Kur filloi përgatitja e vrasjeve politike, atentateve – të vriteshin si tradhtarë/ Rugova, ushtarakët, gazetarët?

Aktuale

Kur filloi përgatitja e vrasjeve politike, atentateve – të vriteshin si tradhtarë/ Rugova, ushtarakët, gazetarët?

Nga: Idriz Morina Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 19:08
Foto ilustrim, disa nga viktimat e vrasjeve politike

Ndërsa, Kosovës ka filluar t’i bie gjithnjë e më shumë terri, ditën dhe natën, nga që firmat e dyshimta të energjisë nuk duan të furnizojnë mjaftueshëm (pa i treguar shkaqet e vërteta), nuk dihet saktë se në pronësi të kujt janë, shpresat për një rikthim të atyre që dyshohen për krime masive, vazhdojnë të shtohen.

Gjykata speciale ka mbajtur sot një seancë vlerësimi të ecurisë së punëve të palëve të përfshira në procesin ku mbahen të arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, për të cilët ende nuk ka filluar procesi i gjykimit.

Avokatët vazhdojnë të ankohen se po u bëhet padrejtësi dhe se janë të rrezikuar. Por, e vërteta mund të jetë më ndryshe, sepse ata nuk janë në kërkim të drejtësisë, e si të tillë as në kërkim të së vërtetës. Ata po përpiqen t’i shpëtojnë klientët e tyre nga dënimi, dhe mundësisht t’ia hedhin fajin të tjerëve për vrasjet politike, në veçanti. Të keshë klientë si Thaçi dhe të tjerët, rrallë u vjen avokatëve një shans i dytë në histori! Janë në pyetje milionat, që nuk dihet kurrë saktë se nga ju vijnë!

Frikë, pasiguri...!

Frika e prokurorëve dhe gjykatësve është më se e vërtetë. Në një ambient, ku njerëzit vriten lehtësisht, siç ndodhi rasti në Gllogjan, ku mund të vriten dhe të digjen (mbase edhe të gjallë) dëshmitarë potencialë, ku mund të humbin gjurmët e krimit, edhe kur rasti ndodh thuaja parasysh, ku proceset gjyqësore për ndëshkimin e kriminelëve nuk përmbyllen edhe pas pesë vitesh, vetëm që ata të jetojnë në liri, ku njerëzit që e thonë të vërtetën kërcënohen me jetën e tyre, dhe ata që deshën ta ndanin Kosovën, ende lartësohen,... nuk ka siguri!

Gjykata e ka pranuar një aktakuzë të rëndë për të dyshuarit. Ata dyshohen për më se 100 vrasje, fillimisht, ndërsa sapo i janë shtuar këto ditë kësaj liste për të dëshmuar edhe 11 viktima (familjarë që dëshmojnë për viktimat e të afërmve), që sigurisht e rrit numrin e rasteve të krimeve.

Pra, për sa kohë që po vazhdojnë të shtohen kritikat nga mbrojtja për vendimet e speciales, akuzat po vazhdojnë të rriten.

Janë dhjetëra vrasje të dëshmuara që besohet se gjykata speciale do të merret me to.

Ndër të parat vrasje të tilla të regjistruara është ajo e gazetarit Ali Uka, për të cilin rast kanë shkruar edhe mediat amerikane, para më shumë se 20 vitesh, duke e ndërlidhur me figurën e Thaçit dhe të Halitit. Por, këtë rast nuk e ka zbardhur asnjë gjykatë në Shqipëri. Ajo pasohet me Ilir Konushevcin, Behajdin Hallaqi së bashku me Shaban R. Shalën, Ismet Jasharin-komandant “Kumanovën”, Ramiz Hoxha e Selman Binishi, ministrin Ahmet Krasniqi, Sadri Ramqen, Enver Malokun, ushtarakun Rashit Mustafa “Karadaku”, Haki Imerin, Agim Qelajn, ushtarakun Ekrem Rexha – Drini, Shaban Manajn, etj.

Po ashtu në këto krime hyjnë edhe atentatet, ku nuk u realizuan plotësisht qëllimet e porositësve, kur ishin provuar të vriteshin, Sabri Hamiti, i mbetur i plagosur me tre plumba 1999, Ismet Arifi; Fetah Rudi, i mbetur i palëvizshëm, Nezir Gara etj.

Kur filluan rastet që i implikojnë në vrasje të akuzuarit e Hagës?

Koha të cilës i referohet gjykata speciale është afërsisht me kohën në të cilin nisin kritikat nga e majta kundër Rugovës, dhe fillojnë të dalin në opinion akuza të rënda për të, gjithnjë duke u mbështetur në opinione për politikën e tij.

Atë kohë pak kush i merrte seriozisht ato kritika dhe ishin fare të paktë ata njerëz që mund të merreshin me to, të paktën brenda në Kosovë ato ishin tepër të rralla. Me një fjalë opinioni i gjerë thuaja nuk dinte asgjë.

Mediumet shqip ishin fare të pakta, si e përditshmja “Bujku”, javorja “Zëri” dhe thuaja se nuk kishte mundësi që kundërshtarët politik të Rugovës, të artikuloheshin.

Por, pavarësisht këtyre të dhënave gjykata speciale e ka definuar kohën, se kur kanë filluar intencat e dhunës, dhe si ishin të drejtuara ato.

Sipas pikës 36 të aktakuzës, është viti 1994 kur kanë filluar miratimet, legjitimimet, inkurajimet e sulmeve dhe vrasja e kundërshtarëve, të cilët u deklaruan si ‘tradhtarë’ dhe ‘kolaboracionist’, që duhet ‘ndëshkuar pa mëshirë’.

“36. Nga viti 1994 e tutje, gjatë gjithë periudhës së akuzës, deklarata të ndryshme publike të Shtabit të Përgjithshëm morën përgjegjësinë për miratimin, legjitimitetin dhe inkurajimin e sulmeve dhe vrasjen e kundërshtarëve dhe kërcënimin në mënyrë të qartë të tjerët kundërshtarë me të njëjtin fat. Kundërshtarët u deklaruan si ‘tradhtarë’ dhe ‘kolaboracionist’ të ‘ndëshkohen’ dhe të trajtohen ‘pa mëshirë’. Njëkohësisht, përmes deklaratave dhe veprimeve publike në terren, përfshirë kërcënimin, poshtërimin, dhe largimin, duke përfshirë vrasjen e kundërshtarëve, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm u përpoqën të pozicionohen si zëri i vetëm i ligjshëm dhe përfaqësues dhe populli shqiptar i Kosovës”.

Çfarë do të ndodhte nëse edhe gjykatës speciale i zgjatet mandati, që të hetojë vrasjet politike edhe pas vitit 2000?

Por, nëse gjykata speciale mund të marrë mandat të zgjeruar kohor për hetimin e vrasjeve, shumë prej të cilave janë zinxhirore dhe të porositura thuajse nga i njëjti grup?

Sa familje kanë mbetur të stepura, thuaja edhe të pashpresa, dhe me dilema se çfarë do të ndodhë me rastet e familjarëve të tyre, a do të ketë drejtësi për ata, por se çfarë fati do të kenë edhe vetë ata.

Nëse kjo gjykatë do të merret edhe me rastet e vrasjeve pas vitit 2000, do të përfshiheshin edhe qindra familje, por me prioritet vrasjet si: e deputetit Smajl Hajdaraj, e Ismet Rracit, ish kryetar i Klinës, Bekim Kastratit gazetar i “Bota sot” e Besim Dajakut truproje i Ibrahim Rugovës, Ukë Bytyçit, kolonelit Tahir Zemaj-2003 me Enis dhe Hasan Zemaj, Kosovë e Albert Zeqiraj, e deri tek vrasja e fundit politike e regjistruar Bardhyl Ajetit (2005), ndonëse vrasjet kanë vazhduar edhe pastaj, kryesisht për fshehjen e gjurmëve të vrasjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat