Gashi: Një kompani ka qenë e autorizuar për t’i siguruar lejet e ndërtimit në Brezovicë

Aktuale

Gashi: Një kompani ka qenë e autorizuar për t’i siguruar lejet e ndërtimit në Brezovicë

Më: 7 janar 2022 Në ora: 20:28
Tomë Gashi

Autoritetet gjyqësore dhe të rendit në Kosovë ngrinë një ditë më parë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Po kështu, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aksion u arrestuan katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie.

Të gjithë të arrestuarit u filmuan me pranga dhe momentet e shoqërimit të tyre u transmetuan nga mediat.

Por avokati i njohur Tomë Gashi përfaqësuesi i “Stella Consulting”, një kompani edhe kjo e dyshuar për dhënie të ryshfetit në këtë rast, ishte i mendimit se “gjithkund në botën e civilizuar këto arrestime duhet të jenë në mënyrë diskrete”.

Ai kritikoi praktikën e organeve ligj zbatuese që ftojnë paraprakisht media të caktuara apo japin sinjale në mënyrë të tërthortë që të dalin para kamerave persona të arrestuar, për të cilët nuk dihet fati juridik.

Gashi sqaroi për herë të parë edhe pozicionin e biznesmenit Gentian Sula dhe kompanisë “Stella Consulting”, ku ai është aksioner maxhoritar.

“Unë kam marrë sot(dje) autorizimin prej një personi që e njoh, për të cilin kemi dokumentacion që nuk ka kurrfarë involvimi edhe pse emri i tij gjendet në këtë rast. Ky person është Gentian Sula, është një investitor jashtëzakonisht i madh i ndërtimeve në Shqipëri dhe në Kosovë.”

Gashi paraqiti për herë të parë para kamerave edhe një kontratë të vitit 2014 mes kompanisë “Stella Consulting” dhe një kompanie në Kosovë, sipas së cilës kompania ka qenë tërësisht e autorizuar dhe ka pasur për obligim që ti sigurojë kompanisë nga Shqipëria të gjithë dokumentacionin juridik edhe lejet për ndërtimet në Brezovicë.

Një kontratë tërësisht ligjore, tha Gashi, i cili theksoi se “Në media kemi parë se biznesmeni Gentian Sula dyshohet kinse për dhënie të ryshfetit. Unë besoj që nuk ka mundësi t’ i japësh dikujt ryshfet nëse fjala vjen, jam unë kompania nga Shqipëria edhe ti je ndërtuesi dhe nëse bashkë kemi një kontratë që ti ke obligimin që të nxjerrësh të gjitha lejet. Atëherë çfarë arsye kam unë për të dhënë ryshfet apo mitë për të bërë një punë që është detyrim i yti?!”.

Pyetjes së gazetarit se ryshfeti mund të jepej sepse kompania që kishte detyrimin nuk po arrinte t’i siguronte lejet në Kosovë, Gashi iu përgjigj se çdo gjë është me kontratë të firmosur, me vula dhe nënshkrime, një kontratë sipërmarrëse mes dy zyrtarëve që janë të gjallë dhe që mund të flasin çfarë kanë vepruar.

Në fund Gashi paralajmëroi se për shkak të këtyre zhvillimeve mund të vijmë në një situatë tjetër që “Stella Consulting” të ndërpresë investimet në Kosovë.

Sipas kontratës nëse realizohen të gjuhë investimet e “Stella Consulting” në Brezovicë, aty do të investoheshin 22 milionë euro, do të punësoheshin 215 persona dhe do të kishim një tatim 800 mijë euro çdo vit. Në fillim do të ishin 150 shtretër dhe në përfundim e këtij projekti 800 shtretër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat