Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për dy të arrestuar për aksionin në veri

Aktuale

Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për dy të arrestuar për aksionin në veri

Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 21:02
Pamje nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në veri

Një muaj më parë, Policia e Kosovës intervenoi në veri të Mitrovicës me qëllim të luftimit të kontrabandës e krimit të organizuar. Por atje, njësitë elite të policisë hasen në rezistencë nga serbët lokalë.

Megjithatë, tetë persona përfunduan në pranga nën dyshimin për kontrabandim me mallra nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

E kur kanë kaluar 30 ditë nga aksioni, gjykimi i të arrestuarve në këtë rast po vazhdon në Prishtinë.

Të akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar” dhe “Kontrabandim me Mallra”, shumicës së të arrestuarve u është bërë kërkesë për ndryshimin e masës së paraburgimit në arrest shtëpiak.

Megjithatë, sipas dokumentit të siguruar nga T7, për dy të dyshuar, Prokuroria Speciale tashmë ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit.

E në kërkesën e tij për vazhdimin e paraburgimit, prokurori i rastit ka theksuar se të dyshuarit janë mbrojtur në heshtje.

Një gjë të tillë, avokati i njërit prej të akuzuarve, Durim Osmani, e cilëson si skandaloze.

Osmani paralajmëron se rastin do ta dërgojë tek Avokati i Popullit pasi që klientit të tij i është shkelur e drejta e garantuar me Kushtetutë për t’u mbrojtur në heshtje.

Se mbrojtja në heshtje nuk duhet të jetë ndër arsyet për vazhdimin e masës së paraburgimit e thonë edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Media ka dërguar pyetje edhe në adresë të Prokurorisë Speciale në lidhje me këtë çeshtje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat