A do të pranojë Vitia të bëhet drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, tregon asamblisti i VV-së

Aktuale

A do të pranojë Vitia të bëhet drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, tregon asamblisti i VV-së

Më: 12 janar 2022 Në ora: 09:26
Arben Vitia

Rashit Gashi, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë ofertë konkrete nga kryetari i komunës, Përparim Rama, ndërkaq shtoi se Arben Vitia nuk do të jetë pjesë e Drejtorisë së Shëndetësisë, pasi sipas tij, ai është një stad tjetër dhe po ashtu do të ishte e pakuptimtë të bëhej pjesë e rivalit të tij.

“Asnjë ofertë konkrete në adresë të Vetëvendosjes nga zoti Rama nuk ka ardhur, ka pasur disa tendenca të dërgojë mesazhe individuale si zotit Arben Vitia, por jo… Jo nuk mendoj se do të bëhet pjesë, sepse ne ishim rivalë në zgjedhje, Arben Vitia është një stad tjetër, ishte ministër i Shëndetësisë, ma herët ka dhënë kontributin e tij në komunë, por tash të bëhet pjesë e një rivali nuk ka kuptim”, ka thënë Gashi për “Sytë 7”.

“Arben Vitia e ka liruar pozitën e asamblistit dhe në vend të tij është Arjanit Beqiri”, ka vazhduar ai.

Ndërkaq shtoi se në asnjë mënyrë nuk do të menaxhojnë ndonjë drejtori në këtë komunë.

Gashi tha se Komuna e Prishtinës momentalisht gjendet në një handikap.

“Është fakt që jemi në një situatë jo të mirë, nga zgjedhjet e kaluara edhe dy ditë bëhen dy muaj prej që kanë kaluar zgjedhjet e 14 nëntorit dhe prej atëherë komuna është në njëfarë forme pa zot shtëpie edhe pse organet e Komunës së Prishtinës janë konstituar me kryetarin në këtë rast më 7 dhjetor dhe prej asaj kohe ne si ekzekutiv kemi mbajtur vetëm dy seanca, njëra ishte inauguruese dhe tjetra për zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit dhe kjo është një handikap jashtëzakonisht i madh për komunën dhe qytetarët e saj”, ka vazhduar Gashi.

Sipas tij, situatën e vështirëson akoma më shumë koalicioni me partitë e tjera, pasi, sipas tij, ata më patjetër do të kërkojnë hise në komunë.

“Aty ka shumë partnerë, ka shumë interesa, nëse i bëjmë bashkë gjitha partitë ato ekzistuese siç e pamë në seancën e 5 janarit nuk janë pak, dhe gjithë ato kërkojnë hise, nuk është problemi vetëm te drejtoritë, problemi ma i madh, konsideroj unë se, është te ndërmarrjet publike të cilat do t’i vendosin aksionarët dhe secila pretendon të ketë një ndërmarrje publike. Prandaj nuk është e lehtë fare”, ka shtuar ai.

E për Vetëvendojen ai tha se as nuk ka tentuar të bashkëpunojë me partitë e tjera, pavarësisht që ka pasur oferta.

“S’kemi tentu as të bashkëpunojmë, na kanë ofru shumë parti të ndryshme oferta që të bashkëpunojmë por nuk e kemi parë të arsyeshme”.

“Duke qenë se edhe kryetari është i infektum mendoj që negociatat do të ngecin dhe do ta pësojnë më së shumti qytetarët e Prishtinës”, ka theksuar Gashi.

Për atë se a do ta ndihmojë qeveria Ramën në realizimin e projekteve, Gashi tha se ajo do ta ndihmojë vetëm në projekte që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve dhe jo në projekte publiko-private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat