​Specializantët protestojnë nesër para Ministrisë së Shëndetësisë

Aktuale

​Specializantët protestojnë nesër para Ministrisë së Shëndetësisë

Më: 26 janar 2022 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Një grup i specializantëve do të mbajë nesër një protestë duke filluar nga ora 10:00 para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi siç vlerësojnë, diskriminimi ndaj tyre veç është duke u thelluar edhe më shumë.

Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të Specializantëve, ka thënë se mbajtja e kësaj proteste ishte paraparë për ditën e premte, por ajo është zhvendosur për ditën e enjte.

Ndryshe, në një njoftim të këshillit të specializantëve, datë 22 janar, ata kishin marrë një njoftim jo zyrtar nga këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, se do të propozohet nga kjo ministri mbajtja e dy kujdestarive, të cilat do të paguhen si të zakonshme (50 euro) edhe nëse mbahen gjatë vikendit.

“Kujdestaritë më shumë se dy, do të paguhen përmes një ekstra kontrate nga SHSKUK-ja. Çështja e specializanteve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht 2022, për pak kohë do të fillojë punën grupi punues për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Ministri i Shëndetësisë për shkak të situatës me COVID-19 nuk ka pasur kohë të takohet me neve. Për pagesën e specializantëve nga Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria është duke u punuar. Duke u bazuar në këto 5 pika, ne vlerësojmë që diskriminimi jonë veçse është duke u thelluar edhe më shumë”, thuhet në njoftim.

Specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK) kanë protestuar edhe më herët para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kërkesa e tyre që t’u paguhen orët e kujdestarive është refuzuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat