Spitali i Sofjes jep detaje për gjendjen e të mbijetuarve të tragjedisë në Bullgari

Aktuale

Spitali i Sofjes jep detaje për gjendjen e të mbijetuarve të tragjedisë në Bullgari

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 11:30
Pamje nga aksidenti tragjik në Bullgari

Pacientët e akomoduar për trajtim në spitalin e Sofjes, “Pirogov” pas aksidentit tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari, përgjithësisht janë në gjendje stabile dhe të mirë, kanë njoftuar nga ky institucion mjekësor.

Aktualisht në Klinikën e Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike janë katër pacientë të cilët e kanë kaluar natën në përputhje me pritshmëritë e stafit mjekësor të spitalit, raporton gazeta bullgare, Trud.

Në Klinikën e Neurokirurgjisë është shtruar një pacient me frakturë, i cili iu nënshtrua operacionit në fillim të kësaj jave. Operacioni i shtyllës kurrizore rezultoi i suksesshëm dhe procesi i rikuperimit ishte pa komplikime. I njëjti pacient i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm në pjesën e poshtme të këmbës në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë.

Dy të mbijetuarit e aksidentit në autostradë janë liruar të shtunën dhe kanë udhëtuar drejt atdheut të tyre me transport mjekësor të organizuar nga Maqedonia e Veriut.

Në fillim të javës së ardhshme, pas një vlerësimi të gjendjes shëndetësore të pacientëve, do të bëhet lirimi gradual i tyre.

45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë.

Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat