Vulin të paditet për mohimin e krimeve të luftës në Kosovë/ Krimet kundër njerëzimit!

Aktuale

Vulin të paditet për mohimin e krimeve të luftës në Kosovë/ Krimet kundër njerëzimit!

Nga: Idriz Morina Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 11:58

Nuk mjafton që vetëm të ketë deklarime dhe akuza për t’ju kundërvënë Aleksandër Vulinit, ministrit të Brendshëm të Serbisë, i cili në vazhdimësi i mohon krimet serbe në Kosovë, dhe në mënyrë të veçantë masakrën e Reçakut.

Deklarata e parë e Vulinit u përcollë me reagime të shumta edhe nga Kosova, Presidenca, Kryeministria etj. Por, deklarata e dytë e tij, si kundërpërgjigje ndaj SHBA-se dhe BE-së u heshtë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, ka deklaruar me 10 dhjetor se Masakra e Reçakut, është gënjeshtër dhe falsifikim i tmerrshëm.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, ka deklaruar Vullin, që po ashtu e ka quajtur si trillim.

Madhërimin e kriminelëve të luftës

Si rrallëndonjëherë Vulin është ndeshur me reagimin e menjëhershëm të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, në po të njëjtën ditë me 10 dhjetor, duke deklaruar se dëshmitë e asaj mizorie nuk mund të mohohen nga askush.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Alleksandar Vulin thotë: “Mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”.

Pra, thelbi i goditjes ligjore duhet të vije për shkak të mohimit të gjenocidit (masakrave) dhe madhërimit të krimit, e cila gjë nënkupton edhe madhërimin e kriminelëve të luftës, gjë që duhet të jetë absolutisht e dënueshme.

Ministri i Brendshëm serb, Alleksandar Vulin në kundërpërgjigjen e tij me 11 dhjetor ndaj BE-së dhe SHBA-së për deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë, thotë se “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.

“Të mëdhenjtë po zemërohen me serbët të cilët nuk frikësohen të thonë të vërtetën, sidomos të vërtetën e cila tregon se sa të mëdhenjtë ishin të vegjël para popullit tonë. Filmat nga Kosharja, Pashtriku, Reçaku i xhiruam që zemërimi i fuqive të mëdha dhe frika e disa serbëve të mos e vrasin të vërtetën”, thotë Vulin, duke vazhduar ta madhërojë krimin serb në Kosovë.

Në atë fshat me 15 janar të vitit 1999 u vranë dhe u masakruan 45 shqiptarë, u plaçkit dhe u dogj një fshat i tërë, dhe disa nga të viktimat u gjymtuan.

Që të gjithë ishin civil dhe të paarmatosur.

Jehonën kryesore ia dha atëherë misioni i OSBE-së, i cili ishte në mision faktmbledhës për luftën në Kosovë. Në krye të këtij misioni ishte koloneli amerikan Uilliam Uoker. I trishtuar me ngjarjen, ai do ta shpallte masakrën si një nga krimet më të mëdha kundër njerëzimit.

Kështu ajo masakër u bë çelësi i organizimit të konferencës ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje të Francës, e cila i filloi punimet me 6 shkurt 1999. Pas disa ditë bisedimesh, u vendosë oferta e organizatorëve në tavolinë. Shqiptarët, të cilët kryesoheshin nga Hashim Thaçi, hezituan ta nënshkruajnë menjëherë duke kërkuar disa javë ‘konsultime’ me zonat operative në Kosovë. Sipas dëshmitarëve të kohës, kjo ishte një lojë në dëm të Kosovës.

Në fund Thaçi u detyrua të pranonte se duhej të nënshkruhej marrëveshja, bashkë me të hodhën firmat edhe presidenti Rugova dhe Rexhep Qosja, me 18 mars 1999. Pala serbe e refuzoi nënshkrimin e saj, dhe pas pak ditësh filluan bombardimet 78 ditore të NATO-s për t’i dhënë fund krimeve serbe në Kosovë.

Si duhet vepruar

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjë dhe Hercegovinën, diplomati austriak Valentin Inzko, e ka nxjerrë një ligj i cili ka hyrë në fuqi me 31 korrik të këtij viti, sipas të cilit çdo kush që e mohon këtë krim kryen vepër penale.

Sipas këtij ligji “kush mohon, relativizon, e përkrah miraton publikisht ose përpiqet të justifikojë gjenocidin ose krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit në Bosnjë nga viti 1992 deri në 1995 dënohet me burgim deri në pesë vjet”.

Nga deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit, institucionet nuk duhet kuptuar vetëm atë që shëmbëllen me të vërtetën e padiskutueshme për ngjarjet, por edhe mesazhin që nënkupton se shtimi i dhimbjes nuk duhet të rritet. Pra, ky mesazh kërkon që provokimi të ndalet, të marrë fund.

Dhe një fund për këto nuk vjen kurrë, po nuk u sanksionua me ligj.

Kosova, qeveria, por edhe liderë shqiptarë mund dhe duhet të ushtrojnë padi ndaj Vulinit, në një gjykatë të Kosovës, në mënyrë që kurdo që të kenë mundësi ta nxjerrin para drejtësisë, për shpifjet dhe mohimin e krimit masiv të kryer nga Serbia, edhe sipas Kodit Penal të Kosovës, me akuzën për shpifje, përpjekje për mashtrim etj.

Krimet e luftës nuk guxon askush t’i mohojë. Është sanksion i ri ndërkombëtar. Ashtu siç nuk mund të mohohen krimet gjenocidale të Serbisë në Bosnje, apo gjenocidi i kryer ndaj armenëve dhe të tjera.

Natyrisht që një ndalim apo padi për mohuesit e krimeve do të ishte më e lehtë, sikur Kosova ta kishte paditur tashmë Serbinë për gjenocidin dhe etnocidin e ushtruar gjatë luftës së fundit ndaj shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat