​Të mbijetuarit e Reçakut kujtojnë ditën kur forcat serbe kryen masakrën ndaj civilëve shqiptarë

Aktuale

​Të mbijetuarit e Reçakut kujtojnë ditën kur forcat serbe kryen masakrën ndaj civilëve shqiptarë

Më: 15 janar 2022 Në ora: 14:38
Reçak

Vendi ku u vranë në mënyrë makabre më shumë se 40 persona të fshatit Reçak, ende ka gjurmë të kësaj masakre.

"Kodra e Bebushit" shënoi historinë e Kosovës dhe bëri jehonë kudo në botë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Tash e 23 vjet banorët e fshatit Reçak jetojnë me tmerrin që panë dhe përjetuan mëngjesin e 15 janarit. Disa prej tyre për të gjitha këto dëshmuan edhe në Hagë, për këto si duket nuk mjaftuan për të vendosur drejtësi për fëmijët, pleqtë e gratë e masakruara.

Enver Ymeri, pas mëngjesit të kobshëm të 15 janarit, kishte shkuar në kodrën ku u krye krimi dhe kishte parë shumë trupa të pajetë. Ai rrëfen tmerrin që përjetuan banorët e këtij fshati ditën kur ndodhi masakra e Reçakut.

Ymeri: Kemi dëshmuar për masakrën në Reçak

"Jam ndër ata që e kam përjetuar masakrën dhe jam prej tyre që i kemi gjetur. Më 15 janar kemi ardhur këndej lart dhe kur kemi ardhur këtu i kemi parë të masakruar të gjithë, nuk i kemi prekur, vetëm kemi kaluar, kemi ecur drejt dhe kemi dal në Lushak, por mund të them që e kam përjetuar këtë masakër dhe kam emocione, por jemi dëshmitarë, jemi edhe nëpër video. Edhe me këtë Albertin kemi qenë 5 vetë që kemi dëshmuar për masakrën. Kemi shkuar në Petrovë dhe kemi ardhur prapë dhe pak pa hyrë këtu, helikopteri i serbëve ka ardhur për t'i marrë kufomat, por fati jonë kur na kanë parë, kanë ikur dhe e kanë parë që më nuk ka asgjë", tha ai.

Dikush tjetër edhe sot jeton me kujtimet dhe pamjet çnjerëzore që kishte parë në atë mëngjes. Albert Ymeri rrëfen se si arriti t'i mbijetojë kësaj masakre.

Ymeri: Sot e asaj dite është varri i hapur i Sahide Metushit

"Këtu ka qenë e vrarë Sahide Metushi, plaka rreth 70- vjeç dhe e kam parë nga dyert e Ramë Shabanit nga dyert e verdha dhe kam qëndruar para se të largohen forcat serbe. Ka ardhur një autoblindë me policë dhe është ndalur këtu dhe ka qëndruar 15 minuta. Unë kam qenë tek ajo pjesa ndër dyer edhe i shikoja dhe e kanë pritur një veturë të bardhë që ka ardhur prej Shtimes dhe ia kanë liruar rrugën këtu dhe Niva ka dalë pas autoblindës janë ndalur këtu pak edhe e kanë marrë kufomën e Sahide Metushit, njëri e ka kapur nga këmbët dhe nga qafa edhe e kanë gjuajtur në gepek. Sot nga ajo ditë nuk dihet ku është edhe sot e atë ditë është varri i hapur i Sahide Metushit", ka thënë ai.

Ndryshe, masakra në Reçak ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars 1999.

Ish-diplomati amerikan, William Walker, pati deklaruar se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën në Reçak si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat. Asokohe, ai ishte shef i misionit vëzhgues të OSBE-së. Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte një krim i rëndë kundër njerëzimit.

Masakra në Reçak ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë. Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat