Presidentja Osmani kujton Xhemail Mustafën: Liria do të jetë e plotë vetëm kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij

Aktuale

Presidentja Osmani kujton Xhemail Mustafën: Liria do të jetë e plotë vetëm kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij

Nga: A.SH Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 13:38
Xhemail Mustafa

Presindetija e Kosovës, Vjosa Osmani në 21 vjetorin e vrasjes, ka kujtuar veprimtarin e LDK-së, Xhemail Mustafën.

Ajo ka ngritur lartë figurën e tij, duke thënë se ai ishte, i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje.

Postimi në Facebook:

Sot, në njëzetenjëvjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt të thellë Xhemajl Mustafën, njërin ndër veprimtarët më të rëndësishëm për liri dhe pavarësi, bashkëpunëtorin e Presidentit Rugova, njeriun e urtë e dijetarin e shquar të Kosovës, Xhemën e Llapit, e Xhemën e Prishtinës, agut të lirisë të së cilës i shkruante në netët e errëta të robërimit, pa e ditur se pasi të mbërrinte ky ag, në një natë sterrë, një dorë tinëzare do ta shuante pabesisht.

Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje.

Intelektual i mirëfilltë, Xhema i vuri themelet e informimit të drejtë të opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

Ne do ta kujtojmë përjetësisht Xhemën tonë. Vepra e tij mbetet shembëlltyra më e mirë se si punohet urtësisht për vendin, pa u ndalur, deri në vdekje. E them sërish që liria do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij, sikur edhe të shumë veprimtarëve të tjerë të vrarë pas luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat