Si u vra ministri Ahmet Krasniqi, sa herë u qëllua, si dukeshin atentatorët!

Aktuale

Si u vra ministri Ahmet Krasniqi, sa herë u qëllua, si dukeshin atentatorët!

Nga: R. Haxhijaj Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 16:04
Ilustrim ministri Ahmet Krasniqi

Ai tani ishte mbështetur pothuaj për muri dhe mbahej nga vrasësi i maskuar.

“Një mace e zezë kaloi nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Shoferi u trishtua. Të gjithë e njihnin si njeri supersticioz. Shumë ide i erdhën në kokë.

- Përse nuk janë sonte truprojat me ne, u mendua ai!

Për një çast atij iu kujtua edhe biseda që pati gjatë mëngjesit me zotin Krasniqi. Ministri kishte rrëfyer një ëndërr të keqe që kishte parë. I kishte thënë se ndjente një farë rreziku.

Sipas Ministrit rreziku ishte i shumëfishtë dhe mund të vinte nga shtetet perëndimore të cilat nuk do të duronin një ushtri të fortë kosovare. Rreziku tjetër vinte nga Qeveria shqiptare e cila mendonte se ministri Krasniqi mund ta ndihmonte opozitën e Sali Berishës që të rikthehej në pushtet.

Por, ministri Krasniqi shprehu keqardhjen edhe për Kryeministrin kosovar, i cili nuk po ia linte duart e lira, që ai të vepronte dhe të formonte njësi sa e si dhe ku mendonte ai vetë.

- Shpresoj se frika ime është e pa arsyeshme, pëshpëriti me vete shoferi duke kafshuar buzën, para se të ndryshonte drejtimin e veturës që ngiste.

Vetura u ndalua para shtëpisë së Toskës

Vetëm disa metra pa arritur tek Medreseja, vetura la rrugën e Dibrës dhe me shumë ngadalësi, duke iu shmangur gropave të shumta, vazhdoi nëpër një rrugicë të ngushtë, e cila në të dyja anët kishte mure të larta. Po të ndodhej njeriu për herë të parë në rrugën ''Hysen Dalliu'', do të mendonte se është në ndonjë fshat të vjetër të Kosovës, e jo vetëm afër një kilometër nga qendra e qytetit të Tiranës, kryeqendrës shqiptare. Vetëm 50 metra nga hyrja në rrugicë, ajo ngushtohej nga mbeturinat dhe materialet ende të pa hequra të një ndërtese pesëkatëshe, e cila kishte përfunduar ndërtimin, por ende ishte e pabanuar. Menjëherë, pas përfundimit të kësaj ndërtese rrugica ndahej në dy drejtime. Njëra të çonte djathtas dhe pas dhjetëra metrash bashkohej me rrugica të tjera. Vetëm ai që e njihte mirë lagjen ''Toska'' të Tiranës, mund të kalonte dy herë po të njëjtës rrugicë, sepse ato ishin aq të shumta dhe aq të ngjashme në mes tyre. Tjetra rrugicë vazhdonte drejt dhe pikërisht andej duhej të kalonin të tre pasagjerët.

Vetura u ndalua para shtëpisë së Toskës, i cili punonte në Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK), kurse që nga muaji qershor 1998 ia kishte dhënë shtëpinë me qira Drejtorisë Informative të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Meqenëse shtëpia ishte mjaft e madhe, aty shpeshherë edhe flinin ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës - FARK.

Disa ditë më parë aty u vendos edhe zyra e Ministrit të Mbrojtjes. Edhe pse ministri Krasniqi kishte banesë të përkohshme në një pjesë tjetër të Tiranës, aty ai fjeti edhe dy netë më parë. Meqë kishte çelësat e portës, nga makina i pari doli ushtaraku, i cili ishte ulur prapa në veturë.

Rruga ishte aq e ngushtë sa që ata mezi arritën ti hapnin dyert e veturës pa e prekur murin. Ishte një derë e vogël prej druri që ishte e mbyllur me çelës dhe mund të hapej edhe nga jashtë. Afër saj ishte dera tjetër shumë më e madhe, e cila shërbente vetëm për futjen e automjeteve. Ajo mund të hapej vetëm nga brenda. Muri në të dy anët e rrugës ishte më i lartë se dy metra e gjysmë.

- Po dal edhe unë këtu, tha ministri Krasniqi!

- Jo zotëri, se ne dalim kur të futemi në oborr, u përgjigj shoferi.

Në atë kohë ministri Krasniqi pothuajse kishte dalë nga vetura. Ai me njërën dorë mbante xhaketën, të cilën nuk e kishte veshur, por vetëm e kishte hedhur mbi supe.

Urdhri: Ndal, ndal!!!

Kur ushtaraku futi çelësin në derë dhe bëri që ta hapte atë, nga errësira u dëgjua urdhri:

- Ndal, ndal!!!

Të tre kosovarët mbetën të shtangur nga kjo befasi e pakëndshme. Fillimisht ata menduan se u ndaluan nga të njëjtët policë që kontrolluan objektin ku ata ishin të vendosur, afërsisht në të njëjtën kohë, disa ditë më parë.

Atë natë policët shqiptarë patën bastisur shtëpinë me pretekst të kërkimit të armëve. Ata kishin qenë brutalë me ushtarakët kosovarë, por pasi morën disa dokumentacione dhe u bindën se nuk kishte armë, i lanë të qetë.

- Ndoshta edhe sonte kanë ardhur me të njëjtin qëllim, thoshte ushtaraku me vete!

Llamba ndriçuese e cila ishte e vendosur në udhëkryqin e dy rrugicave mundësonte që të shihej se ishte fjala për tre persona të maskuar e të armatosur, dy prej tyre me armë automatike kurse njëri me revolver. Njëri nga ta, që kishte pushkën automatike, mbeti tek udhëkryqi për të siguruar dy të tjerët që me një kujdes mjaft të madh vinin në drejtim të të ndaluarve. Ai që ishte me shtat më i gjatë dhe kishte një automatik të shkurtër, u nis në drejtim të Ministrit të Mbrojtjes, të cilin e kapi me njërën dorë dhe e mbante afër vetes. Me dorën tjetër, të majtën, e mbante automatikun, tytën e të cilit e kishte vendosur mu në fytin e Ministrit. Tjetri siç dukej nga lëvizjet ishte vrasës profesionist. Ai shkoi në anën tjetër të veturës, në drejtim të ushtarakut dhe shoferit. Revolen e mbante në drejtim të tyre duke ua mbajtur në shënjestër kokat, i gatshëm për të qëlluar në çdo moment.

- Shtrihuni, shtrihuni, i urdhëroi ai që të dy!

Meqë kishte shumë pak vend, i pari u shtri ushtaraku, i cili nuk arriti të heqë çelësat nga dera. Pothuaj se mbi të u shtri shoferi. Pozicioni në të cilin ndodhej ushtaraku tani, ia mundësonte të shihte Ministrin në anën tjetër të veturës. Ai tani ishte mbështetur pothuaj për muri dhe mbahej nga vrasësi i maskuar.

Po cili kosovar guxonte të dilte ato ditë në rrugët e Tiranës i armatosur?!

- Kush jeni ju bre bacë, çka po doni prej nesh, e pyeti Ministri atë?

I maskuari nuk përgjigjej fare.

I maskuari tjetër, i armatosur me revolver shkeli mbi dy duart e ushtarakut të shtrirë. E kontrolloi atë për armë me njërën dorë, duke mos e lëshuar asnjëherë armën nga dora e djathtë, me të cilën i mbante në shënjestër.

Po cili kosovar guxonte të dilte ato ditë në rrugët e Tiranës i armatosur?!

Pasi e kontrolloi ushtarakun, me njërën këmbë shkeli mbi shpinën e tij, gjë kjo që ia mundësoi të afrohej dhe ta kontrollonte edhe shoferin. Tytën e revoles gjithnjë e mbante tek ushtaraku, i cili tani e kishte njërën dorë të lirë dhe së koti tentonte të gjente ndonjë gur dhe t`i kundërvihej vrasësit të maskuar. Kur i maskuari u bind se asnjëri nuk ishte i armatosur, u ngrit dhe u nis në drejtim të Ministrit.

- A është ky, pyeti i maskuari bashkëpunëtorin duke nxjerrë nga brezi revolverin tjetër, sepse me të parin mbante në shënjestër ushtarakun dhe shoferin!

- Po, po ky është, u përgjigj tjetri, duke e mbështetur edhe më fort Ministrin për muri.

- A është ky? pyeti vrasësi për të dytën herë, duke afruar revolverin vetëm disa centimetra nga koka e ministrit Krasniqi.

Nga zëri i tij vërehej shqetësimi.

- Kush jeni ju bre bacë, çka…!!

Krisma e revolverit nuk e lejoi ministrin Krasniqi ta përfundonte fjalinë. Jehona e krismës së parë ishte mjaft e madhe. Ajo duhet të jetë dëgjuar në tërë Tiranën, e cila bashkë me Shqipërinë dhe viset e tjera shqiptare u mbulua edhe një herë me petk të zi, petk me të cilin kushedi se për të satën herë shqiptarët ja veshin vetvetes, duke vrarë më të mirët e kombit, duke ia bërë qejfin armikut tonë shekullor, me apo pa vetëdije.

Nga goditja e plumbit midis vetullave, Ministri u shtri për toke dhe vdiq menjëherë. Edhe një herë u godit në kokë për së vdekuri. Për të qenë i sigurt në vdekjen e tij, u godit edhe për të tretën herë, kësaj radhe në gjoks, në mes të kraharorit.

Fragment nga libri “Vjeshtë shqiptare”, i Rifat Haxhiajt, ku rrëfen ngjarjen e vërtetë për vrasjen e ministrit Ahmet Krsniqi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat