Fjalimi vjetor, Osmani kërkon vëmendje të shtuar nga SHBA, tregon rrezikun nga Serbia dhe Rusia

Aktuale

Fjalimi vjetor, Osmani kërkon vëmendje të shtuar nga SHBA, tregon rrezikun nga Serbia dhe Rusia

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 07:04
Vjosa Osmani

(E plotësuar 11:24) - Osmani: Institucioni që drejtoj është shpallur si më transparenti në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucioni që drejton, është shpallur si më transparenti në rajon.

Gjatë fjalimit vjetor në Kuvend, Osmani njoftoi se gjatë këtij muaji do të publikojë shpenzimet e saj dhe të kabinetit, por edhe ato të viteve paraprake.

“Zyrën e Presidentes e kam shndërruar në zyrë të hapur e transparente për të gjithë qytetarët. Institucioni që drejtoj është shpallur si institucioni më transparent në rajon, ndërkaq këtë përkushtim për transparencë të plotë karshi publikut, gjatë këtij muaji do ta dërgojmë në një nivel tjetër, ku në mënyrë proaktive do të publikojmë shpenzimet e mia dhe të kabinetit tim, por edhe ato të viteve paraprake, ku dëshmohet që përderisa shpenzimet tona janë shumëfish më të vogla, puna jonë për vendin është shumëfish më e madhe”, tha Osmani.

Osmani: Gratë e vrara nga burrat, duhej të ishin në mesin tonë duke bërë plane për Vitin e Ri (VIDEO)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur rastin e Marigona Osmanit dhe të grave të tjera të dhunuara, gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend.

Osmani tha se ajo dhe gratë e tjera do të duhej të ishin në mesin tonë duke bërë plane për Vitin e Ri, por siç theksoi presidentja, dështimi për mbrojtjen e tyre është një ndër dështimet më të mëdha në shoqërinë tonë.

“Është e dhimbshme që disave u prehen ëndrrat në gjysmë e disave ju prehen krahët në fluturim e sipër. Paralel me pandeminë COVID-19 edhe Kosova u bë viktimë e pandemisë së dhunës mbi bazë gjinore. Në vitin 2021, numri i rasteve gjinore është rritur ndjeshëm ndërkaq vrasjet e aktet mizore kundër grave kanë vazhdua. Janë shumë jetë të humbura që janë viktima të dhunës jo vetëm nga partnerët e tyre, por janë viktima të mangësive tona si shoqëri për të ngritur nivelin e vetëdijës individuale e kolektive deri në atë pikë ku çdo kush e ka të qartë se çdo jetë ka peshë të barabartë”.

Mes tjerash, Osmani tha se duhet angazhim që të rriten dënimet minimale kundër dhunuesve.

“Niveli i dënimeve aktuale, duhet të rritet duke i barazvlerësuar ato me aktet e terrorizimit. Ajo që i ndodhi Marigona Osmanit  e shumë grave të tjera nuk është asgjë me pak sepse ato përjetuan terror më shumë se një herë. Ato sot do të duhej të ishin në mesin e të dashurve të tyre duke bërë plane për vitin e ri, dështimi për mbrojtjen e tyre është një ndër dështimet më të mëdha në shoqërinë tonë”.

“Në sistemin tonë gjyqësor kur dhe vajzat ndonëse viktima fajësohen për dhunën ndaj tyre, një gjuhë e tillë është e papranueshme për shoqërinë tonë por mbi të gjitha për njerëzit që punojnë në sistemin tonë të drejtësisë. Le t’i lexojnë këto vendime të gjithë ata që ende kanë dyshime për domosdoshmërinë e Vettingut në sistemin e drejtësisë si parakusht për rritje të integritetit”, ka thënë Osmani.

***

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur në Kuvendin e Kosovës fjalimin vjetor, ku ka folur për ngjarjet kryesore të këtij viti.

Si pikë të parë, Osmani ka folur për situatën me pandeminë gjatë këtij viti në Kosovë.

“Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, përfaqësuesit tuaj duke respektuar vullnetin tuaj të qartë, më dhanë besimin që të udhëheq me institucionin më të lartë në vend. Gjej rastin që edhe njëherë t’iu falënderoj për këtë besim. Pandemia ka ndryshuar jetërat tona duke ndryshuar edhe mënyrën tonë të jetesës. Dua që se bashku me ju t’i kujtojmë bashkëqytetarët tanë që humbën jetën nga ky virus. Ne na duhet përkushtim global për ta luftuar pandeminë dhe për ta ruajtur ambientin. Si presidente kam bashkëpunuar me institucionet që qytetarët të kenë qasje në vaksina. Sot Kosova radhitet në vendet më të suksesshme në luftimin e pandemisë”, tha ajo.

Duke falënderuar aleatët, me theks të veçantë SHBA-të, për ndihmën me vaksina, Osmani ka kërkuar që kosovarët të vaksinohen edhe me dozën e tretë kundër COVID-19.

“Gjatë kësaj periudhe kam inicuar praktikën e koordinimit të rregullt institucional. Për këtë falënderoj kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe ministren e Jashtme. Kosova është me fat që ka miq anë e kënd botës.  Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm amerikan”, ka thënë tutje Osmani.

Osmani ka thënë se takimet që ajo ka pasur me liderë rajonalë, janë tregues se Kosova është kundërshtar i ndikimit rus dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë.

“Kosova është një shtet që Meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë. Prandaj pata nderin që të përfaqësoj Kosovën në Samitin për Demokraci. Jemi të bindur që vetëm me integrimin e plotë në BE dhe NATO, projekti i Evropës së Bashkuar do të jetë më i plotë. Për të avancuar bashkëpunimin rajonal, kam takuar edhe liderë të rajonit. Kosova është partner i besueshëm i partnerëve të rajonit, dhe kundërshtar i ndikimit rus dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë”, ka thënë ai.

Osmani madje pati kritika edhe ndaj moratoriumit 1-vjeçar për anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, pikë kjo e arritur si pajtim në Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Duke pranuar moratoriumin, u dëmtuan edhe interesat strategjike, por edhe ishin fikur dritat e politikës tonë të jashtme. Kosovës i duhen diplomatë profesionist. Hapat e ndërmarrë po sigurojnë kredibilitet. Për herë të parë kemi bërë të mundur që nga të gjithë shefat e misioneve, 3/4 të jenë diplomatë të karrierës”, tha Osmani.

Sipas presidentes, Rusia ka për qëllim ta destabilizojë Kosovën.

“Rajoni ynë ka nevojë për intensifikim të vëmendjes amerikane”, tha ai.

“Të akuzohet Kosova si palë refuzuese, është njëanshmëri. Kjo po ndodhë në një kohë kur Serbia tregon tendencat e saja për cënimin e integritetit territorial”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, përkrahja e autokratëve, është kërcënimi më serioz ndaj demokracisë.

“Dialogu mund të përmbyllet vetëm me njohje reciproke që respekton integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Serbia duhet të heq dorë nga tendenca destabilizuese në Serbi”, tha tutje presidentja.

Osmani: Serbia ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës

Në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës.

Sipas saj Serbia ka për qëllim të destabilizoj shtetet e tjera të rajonit duke përfshirë edhe rajonin.

“Serbia si “trampolinë” e Rusisë ka për qëllim të destabilizoj rajonin duke përfshirë këtu edhe Kosovën”, ka thënë presidentja Osmani

***

Presidentja, Vjosa Osmani, fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, e ka nisur duke ngushëlluar për jetët e humbura nga Covid-19.

Ajo tha se sfidat e tilla e bëjnë popullin bashkë, kurse falënderimin kryesor e pati për personelin shëndetësor për të cilin tha se u bë shembull sakrifice.

“Viti që po e lëmë pas ishte sfidues për ne dhe gjithë njerëzimin. Për shkak të pandemisë dhe pasojat që la si në shendet, ashtu në ekonomi. Pandemia ka sfiduar jetët tona dhe mbase ka ndryshuar përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës. Prandaj, në këtë moment kur sytë tanë janë orientuar fuqishëm nga shpresa për një të ardhme më të mirë, dua t’i kujtojmë ata që e humbën jetën si rrjedhojë jetën nga virusi”.

“Dua t’iu shpreh ngushëllime familjeve të tyre, por edhe t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që dhanë ndihmesën e tyre, në cilëndo formë qoftë, për ta sfiduar pandeminë. Dua t’i shpreh mirënjohje qytetarëve të Kosovës, sidomos personelit shëndetësor që e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi është gjithmonë i mundur”.

Osmani tha se duhet përkushtim global për ta luftuar pandeminë dhe mbrojtur ambientin sikurse edhe në përballje me plot kërcënime tjera.

***

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, iu adresohet deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës me fjalimin vjetor.

Presidentja Osmani mban fjalimin vjetor në Kuvend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot iu adresohet deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës me fjalimin vjetor.

Seanca do të nis në ora 10:00. Ndërkohë, Kuvendi do të mbaj edhe një seancë të jashtëzakonshme duke filluar nga ora 11:00, në të cilën do të shqyrtohet për herë të dytë projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Kurse, pasdite nga ora 18:00, Kuvendi vazhdon seancën plenare të mbetur në gjysmë, ku do të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seanca plenare e 25, 26 nëntor dhe 6 dhjetor 2021.

“Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-067 për inspektimet, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020”, thuhet në njoftim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat