Të hënën protestohet kundër reduktimeve të rrymës, kërkohet shkarkimi i ministres Rizvanolli

Aktuale

Të hënën protestohet kundër reduktimeve të rrymës, kërkohet shkarkimi i ministres Rizvanolli

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 22:12
Foto ilustrim

Një grup qytetarësh ka njoftuar se të hënën, më 27 dhjetor, do të protestojë kundër reduktimeve të rrymës, njëkohësisht në mesin e kërkesave të tyre është edhe shkarkimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit protesta do të fillojë në orën 13:00 këtë të hënë, kurse dy kërkesat tjera janë furnizimi me energji elektrike 24 orë dhe nacionalizimi i KEDS-it.

Qytetarë të shumtë janë ankuar kundrejt qeverisë pasi kjo e fundit ka thënë se reduktimet do të jenë nga 2 orë në orare të caktuara por që ato zgjasin deri në 24 orë e që një gjendje e tillë pritet të zgjasë për dy muaj të tjerë. 

Gjithashtu në njoftim thuhet se KEDS-i po dështon në përmbushjen obligimeve për furnizimin me energji elektrike 24/7 e që një dështim të tillë Qeveria po ia faturon qytetarëve duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike.

Sipas tyre një krizë e tillë nuk duhet të lihet në duar të sektorit privat pasi nuk po arrin t’i përmbushë as shërbimet esenciale.

Njoftimi i plotë:

Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës të na bashkohen në protesta mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të Kosovës.

KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë. 

KEDS-i, distributor kryesor i energjisë elektrike në Kosovë, është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizim 24/7 të të gjithë/a qytetarëve/eve duke na lënë në errësirë. Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike.

Kjo krizë përveç që është duke e paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar që shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në duar të sektorit privat. Andaj, të hënën, duke filluar nga ora 13:00, mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë:

1. Rrymë 24/7;
2. Shkarkim të Ministres Rizvanolli;
3. Nacionalizimi i KEDS-it

Protesta nisë pranë objektit të KEDS-t për të vazhduar tek ndërtesa e Qeverisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat