9 muaj nga rrëmbimi i Bedri Rexhepit, Prokuroria del me një komunikatë

Aktuale

9 muaj nga rrëmbimi i Bedri Rexhepit, Prokuroria del me një komunikatë

Më: 11 janar 2022 Në ora: 10:49
Bedri Rexhepi

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se prokurorja në rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit, nuk ka dhënë sqarime dhe nuk ka qenë bashkëpunuese me familjarët e Rexhepit.

Në reagimin e Prokurorisë thuhet se prokurorja e ka marrë rastin më 13 prill të vitit të kaluar (pesë ditë pas zhdukjes së Bedri Rexhepit), dhe me urdhër të saj është ndaluar i dyshuari Jeton Vllasaliu, ndaj të cilit rëndon vepra penale “Rrëmbimi”, dhe i njëjti është dërguar në paraburgim.

“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi, mirëpo pretendimet e familjarëve se prokurorja e çështjes nuk ka qenë bashkëpunuese dhe nuk është angazhuar lidhur me rastin, nuk qëndrojnë, pasi nga raportimi i këtij rasti, prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, po ashtu, janë zhvilluar takime radhazi në prokurori me familjarët e të dëmtuarit dhe avokatit të tyre mbrojtës dhe se aktualisht ndaj rastit në fjalë, prokuroria po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të sqarimit në tersi të kësaj çështje penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Bedri Rexhepi ishte zhdukur pasditen e 8 prillit të vitit të kaluar dhe herën e fundit ishte parë në Novobërde.

Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi me datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty me asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Madje vëllezërit e tij kishin kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët për gjetjen e Bedriut, për çka do të ofronin 20 mijë euro shpërblim. Por, as kjo nuk kishte rezultuar me gjetjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat