IKSHPK ka këtë thirrje: Institucionet të mbikëqyrin me përpikëri respektimin e masave

Aktuale

IKSHPK ka këtë thirrje: Institucionet të mbikëqyrin me përpikëri respektimin e masave

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 08:44
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri respektimin e masave antiCOVID-19, për shkak se situata mund të përkeqësohet edhe në Kosovë si në rajon.

Përmes një njoftimi, nga IKSHPK-ja kanë bërë të ditur se janë duke përcjellur në vazhdimësi situatën me pandeminë në vend, rajon e botë, ndërkaq duke parë se kjo situatë është përkeqësuar në vendet tjera, ekziston rreziku që edhe në Kosovë të ndodh njëjtë.

“IKSHPK është duke e përcjellur në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend,  në rajon dhe në botë. Situata me pandeminë në vendet në rajon dhe më gjerë është përkeqësuar, këto kohët e fundit. Ndërsa, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithatë është akoma jostabile, në veçanti duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ata tutje thonë se janë duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor. Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ata thonë se për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, ata bëjnë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim.

“Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet tutje.

Nha IKSHPK-ja kanë thënë se “Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës”.

“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshëmrisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thekson se në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej thirrjet:

Mbulo gojën dhe hundën me maskë!

Mbaj higjienën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat