Tahiri fton të votohet rezoluta kundër shtrenjtimit të rrymës, paralajmëron edhe protesta

Aktuale

Tahiri fton të votohet rezoluta kundër shtrenjtimit të rrymës, paralajmëron edhe protesta

Më: 19 janar 2022 Në ora: 12:34
Besnik Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se në debatin e thirrur nga kjo parti nesër në Kuvend, tema kryesore do të jetë propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Në një konferencë për media, Tahiri theksoi se ky propozim është i papranueshëm dhe afekton rreth 200 mijë familje. Ai ftoi grupet parlamentare për ta votuar rezolutën që stopon këtë propozim, ose në të kundërtën Tahiri tha se mund të ketë edhe protesta.

“Është e papranueshme që dikush që i ka paguar 58 euro të paguajë me tarifën e re 109 euro, 100% më shumë, dikush që shpenzon deri 800 KË që ka paguar 47 euro të paguajë 74 euro. Ne nesër në këtë debat që do të trajtojmë tema tjera, presim dy çështje, presim nga shumica parlamentare nga VV që të reflektojë dhe të votojë rezolutën tonë që kërkon nga ZRE dhe Qeveria që të mos shtrenjtoj rrymën. Që të anulohet rekomandimi dhe ky vendim të mos hyjë në fuqi, ZRE-në e ka zgjedh ky kuvend, nesër në debatin që e kemi thirrur, përmes një rezolute të stopojmë ngritjen e çmimeve të rekomanduar nga ZRE”, tha Tahiri.

“Ku ka logjikë që një familjeje t’i dyfishohet çmimi i rrymës dhe pastaj me taksat e këtyre të paguhen një pjesë tjetër. Nuk ka logjik që dikush të paguajë për tjetrin, pse duhet një familje të pagujë faturën e dyfishtë dhe pastaj të subvencionohet një biznes që i ka më pak se 600 KË. Vetëm disa ditë pasi që kryeministri Kurti thotë se rryma është shtrenjtë në Kosovë, ZRE propozon ngritjen e tarifave, mbi çfare logjike. Në këtë tarifë sipas të dhënave, mbi 200 mijë familje afektohen. A është analizuar kjo pjesë, kë po e mbron kjo qeveri, a po e mbron qytetarin apo interesin e korporatave?”, theksoi tutje Tahiri.

Mes tjerash, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, ftoi dhe shpreson se grupet parlamentare ta votojnë rezolutën që do ta propozojë kjo parti.

“AAK fton grupet parlamentare në Kuvend, në qoftë se ne kemi votuar bashkërisht në shumë tema, ky është interes i përbashkët, s’është i asnjë partie, kjo rezolutë të miratohet me shumicën absolute të të gjithë deputetëve, në të kundërtën, ne do t’i shterim të gjitha mekanizmat duke përfshirë edhe protestimin për këtë ngritje të çmimeve. Kush i ka ndaluar të blejnë energji në kohën e verës, diçka që ka qenë paralajmërim i hershëm, pa dashtë të përfitojmë politikisht ne kemi mundësi nesër, e kemi ftuar debatin dhe do të propozojmë rezolutën shumë të thjeshtë që shpresoj që deputetët do ta votojnë”, tha Tahiri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat