Hasani dhe të tjerët po e mohojnë ekzistencën e vrasjeve politike

Aktuale

Hasani dhe të tjerët po e mohojnë ekzistencën e vrasjeve politike

Nga: Idriz Morina Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 17:46

Nait Hasani nuk mund ta ndihmojë “ndërmarrjen kriminale”, që të lirohet nga gjykata speciale, duke e provokuar autoritetin e gjykatës.

Nait Hasani, si asnjë tjetër ka provuar, që ta paraqesë veten si një misionar, para një publiku (atij të hipnotizuar nga propaganda e luftës), që shpreson se Thaçi, Veseli dhe të tjerët do të mund ta rifitojnë lirinë e tyre së shpejti.

Kjo çështja e kthimit të veçmas këtyre dy të arrestuarve, që po mbahen në burg, ka nisur thuaja ende pa arritur ata në Hagë, duke lansuar SHIK-u ‘bateritë’ ‘bombarduese’: Pas tri dite kthehen, pastaj kthehen pas një jave, pas tri javëve, pas dy muajve... dhe edhe sot vazhdojnë duke thënë edhe 2-3 javë, se p’i lëshojshin.

Por, Nait Hasani, nuk tha se do t’i lëshojnë për 2-3 javë, por ai shkoi t’i takonte si një pajtues, veç e veç, dhe si duket nuk kishte shanse t’i takonte së bashku, në mënyrë që ky t’i koordinonte punët me ta, se çfarë duhet të bëjnë e të ndërmarrin.

Një gjë është e sigurtë, se këta u dakorduan që ‘institucionet tona nuk po bëjnë asgjë’.

Kjo është një e pavërtetë e madhe: E para se shqiptarët po paguajnë miliona euro për njerëzit që akuzohen se kanë vrarë shqiptarë, dhe madje këtë e kanë bërë, vetëm e vetëm për të arritur fuqinë politike, financiare etj.

E dyta, një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë ka shkuar t’i vizitojë në burg në Hagë, dhe të interesohet për gjendjen e tyre, trajtimin dhe çdo gjë që është kompetencë e Ministrisë.

“Ata thanë se për neve nuk është interesuar askush për një vit”, ka deklaruar Hasani. Pra, nëse edhe ata kanë thënë kështu, janë duke menduar se ende janë para mediave të tyre, dhe nuk ka kush t’ua nxjerrë rrenat. Ata vetë, Thaçi dhe Veseli kanë deklaruar se nuk duan ta takojnë delegacionin e Kosovës.

Nait Hasani të shtunën i ka treguar disa nga bisedat që ka pasur në udhëtimin e tij ‘misterioz’ deri në Hagë, ku sipas tij ka takuar veç e veç, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, thuajse vetë është një burrështetas, dhe se nuk po i takonte të pandehurit, të cilët ligjërisht nuk mund t’i takojë së bashku, por veçse vetëm.

Përveç retorikës bombastike që jemi mësuar ta dëgjojmë nga ky rreth, duke i hiperbolizuar figurat e tyre, ku i barazon ata me vetë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe se gjykimi i tyre është gjykim i vetë shtetit tonë: “Atje po gjykohet lufta jonë për liri. Dënimi i tyre është dënim i lirisë dhe pavarësisë sonë, i shtetit tonë dhe i aleatëve tanë”, ka deklaruar ai.

Nait Hasani, në të vërtetë ka qenë në mesin e atyre pak deputetëve që kanë votuar kundër gjykatës speciale, por Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, thuajse kanë përdorur çdo forcë për t’i detyruara deputetët e PDK-së, ta votonin ligjin që mundësonte krijimin e gjykatës speciale.

Por, pavarësisht qëndrimit personal, ai nuk ka të drejtë që në emër të vetë protagonistëve që e krijuan gjykatën speciale, të flasë kundër saj.

E para Dhomat e specializuara - gjykata speciale, është institucion i Kosovës. Drejtuesit e saj, disa herë e kanë bërë të qartë, se shqiptarët mund të deponojnë çdo akuzë apo materiale për krime lufte, të kryera nga serbët, por shqiptarët as që ia kanë filluar kësaj pune, kryesisht nga presioni publik për ta mohuar atë.

Ai ka shkuar aq larg, sa ka pohuar se gjykata speciale i ka marrë akuzat nga shpifjet e Serbisë, duke e degraduar si institucion dhe duke i fyer kështu familjarët e viktimave të vrasjeve politike.

Duke mohuar çdo krim, Hasani dhe të tjerët po e mohojnë ekzistencën e vrasjeve politike. Sipas Lutfi Hazirit janë mbi 110 vrasje dhe atentate politike ndaj zyrtarëve të LDK-së vetëm nga viti 1998-2000. Ndoshta edhe aq apo sa gjysma e tyre, mund të dalin deri në fund të procesit.

“Asnjë vepër ne nuk e kemi bërë për ndërmarrje kriminale. Ato janë shpifje që i ka bërë Serbia dhe i ka miratuar Gjykata Speciale. Kjo tregon që është krijuar një gjendje që një ndërmarrje kriminale e ka bërë UÇK-ja ,e kjo nuk është aspak e vërtetë, është gënjeshtër”, u shpreh Hasani.

Thaçi dhe të tjerët nuk po akuzohen pra vetëm për krime të mundshme ndaj serbëve. Shqiptarët duan ta shohin drejtësinë për vrasjet politike, të ministrit Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Ilir Konushecit, Smajl Hajdarajt, ushtarakut Rashit Mustafa “Karadaku”, Haki Imeri, Behajdin Hallaqi së bashku me Shaban R. Shalën, Agim Qela, Mirush Dakaj, ushtaraku Ekrem Rexha – Drini, Shaban Manajt, Ramiz Hoxha e Selman Binishi, Halil Dreshajt etj., dhe të gjitha atentave tjera ku mbetën të plagosur e të gjymtë.

Gjykata speciale mund të veprojë edhe ndaj akuzuesve të tillë, që cenojnë imazhin dhe punën e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat