​Krasniqi: Dialogu, e vetmja rrugë drejt një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë

Aktuale

​Krasniqi: Dialogu, e vetmja rrugë drejt një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 22:13
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se do ta mbështesin dialogun me Serbinë pasi që nuk ka alternativë tjetër për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Krasniqi tha se njohja e ndërsjellë duhet të ndodh pa prekur rendin kushtetues të Kosovës dhe duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Qëndrimi dhe qasja e Partisë Demokratike të Kosovës në raport me dialogun mbetet konstante dhe e pandryshuar, edhe kur kemi pasur përgjegjësi të qeverisjes së vendit edhe kur jemi në opozitë tash e dy vite. Ne besojmë se dialogu është mekanizmi pa alternativë për të tentuar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve tona, gjithmonë në kuadër të rendit kushtetues ekzistues, sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Besojmë që ekziston kjo platformë që do të mundësonte një gjë të tillë nëse do të kishim një proaktivitet dhe një seriozitet më të madh në qasje edhe nga ana e Qeverisë. E kemi thënë edhe më herët dhe do ta përsëris edhe sot që ne e kuptojmë që përgjegjësia kushtetuese ligjore i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë që të ndërmarr hapat në këtë drejtim për të udhëhequr dialogun dhe nëse një marrëveshje në kuadër të asaj mund të arrihej, e ne besojmë që është e mundshme PDK do ta mbështeste një gjë të tillë”, tha Krasniqi në Context.

Krasniqi gjithashtu tha se Kurti ka përparësi të madhe në krahasim me paraardhësit e tij për faktin se ka shumicën parlamentare dhe nuk ka një opozitë penguese.

“E para ai e ka një shumicë të madhe parlamentare, ka kontroll absolut në të gjitha levat e pushtetit dhe e ka një opozitë shtetëformuese që e kupton më së miri se ai që e ka kuptuar kur ka qenë në opozitë rëndësinë e veprimeve shtetërore dhe një opozitë që nuk e ka keqpërdorur dialogun dhe nuk do ta përdor për ta bërë temë politike ditore për kusuritjet tona të brendshme pasi që është një temë që nuk i takon ndasive pozitë opozitë, por është një temë që i takon Kosovës dhe perspektivës së qytetarëve tanë”, tha ndër të tjerash Memli Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat