Shënohet Dita e Forcës, FSK vlerësohet si faktor i rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale

Aktuale

Shënohet Dita e Forcës, FSK vlerësohet si faktor i rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 13:56
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot manifestimin për shënimin e Ditës së Forcës. Aty u tha se Ushtria e Kosovës nga ruajtëse e paqes së brendshme po shndërrohet në faktor të rëndësishëm të ruajtjes së sigurisë globale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke uruar për Ditën e Forcës, tha se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohen vazhdimisht.

Osmani u shpreh se FSK po shndërrohet në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale si partner i besueshëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të ShBA-ve. 

Osmani: FSK po shndërrohet në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale

 

"Që nga nëntori i vitit të kaluar kur ne shënuam bashkë ditën tuaj, Forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale, si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë asaj të ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës me të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit atë të NATO-s. Muaj më parë pjesëtarët e FSK-së për herë të parë në historinë e Forcave tona zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtarë në Kuvajt në kuadër të kontigjentit të gardës së Ioëas të ushtrisë së ShBA-ve. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë e tuajën për të qenë ndërtues dhe garantues të paqes globale, si dhe për të shërbyer përkrahë aleatëve tanë historik", tha ajo.

Osmani përmendi si sukses edhe pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin “Defender Europe 2021”, ku tha se për herë të parë Kosova ishte vend pritës i një ushtrimi të tillë ndërkombëtarë. Gjatë këtij ushtrimi, ajo u shpreh se FSK për herë të parë ka validuar kapacitetet e saj të këmbësorisë në nivel kompanie në nivel ndërkombëtarë.

Komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen e vendit.

Osmani: Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës

“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes dhe sigurisë në rajon, po zhvillonte manovra ushtarake me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit e të gjithë familjes Jashari në luftën e UÇK-së dhe vizionit euroatlantik të Kosovës të ideatorit të shtetësisë së Kosovës presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova. Sot ushtria jonë po rritet e zhvillohet mbi vizionin e popullit të Kosovës për ushtri moderne që është e zonja profesionalisht e taktikisht t’i dalë zot atdheut në cdo kohë..... Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht, por është objektiv që i siguron po ashtu paqen e stabilitetit gjithë rajonit e përtej. Për këtë qëllim ne po e rrisim përkrahjen për ushtrinë që të sigurohemi ë Forcat tona të Armatosura të integrohen sa më parë në strukturat e NATO-s, aty ku edhe e meritojmë", tha Osmani.

Osmani deklaroi se FSK ka kuptuar drejtë ndjenjën e popullit të Kosovës për t’u bërë pjesë e aleancës së përhershme me ShBA-të duke ndihmuar me krizën e refugjatëve afgan. Transportimi e përcjellja e shumë refugjatëve afgan nga Aeroporti i Prishtinës për në kampet e refugjatëve në Ferizaj, sipas saj, është shenjë jo vetëm e zbatimit të vendimeve të institucioneve por edhe kultivimit të përkrahjes për të zhvendosurit. 

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ju drejtuar ushtarëve të Kosovës tha se ata janë vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se nuk ka nevojë të thotë se ushtria është prioritet, pasi siç tha ai, mbrojtja e Republikës është prioritet që nuk ka nevojë të thuhet.

Kurti: Ju jeni vazhdimësi e UÇK-së

Video

“Ju jeni ushtarët e një populli historik dhe madhështia e një kombi matet me historinë tonë, e pra kombi ynë është i madh. Është një komb i lavdishëm dhe me histori, por miqtë e mi po përpiqem të ju them më mirë e më shtruar se ç’jeni ju në sytë e mi dhe të trupës së qeverisë. Po të shprehem sërish shkurt atëherë do të thosha ju jeni vazhdimësi e UÇK-së. Ne jemi të qartë se çdo shtet e ka kusht të domosdoshëm ndërtimin e ushtrisë së vet, por për të qenë shtet modern dhe i virtytshëm ai duhet ta shoh tërësinë e ushtarit të vet, sepse tërësinë e asaj që ne e ndërtojmë në jetët tona në çdo funksion e rol në jetën tonë, krejt jetën, punën dhe veprën tonë e mbron pikërisht ushtria. Në zemrën e ushtarit tonë është dashuria për njerëzit që ju e keni dëshmuar në Kosovë, në misionet për fatkeqësitë natyrore në Republikën barshkumbëse të Shqipërisë, por edhe në misionet që keni marrë përsipër në territoret e largëta”, tha ai. 

Kreu i qeverisë duke folur për pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimin fushor “Defender Europe 2021”, tha se edhe një herë e ka dëshmuar që është Forcë profesionale, e përkushtuar të marr detyra të reja në shërbim të vendit dhe të paqes kudo në botë, si dhe që është partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere. 

Kurti u shpreh se si Qeveri e Republikës së Kosovës kanë menduar domosdoshmërinë e buxhetit dhe ligjeve për mbarëvajtjen e funksionimit të FSK-së. 

Kurti: Kemi shumë sfida, duhet riparë edhe struktura e FSK-së

“Kemi shumë çështje e sfida, si përshembull puna për motivimin e ushtarëve sepse disa po largohen e duhet riparë edhe struktura e FSK-së, mundësia e gradimit brenda njësisë, rregullimi i pagave dhe mëditjeve, rrezikshmëria në punë për pjesëtarët aktiv të FSK-së, si dhe të ketë vija të transportit në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës. Njësitë operacionale të pajisjen edhe me armë të shkurta meqë ka pengesa që shkakton arma e gjatë në punët profesionale të specializuara, tu jepet përparësi njësive operacionale e për këtë kërkoj angazhim në rritje të ministrit. Por, bashkë një nga një e të gjitha këto dhe shumë të tjera do t’i trajtojmë e do t’i zgjidhim...Kemi ndarë një buxhet 1.3 përqind të bruto produktit vendor që së afërmi të mbërrijmë standardin 2 përqind që e kërkon një ushtri e NATO-s. Ne mund të vonohemi në të gjitha proceset e integrimeve të tjera, por jo në procesin jetik dhe madhor të ushtrisë sonë të integruar. Rekrutimet e reja, detyrimi i përgatitjes ushtarake, armatimi i sofistikuar, buxhetimi serioz, përgatitja e lartë e juaja në gjeostrategji dhe në histori politike, janë të gjitha mundësitë që duhet të shfrytëzojmë.”, tha Kurti.

Kurse, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se aspirata e popullit të Kosovës realizohet atë ditë kur Forca bëhet anëtare e NATO-s. 

Mehaj tha se Ushtria e Kosovës është e gatshme t’i merr përgjegjësitë e reja për misione së bashku me ushtritë e vendeve partnere.

Mehaj: Aspirata e popullit realizohet plotësisht atë ditë kur ne bëhemi anëtarë të plotë të NATO-

“Historia jonë si vend e si komb është një histori që themelet e saj i ka në përpjekjet e sakrificat ndër breza për liri dhe pavarësi. Gjenerata të tëra kanë shërbyer me vullnet e sakrificë që ushtarët e këtij ideali, ndërsa për ne sot ideali është zhvillimi i Forcës, mbrojtja e shtetit të Republikës së Kosovës. Në këtë ditë ne jemi krenarë me ushtrinë profesionale e cila po forcohet çdo ditë e më shumë me vizionin dhe synimin e qartë për të ardhmen, kjo falë lidershipit dhe shërbimit me integritet të ushtarëve në secilën njësi, ndërtimi i frymës ekipore dhe besueshmërisë reciproke brenda njësisë tuaj në çdo njësi të Ushtrisë së Kosovës. Aspirata e popullit dhe vendit tonë realizohet plotësisht atë ditë kur ne bëhemi anëtarë të plotë të NATO-s. Sot ne jemi krenarë për uniformën e FSK-së, ka filluar të shërbejë në misione ndërkombëtare krahë për krahë me ushtrinë e ShBA-ve por në të ardhme edhe me aleatët e tjerë”, tha ai. 

Në shënimin e Ditës së Forcës, presidentja Vjosa Osmani, ka nderuar disa nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me medalje presidenciale të meritave për performancën më të lartë në shkollime dhe trajnime jashtë vendit. 

Në këtë ceremoni për të shënuar Ditën e Forcës të pranishëm ishin përfaqësues të korit diplomatik të shteteve mike, deputetë të Republikës së Kosovës dhe oficerë, zyrtarë të lartë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, për të shënuar këtë ditë në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm u ekspozuan dhe demonstruan aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat