicërime në Twitter. “Prokuroria ka informata t’mjaftueshme që edhe publiku tani i di, që soji tij kurrë mos me pa dritën e diellit”.

Siç raportoi sot media, marrëveshja e Sylë Hoxhës dhe Driton Gashit ishte bërë pa u njoftuar gjykata. Ky fakt ka rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta dhe shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.

Gjykata, kurrë nuk është njoftuar me këto veprime. Thjeshtë ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.

Media e di identitetin e vërtetë dhe atë fiktiv të këtyre dy agjentëve të përfshirë në këtë rast.

Se kanë dhënë dëshmi të rrejshme dëshmohet me raportin e AKI-së të datës 16 mars 2017 që i ishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbi rrezikun që përbënte një grup njerëzish për të cenuar rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, në krye me Murat Jasharin, i cili kishte plagosur avokatin, Azem Vllasi, në banesën e tij në Prishtinë.

Në atë raport që ka siguruar Paparaci, gjatë gjurmimit në shkresat e lëndës së Prokurorisë, njoftohej institucioni i Prokurorit të Shtetit për veprimtarinë e dyshimtë të grupit. Mes tjerash përshkruhej një bisedë e Sadri Ramabajës me një të akuzuar tjetër në një lokal në periferi të Prishtinës.

Por, në raportin e AKI-së që për autorë kishte dy agjentët nuk përmendeshin vrasje, as emra njerëzish se kush duhej të vritej.

Ndërsa në dëshmitë e tyre të dhëna në Gjykatë, agjentët tashmë me identitet fiktiv dhe të mbrojtur, kishin dëshmuar se si është planifikuar vrasja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit – Isa Mustafa, ish-ministrit – Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj etj, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Sipas aktakuzës, ky grup kishte planifikuar sulme dhe vrasje të personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Pretendohej se ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat