​Memli Krasniqi uron 28 Nëntorin nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Aktuale

​Memli Krasniqi uron 28 Nëntorin nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 13:10
Memli Krasniqi, ka zgjedhur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të vizituar në ditën e flamurit kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zgjedhur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të vizituar në ditën e flamurit kombëtar nga ku ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e pavarësisë.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit ka uruar festën e 28 nëntorit, duke kujtuar personalitetet e mëdha historike që kontribuan ndër vite për atdheut.

Postimi i plotë i Memli Krasniqit:

Rilindasit ishin vizionarë që punuan parreshtur për të ringjallur vetëdijen çlirimtare të trashëgimisë së Skënderbeut, vetëdije politike e kombëtare që u materializua pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit, me bashkimin më të madh të popullit shqiptar. Nga ky vend do të niste rrugëtimi për mëkëmbjen e kombit tonë, në një valë përpjekjesh të mëdha e të mundimshme, përballë apetiteve territoriale e pushtuese të kohës.

Abdyl Frashëri me intelekt e diplomaci, Ymer Prizreni me organizim e punë dhe Sulejman Vokshi me bashkëkohanikë të shumtë me pushkë, do t’i jepnin jehonë kauzës së shenjtë për liri, trajektorja e të cilës do shkëlqente më pas në Vlorë me 28 nëntor të vitit 1912, atë ditë kur Ismail Qemaili, i mbështetur nga intelektualë e patriotë nga të gjitha trevat shqiptare, do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

Ajo çfarë ishte e drejtë e jona historike, u cënua nga padrejtësia politike, të cilën populli i Kosovës e ka pasur barrë për afër një shekull. Por, 28 nëntorët tanë nuk u ndalën. Kjo datë u bë aksiomë e qëndresës dhe mosnënshtrimit, të cilën e kemi parë në vepër me 28 nëntor të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli hapur për të shtruar rrugën e çlirimit të Kosovës.

Adem, Hamëz e Shaban Jashari do ta shndërronin Prekazin në një referencë të pashterrshme për sakrificën dhe lavdinë e luftës së drejtë të UÇK-së, duke mbajtur gjallë vijimësinë e idealeve të Lidhjes së Prizrenit, projekt që u përmbyll më shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008-tën.

Sot nderojmë rilindasit, intelektualët, patriotët, çlirimtarët dhe të gjithë ata që kanë rënë në rrugën e lirisë. Sot festojmë, sepse 28 nëntori është festë e madhe e shumë dimensionale për ne.

Festojmë por nuk harrojmë sakrificën e heronjve tanë të gjallë, Hashim Thaçit e Kadri Veselit me shokë, që padrejtësisht nuk janë në mesin tonë, të cilët sot po mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e këtij rrugëtimi historik të popullit tonë për liri e pavarësi.

Nga vendi ku nisi ky rrugëtim, nga Prizreni i Lidhjes Shqiptare, ju uroj të gjithëve 28 Nëntorin!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat