A u vra Ismet Jashari – Komandant Kumanova në pritë? A ishte shkak ekzekutimi i Hallaqit dhe Shalës

Aktuale

A u vra Ismet Jashari – Komandant Kumanova në pritë? A ishte shkak ekzekutimi i Hallaqit dhe Shalës

Nga: Idriz Morina Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 18:13
Ismet Jashari, komandant "Kumanova" me ushtarë

Njëri nga figurat më të nderuara për luftën në grupimin e UÇK-së, që kontrollohej nga Hashim Thaçi dhe klani i tij, Ismet Jashari – Komandant Kumanova, është vrarë në rrethana të dyshimta. Dashamirët e tij i kanë kënduar edhe këngë, ngritur përmendore, dhe shpallur hero lufte, nga presidenti Fatmir Sejdiu, por askush nga ata nuk ka bërë përpjekje ta zbardhë të vërtetën e fundit të jetës së tij.

Image
Ismet Jashari - Kumanova, gjatë luftës flet në telefon

Nuk është se për herë të parë sillet dilema, se nëse Ismet Jashari është vrarë në luftë, apo është tradhtuar dhe është nxjerrë në pritë të forcave serbe.

Vetë vëllai i tij, Murat Jashari, tashmë i ndjerë dyshonte se “Kumanova” mund të ishte ekzekutuar në tradhti.

Po, për çka mund të ishte ekzekutuar “Kumanova”?

Ai nuk ishte akuzuar nga askush, për aq sa dihet në opinion se mund të ishte një ‘spiun’. Disa nga ata që janë ekzekutuar, pavarësisht a ishin spiun të Serbisë apo jo, ata ishin akuzuar si të tillë, madje deri tek presidenti Rugova, që sipas tyre konsiderohej njeri i Serbisë!

Atëherë, cilat mund të kenë qenë dyshimet?

Një nga dyshimet dhe indiciet ishte se Ismet Jashari, i kishte rrëfyer vëllait të tij Muratit, që ndodhej në Zvicër dhe ishte pjesë e angazhimit të logjistikës, se në burgun e Kleçkës, zonë në të cilën operonte ai, i kishin dërguar dy të burgosur, dhe me gjasë ai besonte se ishin të pafajshëm, ose të paktën donte t’i shpëtonte.

Ata ishin Behajdin Hallaqi, dhe Shaban R. Shala, që të dy i takonin të njëjtës lëvizje me vëllain e tij Muratin.

Duke qenë kështu, Ismeti e thirrë vëllain e tij në Zvicër dhe i thotë që të interesohet që ata të lirohen.

Murati komunikon me Xhavit Halitin, dhe i kërkon ndihmë, ky i thotë se është i informuar për këtë dhe se i ka kërkuar Ali Ahmetit, që të interesohet për rastin.

Pas pak ditësh ata ekzekutohen, dhe njoftimi për vrasjen e tyre nuk bëhet i ditur për disa muaj. Më në fund, në tetor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm e lëshon komunikatën nr.61, dhe njofton se gjatë një beteje ishin vrarë 54 shqiptarë, duke rënë dëshmorë në ballafaqim me forcat serbe.

Këtë e zbulonte Murat Jashari në letrën dërguar Xhavit Halitit, në të cilën ia parashtron qindra pyetje.

“340. Kush është autori i Komunikatës Nr.61 që është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, më 31 Tetor 1998?
341. Kush dha urdhër me u shkruajt kjo Komunikatë?

342. Në Komunikatë, mes të tjerave, thuhet se, në betejë ranë 54 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Behajdin Allaçi, a shkruhet kështu, apo jo?”

Murat Jashari jep disa detaje të tjera për rastin e Behajdin Hallaqit. Ai në një mënyrë aty përshkruan vuajtjet e të burgosurve, dhe përpjekjet që bënte dikush tinëzisht t’i ndihmonte ata. “289. Behajdin Allaqit e Shaban Shalës natën kush ja çojke qebet, e ditën ia merrke?”

Fatmir Limaj, nuk është përgjigjur në letrën publike të Jasharit: “288. Nga kush u erdhi urdhri me i arrestu Behajdin Allaqin e Shaban Shalën kur ata mbërritën në Kleçkë?”

Më intrigues është informacioni që sjellë Murati, se që të dy të arrestuarit, po i mbanin këmbë e duarlidhur.

Pse i fshehën vrasjet për gati 4 muaj

“290. Kur erdhën me i marrë dy vetë te burgu i Kleçkës, Behajdin Allaqi e Shaban Shala a i kishin kambët të lidhura, sikurse i kishin edhe duart?

Kësaj dileme për Fatmir Limajn, i përgjigjet në letrën dërguar Halitit, në pyetjen e 343. “Behajdin Allaçin e Shaban Rexhep Shalën, në një mbrëmje të fillimit të korrikut 1998, në Kleçkë, i kanë marrë duarlidhur Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kështu është, apo jo?”

Kësaj dileme i vë kapak, me pyetjen drithëruese: “96. Mos vallë edhe trupat e tyre janë djegur në Furrë të Kleçkës?”

Pra, sikur Behajdin Hallaqi dhe Shaban Shala të mos ishin ekzekutuar në korrik kur dyshohet kjo ngjarje të ketë ndodhur më së shumti, ata do të ishin parë diku nga ndokush.

Po, nëse nuk u vranë, e vdiqën si heronj, sipas komunikatës, atëherë: “345. Ku janë varrosur?”, pyeste edhe Murat Jashari.

Por, pse e fshehën për gati katër muaj vrasjen e Behajdin Hallaqit dhe të Shaban Shalës, nga fillimi i korrikut deri me 31 tetor?! Vetë fshehja e rastit të intrigon të besosh se po përpiqeshin ta fshihnin të vërtetën e një ekzekutimi të dyfishtë.

Momentet kritike për “Kumanovën”

A u dyshua komandant “Kumanova” se mund t’i ketë dekonspiruar ‘personat’ që i morën për ekzekutim Behajdin Hallaçin dhe Shaban Shalën?

Bazuar në informacionet që jep Murat Jashari, meqë Ismeti kishte informacion për arrestimin e atyre dy figurave, ai domosdoshmërisht ka ditur edhe për momentin e nxjerrjes së tyre për ekzekutim.

Ky informacion që ai mund ta ketë ditur, dhe eventualisht nëse ai shprehu qëndrim mospajtues, apo provoi t’i pengonte në realizimin e ekzekutimit, mund të ketë qenë shkak i mjaftueshëm, që ai të futej në listën e pritjes për ekzekutim.

Murat Jashari fillimisht e kishte dekonspiruar aksidentalisht vëllain e tij, Ismetin, tek Xhavit Haliti, se Behajdin Hallaqi dhe Shaban Shala po mbaheshin në burg, më pastaj ishte interesuar edhe tek Ali Ahmeti edhe vetë, por pa arritur të merrte përgjigje.

Këto dy momente mund të kenë qenë kritike për “Kumanovën”.

Në konfirmim të dyshimeve se ai u vra ose u nxor në një pritë ku mund të vritej nga serbët, janë detajet tjera që sillte Jashari.

Gërmimi

Duke gërmuar për vëllain e tij, Murati, siguron disa informacione për lëvizjet që ka bërë Elmi Reçica, një figurë e lartë e SHIK-ut.

Image
Ismet Jashari - Kumanova

Komandant “Kumanova”, pas një plagosje të lehtë, kishte bërë të gjitha përgatitjet që për pak kohë të udhëtonte për në Zvicër. Por, Fatmir Limaj dhe Shtabi, nuk e kishin lejuar të merrte pushim.

“112. Ai është bërë gati me ardhë në Zvicër për disa ditë. Ka hekur mjekrën. Unë pasaportën ja pata lënë në vend të sigurtë. Ismeti e ka ditur se ku. Po ti a ke qenë në dijeni? 113. Pse nuk i dhatë leje pushimi?”

Rreth një muaj pas zhdukjes së Behajdin Hallaçit dhe Shaban Shalës, jeta e “Kumanovës" do të vihet në rrezik. “114. Në natën e 24/25 Gusht 1998 për çka shkoi Elmi Reçica në Kleçkë? 115. Çfarë misioni kishte Elmi Reçica atë natë?”

Pra, Murat Jashari shpreh kërshëri të dijë për lëvizjet e Elmi Reçicës, sepse sipas tij koinçidojnë me ditën e vdekjes së vëllait të tij.

“116. Më 25 Gusht është vrarë Komandant Kumanova, a po jo? 117. A keni bërë Raport të hollësishëm për rrethanat se si u vra? Nëse po, kujt ia ke dorëzuar atë raport? Nëse jo, pse nuk e ke bërë atë raport?”

Murat Jashari i ka mbyllur sytë, pa i marrë këto përgjigje nga Fatmir Limaj. Ai donte të dinte, se kush ia kishte dhënë lajmin për vrasjen e komandant “Kumanovës” dhe se ku kishte qenë Limaj, kur u vra “Kumanova”?

Habia më e madhe është se familja, pra as Murati, i cili tashmë ndodhej i arrestuar nga autoritetet zvicerane për shkak të bartjes së armëve, nuk ishte informuar nga askush për vrasjen e vëllait. Sikur të kishte qenë vërtetë një vrasje në luftim me forcat serbe, ai lajm do të ishte dhënë si zakonisht në komunikatat e Shtabit, i përcjellur po ashtu sipas zakonit me përplot lëvdata.

“119. Më 02 dhjetor 1998 Shukri Buja (Gazetari), i ka dhënë lajmin familjes për vrasjen e Ismet Jasharit. A është kështu?”, e pyeste Fatmir Limajn, duke e bërë përgjegjës për njoftimin me vonesë 100 ditë. “120. Pse me 100 ditë vonesë?! Ku është arsyeja?”

Kjo është ndoshta mënyra e të kuptuarit për disa vrasje, se si vriteshin njerëzit që dinin për një apo më shumë vrasje: Vëllai i Murat Jasharit, Ismet Jashari- komandant Kumanova, e dinte se ishin vrarë Behajdin Hallaqi dhe Shaban Ramë Shala.

Image
Në foto: Xhemajl Jashari, Fatmir Sejdiu dhe Murat Jashari

Ismet Jashari shpallet HERO i Kosovës, në përvjetorin e 10-të të vdekjes së tij nga kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, pra në vitin 2008.

Në vijim, përshkrimi nga Murat Jashari, se si dhe nga kush e mori vesh për vrasjen e vëllait:

"Ishte muaji i tretë që po e kaloja në burg, me akuzën “Blerje e furnizim me material luftarak për terroristët e UҪK-së…”. Kështu e ka cilësuar veprimtarinë time atdhetare kryeprokurorja e shtetit më “demokratik” Helvetia, znj. Karla del Ponte.

Nga burgu i Bern-it (ku isha), në fillim të dhjetorit 1998 më transferuan në një burg tjetër, dhe ndërkohë kam mësuar se më kishin sjellur në vendin e quajtur Torberg.

Më 15 dhjetor `98 aty kah ora 10.00 paradite u hap dera e dhomës. Një gardian më njoftojë se kam vizitë dhe më tha menjëherë të shkoj pas tij. Më futi në një sallon ku ishin disa policë me uniformë, dhe disa të tjerë me rroba civile. Në vizitë më kishte ardhur bashkëshortja. Kur më pa, u ngritë në këmbë. Ia pashë sytë e sajë të përlotur.
Pa u përshëndetur, e pyes:
– “çka ke, pse po qanë”?
Ajo ma ktheu:
– “Po na kanë lajmëruar para ca ditëve se Ismetin e kishin vra më 25 Gusht 1998”.
Në atë moment më erdhë një forcë e madhe – e pa përshkruar, dhe ju drejtova gruas:
– “Asnjë lot! Për dëshmorët nuk duhet derdhur lot! Lumë ne oj Selvisha, tani Kumanova qenka bërë Kosovë! Ju afrova time grua, (dhe për lajmin e gëzuar) e përqafova fort! Kështu, me gjakë dëshmorësh bëhet Shqipëria! Po festë të madhe paskemi familja Jashari nga Orizarja e Kumanovës! Familjet e dëshmorëve të popujve të pushtuar në botë festojnë! Edhe populli shqiptar i Kumanovës e i gjithë hapësirës shqiptare në IRJM tani paska të drejtë të festojë!…”
(…)

Fribourg, 24. 05. 2012
Murat Jashar

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat