​Nënshkruhet Marrëveshja për projektin e zhvillimit të punës shkencore në shkolla

Aktuale

​Nënshkruhet Marrëveshja për projektin e zhvillimit të punës shkencore në shkolla

Më: 24 janar 2022 Në ora: 13:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të 20-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Edukimit, është bërë lansimi i projektit të bashkëpunimit në mes këtij fakulteti dhe institucioneve arsimore. Projekt ky që ka të bëjë me iniciativën e punës shkencore nëpër shkolla, e që si fillim janë zgjedhur 20 shkolla, ndërkohë që pritet të përfshijë edhe shkolla të tjera.

Arritjen e kësaj marrëveshjeje po e konsideron tejet të rëndësishme dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi. Ai tha se në kuadër të kësaj iniciative shkollat do të shndërrohen në subjekte të hulumtimit.

Saqipi: Me këtë marrëveshje shkollat bëhen subjekt hulumtimi

"Sot po e fillojmë një iniciativë qe t’i japim një strukturë dhe një institucionalizim punës shkencore që do të mund ta realizojmë bashkërisht. Në këtë 20-vjetor dhe në këtë ditë duam ta bëjmë një ndryshim të kahjes duke i shndërruar shkollat në subjekte të hulumtimit, në partnere të hulumtimit sepse mendojmë që është koha që duhet të sillemi edhe ne në mënyrë të barabartë me atë që e shohim se po ndodhë nëpër vendet e ndryshme të botës më të zhvilluar. E dini, këto ditë ministria ka dhënë lajmin për të drejtat e Kosovës, për fondet e shkencës, për të marrë pjesë në Bashkimin Evropian, nuk ka se çfarë të presim, të fillojmë edhe ne institucionet t’i shfrytëzojmë këto mundësi, ndërsa hulumtimet më të mira në fushën e edukimit janë ato që janë të lidhura me praktikën, dhe hulumtimet më të mira do të jenë ato që do të mund t’i kemi partnerë drejtorët por jo vetëm drejtorët por edhe të gjithë mësimdhënësit të cilët do t’i identifikoni në këto bashkëpunime”, deklaroi ai.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Dukagjin Pupovci, tha se kjo nismë thekson tri aspekte të rëndësishme për të jetësuar qasjen e krijimit të bashkëpunimit të institucioneve arsimore.

Popovci: Nisma thekson tri aspekte të rëndësishme

"Kjo ngjarje organizohet në ditën ndërkombëtare të arsimit qe po e presim në kushte pandemie, mirëpo megjithatë dita ndërkombëtare e arsimit gjithnjë e ka një temë ndërsa tema e këtij viti është ‘Ndërrimi i drejtimit të transformimit i arsimit’, ashtu e ka deklaruar UNESCO. Në koncept-dokumentin që e ka deklaruar UNESCO vihet në dukje se qëllimi është të krijohet një bashkëpunim i qëndrueshëm në mes të gjitha subjekteve në shoqëri në dobi të arsimit dhe në dobi të ndërsjellët dhe ne sot jemi në një hap të tillë ku po krijohet një bashkëpunim i tillë. Nisma thekson tri aspekte të rëndësishme për të jetësuar qasjen e krijimit të bashkëpunimit, është fuqizimi i mësimdhënësve, përmirësimi i financimit dhe krijimi i mundësive për të mësuar gjatë gjithë jetës. Prandaj jam plotësisht i bindur se kjo që po bëjmë sot, Fakulteti i Edukimit, është në tërësi në linjën e kësaj nisme”, tha Popovci.

Prorektori për Shkencë në Universitetin Prishtinës (UP), Kurtesh Sherifi, foli për kapacitetet e larta dhe hulumtimet e shumta që i ka bërë UP-ja, derisa theksoi se nga buxheti që kanë si universitet, 1% financohen për krijimin e këtyre hulumtimeve si dhe për përkrahjen e disa fakulteteve për projektet e tyre shkencore.

Sherifi: Universiteti i Prishtinës është njëri ndër universitetet me kapacitete më të larta shkencore dhe hulumtuese në vend

“Kërkimet shkencore në Universitetin e Prishtinës realizohen me vetiniciativa në të cilat stafi akademik është i obliguar për promovim akademik, sigurisht që ju duhen rezultatet dhe publikimet në revistat shkencore në platformat më kredibile... Ne synojmë të shfrytëzohen kapacitetet e fakulteteve sigurisht në funksion të bashkëpunimit me institucionet arsimore në vend, në këtë rast me shkollat e ndryshme që janë në interes për nxjerrjen e rezultateve, që do të jenë të dobishme për bërjen e politikave adekuate në funksion të përmirësimit të edukimit në vend. Universiteti i Prishtinës në vitin 2021 ka financuar mbi 250 publikime shkencore nga shumë njësi akademike dhe gjithashtu edhe Fakulteti i Edukimit është në një përqindje shumë të mirë të publikimeve shkencore që janë në nivel mjaftë të lartë”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me këtë projekt ka folur edhe Fjolla Kaçaniku nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në arsim në Fakultetin e Edukimit.

Marrëveshja për projektin e zhvillimit të punës shkencore në shkolla është nënshkruar nga përfaqësues të institucioneve të arsimit, dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, zëvendësministri i Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inivacionit, Dukagjin Pupovci, dhe prorektori i Universitetit të Prishtinës, Kurtesh Sherifi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat