Osmani: Gratë e vrara nga burrat, duhej të ishin në mesin tonë duke bërë plane për Vitin e Ri

Aktuale

Osmani: Gratë e vrara nga burrat, duhej të ishin në mesin tonë duke bërë plane për Vitin e Ri

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 11:20
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur rastin e Marigona Osmanit dhe të grave të tjera të dhunuara, gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvend.

Osmani tha se ajo dhe gratë e tjera do të duhej të ishin në mesin tonë duke bërë plane për Vitin e Ri, por siç theksoi presidentja, dështimi për mbrojtjen e tyre është një ndër dështimet më të mëdha në shoqërinë tonë.

“Është e dhimbshme që disave u prehen ëndrrat në gjysmë e disave ju prehen krahët në fluturim e sipër. Paralel me pandeminë COVID-19 edhe Kosova u bë viktimë e pandemisë së dhunës mbi bazë gjinore. Në vitin 2021, numri i rasteve gjinore është rritur ndjeshëm ndërkaq vrasjet e aktet mizore kundër grave kanë vazhdua. Janë shumë jetë të humbura që janë viktima të dhunës jo vetëm nga partnerët e tyre, por janë viktima të mangësive tona si shoqëri për të ngritur nivelin e vetëdijës individuale e kolektive deri në atë pikë ku çdo kush e ka të qartë se çdo jetë ka peshë të barabartë”.

Mes tjerash, Osmani tha se duhet angazhim që të rriten dënimet minimale kundër dhunuesve.

“Niveli i dënimeve aktuale, duhet të rritet duke i barazvlerësuar ato me aktet e terrorizimit. Ajo që i ndodhi Marigona Osmanit  e shumë grave të tjera nuk është asgjë me pak sepse ato përjetuan terror më shumë se një herë. Ato sot do të duhej të ishin në mesin e të dashurve të tyre duke bërë plane për vitin e ri, dështimi për mbrojtjen e tyre është një ndër dështimet më të mëdha në shoqërinë tonë”.

“Në sistemin tonë gjyqësor kur dhe vajzat ndonëse viktima fajësohen për dhunën ndaj tyre, një gjuhë e tillë është e papranueshme për shoqërinë tonë por mbi të gjitha për njerëzit që punojnë në sistemin tonë të drejtësisë. Le t’i lexojnë këto vendime të gjithë ata që ende kanë dyshime për domosdoshmërinë e Vettingut në sistemin e drejtësisë si parakusht për rritje të integritetit”, ka thënë Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat