Kuçi, pjesë e mbrojtjes së Veselit - avokati i Thaçit: Bukoshi mbrojti krerët e UÇK, Specialja ia fsheh deklaratën

Aktuale

Kuçi, pjesë e mbrojtjes së Veselit - avokati i Thaçit: Bukoshi mbrojti krerët e UÇK, Specialja ia fsheh deklaratën

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 15:37
Pamje nga seanca në Hagë

(E plotësuar 20:46) - ​​Prokuroria përfundon paraqitjen e provave në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në anën tjetër, mbrojtja është urdhëruar te dorëzojë listën e provave dhe të dëshmitarëve deri më 11 shkurt, nëse e synon paraqitjen e provave.

“Sot, më 4 shkurt, Zyra e Prokurorit të Specializuar i dha fund paraqitjes së provave të saj në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndërsa dje në konferencën e rregullt të DhSK-së, zëdhënësja Angela Griep ka thënë se më 11 shkurt mbrojtja dhe mbrojtësja e viktimave do të dorëzojnë listat e tyre përkatëse të dëshmitarëve dhe provave materiale.

“Më 17 e 18 shkurt trupi gjykues do të mbajë konferencën përgatitore për mbrojtjen dhe konferencën për ecurinë e çështjes lidhur me viktimat. Pas kësaj, trupi gjykues do të vendosë për numrin dhe modalitetet e dëshmitarëve që do të japin dëshmi si dhe për datat dhe oraret e seancave”, ka thënë Griep.

Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë te mbrojtur të prokurorisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Ndërsa në seanca të hapura, të ftuar nga ZPS, kanë dëshmuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopi, Sejdi Veseli e Fatmir Humolli.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës i cili ka filluar më 15 shtator 2021, është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

***

Gjykatësi thotë se hetimet e prokurorisë nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit

Gjykatësi i procedurës paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka thënë se hetimet e përgjithshme të prokurorisë nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit. Pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se do të vazhdojnë me hetime, gjykatësi Nicolas Guillou ka thënë se pjesa më e madhe e hetimeve të ZPS-së duhet të përfundojnë para se çështja të kalojë tek trupi gjykues.

Në konferencën e dhjetë të ecurisë së çështjes, Guillou ka thënë se mbrojtja nuk mund të përgatitet derisa çështja është në evoluim e sipër.

Guillou: Pjesa dërrmuese e hetimeve të ZPS-së duhet të përfundojë para se çështja t’i kalojë trupit gjykues

“Në parashtrimet me shkrim ZPS thotë që hetimet e ZPS-së për të realizuar mandatin e saj parashikohen të vijojnë për të ardhmen e parashikueshëm, tani dua të insistoj në faktin që baza faktike e çështjes së ZPS-së duhet të dërgohet për gjykim edhe hetimet e ZPS-së duhet që të kenë përfunduar, në pjesën dërrmuese të tyre, përpara se çështja të transmetohet të trupi gjykues. Hetimet e përgjithshme nuk duhet të vazhdojnë deri në fund të gjykimit, është e nevojshëm të kemi një çështje të depozituar që i është transmetuar siç duhet trupit gjykues. Rregulla 102(4) e konfirmon këtë objektiv, vetëm në rrethana përjashtimore mund të nxjerrën prova shtesë dhe më pas të mund të përdore në procesin e gjykimit. Mbrojtja nuk mund të pritet të përgatisë një mbrojtje për një çështje e cila është gjithmonë në evoluim e sipër”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake.

Kjo deklaratë e gjykatësit të procedurës paraprake është mirëpritur nga ekipet e mbrojtjes derisa këto të fundit nuk kanë mundur të japin një pasqyrë për hetimet e tyre.

Emmerson: Akuzat duhet të shpjegohen në detaje

“E gjithë kjo ka ndikim mbi hetimet e mbrojtjes dhe ka ndikim gjithashtu për çështjen e referimit para trupit gjykues kurdo që ndodh kjo. Ky proces ka nevojë të bëhet transmetimi i gjithë dosjes së çështjes dhe secila prej pikave të akuzës të mund të shpjegohet në detaje”, ka thënë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

E avokati i Hashim Thaçit, Gregory W. Kehoe ka thënë se mbrojtja ka nevojë të ketë më shumë informacion rreth akuzave.

Kehoe: 106 dëshmitarë të prokurorisë janë anonim

“Ka mbi 326 dëshmitarë, 106 janë anonim nuk e dimë se kush janë këta dëshmitarë dhe mund të marrim identitetin e këtyre personave në mes të hetimeve, në mes të procesit gjyqësor ose më tej, megjithatë ne nuk është se po themi nuk jemi në teren duke bërë hetimet, jemi në teren duke bërë hetimet por po mundohem të them që koha që na duhet për hetimet është shumë herë më e madhe dhe nëse do të kishim më shumë informacion sa i takon akuzave ne do të kishim mundësi të mund të kalonim shumë më tepër procedura dhe hapa të caktuar të hetimit. Por shpeshherë gjendemi në një pozicion se na duhet me marrë me mend se për çfarë po flet prokuroria, dhe ky është një proces që kërkon kohë”, ka thënë Kehoe.

Ndër të tjera, avokati Ben Emmerson ka ngritur çështjen e afateve kohore sa i përket këtij gjykimi.

Ai ka thënë se koha duhet të menaxhohet dhe prokuroria duhet të jetë në gjendje të provojë çështjen e saj dhe sipas tij ky proces nuk duhet të zvarritet.

Emmereson: Prokuroria nuk ka mundur të zotërojë siç duhet çështjen e saj

“Nuk mohohet që prokuroria nuk ka mundur ta zotërojë siç duhet çështjen e saj, një pjesë e kësaj pasoje është se nuk ka prova të drejtpërdrejta për krimet që pretendohet se janë kryer nga asnjëri prej të akuzuarve, gjithçka është mbështetur në ngjarje ku asnjeri prej të akuzuarve nuk janë përfshirë dhe kjo e bënë çështjen edhe më të vështirë për prokurorinë për të ecur përpara prandaj tendenca është që të futin gjithçka si të thuash i fusin në lavaman të gjithë bashkë. Rezultati i këtij procesi është prokuroria ka dhënë vlerësimet e saj për kohën që i kërokohet për dëshmitarët që ajo do të thërras por këto vlerësime kërkojnë më shumë se 1300 orë vetëm për pyetjet e drejtpërdrejta të prokurorisë. Në rastin e Milosheviqit prokuroria përdori gjithsej 360 orë për të paraqitur provat e çështjes së saj që përfshinte edhe pyetjet e bëra nga mbrojtja. Në rastin tonë prokuroria kërkon 1300 orë vetëm për pyetjet e bëra prej palës thirrëse. Në rastin e Milosheviqit u përdoren 360 orë për pyetjet e drejtpërdrejta dhe e tërë çështja zgjati 2 vite”, ka thënë avokati i Kadri Veselit.

Ai ka thënë se po u lejua të zhvillohet procesi sipas shifrave të parashikuara nga prokuroria, i njëjti do të zgjaste me vite.

Emmereson: Prokuroria duhet të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj

“Prokuroria duhet të jetë në gjendje të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj, sepse po u lejua me këto shifra që kanë kërkuar do të vazhdojë të paktën dhjetë vite, kjo gjë nuk mund të jetë në interesat e drejtësisë, ajo minon të drejtën ndërkombëtare penale, minon gjithçka të mirë që kjo gjykatë po përpiqet të bëjë, mohon drejtësinë për të akuzuarit dhe drejtësinë për viktimat dhe drejtësinë për dëshmitarët. Është një fatkeqësi e madhe dhe e bënë gjykatën qesharake”, ka thënë Emmerson.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, ZPS ka deklaruar se ka përfunduar nxjerrjen e materialeve ekzistuese të rregullës 102(b) përfshirë përkthimet.

Ndërsa avokati i Thaçit ka thënë se pas konferencës së fundit mbi ecurinë e çështjes, mbrojtja ka pranuar 1954 materiale shtesë sipas rregullës 102(b) dhe vetëm me datë 31 janar 2022 janë pranuar 1613 prej tyre.

Ai ka kritikuar prokurorinë se po dorëzon dokumente vetëm përpara datës kur zhvillohet konferenca mbi ecurinë e çështjes.

Në këtë konferencë mbrojtja gjithashtu ka deklaruar se prokuroria ka redaktuar prova materiale në mënyrë të njëanshme.

Kehoe: Pjesa më e madhe e dokumenteve të prokurorisë janë të redaktuara

“Si është e mundur që ne të bëjmë një kërkesë në mbrojtje të klientit tim për shembull mbështetur në këtë informacion sepse pjesa më e madhe e informacionit është e redaktuar, kështu unë nuk kam asnjë lloj informacioni mbështetës me të cilin mund të bëjë kërkesën sepse nuk di asgjë, di vetëm se bëhet fjalë për qershorin 1998, por sa i takon provave materiale kam vetëm këto fletë të zeza. Ka gjithashtu edhe 106 dëshmitarë anonim, ndoshta një pikë tjetër do ta diskutojmë, mund të jenë dëshmitarë të cilët neve na bëjnë të ditur disa ditë përpara se të bëhet gjykimi 30 ditë përpara këtij informacioni por ideja është që në momentin kur neve të konstatojmë kush janë këta njerëz sigurisht që do të kërkojmë informacion mbështetur në 103, kemi gjithë atë hendek të madh lidhur me ato dokumente që duhet të kemi në posedim dhe çfarë kemi në duar”, ka thënë avokati Kehoe.

Në konferencën e dhjetë mbi ecurinë e çështjes është diskutuar për nxjerrjen e materialeve, përkthimet dhe hetimet nga ana e palëve.

Konferenca e radhës pritet të mbahet më 24 mars 2022.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020.

***

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca e dhjetë mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët, gjatë së cilës mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory W.Kehoe ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ka treguar gjykatës dhe mbrojtjes dokumente që mund të ishin shfajësuese. Ai ka përmendur një deklaratë të ish-shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë Dan Everts i cili citohet t’i ketë thënë ZPS-së se nuk sheh ndonjë arsye që Thaçi do të donte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të kryente krime.

Avokati i ish-presidentit Thaçi ka drejtuar kritika në drejtim të prokurorisë meqë sipas tij e njëjta nuk po përdorë materialet shfajësuese.

Kehoe: Prokuroria nuk po përdor materialet shfajësuese

“A ju kanë informuar ndonjëherë Zyra e Prokurorisë gjatë seancës së konfirmimit, gjatë seancës apo parashtrimeve lidhur me mocionin e mbrojtjes për lirimin paragjyqësor, a ju kanë informuar ndonjëherë i nderuar gjykatës se diplomatët e lartë të OSBE-së e kanë këshilluar Prokurorinë, para katër vitesh, katër vite më parë, se veprimtaritë kriminale që akuzohen në këtë çështje pas qershorit të ’99-ës janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale dhe jo pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare. Individi, i cili ka dhënë një informacion të tillë ka qenë ambasador Dan Everts”, ka thënë avokati Kehoe.

Ai tutje ka cituar deklaratën e ish-ambasadorit të OSBE-së, e të cilën ka thënë se e kanë siguruar disa ditë më parë pas një trysnie që Everts i ka bërë ZPS lidhur me marrjen e këtij dokumenti.

Dan Everts ka shërbyer në Kosovë në vitet 1999-2001.

Kehoe citon Everts: Nuk shikoj ndonjë arsye që Thaçi do të donte që UÇK të kryente krime

“’Unë nuk shikoj ndonjë arsye a motiv pse Thaçi do të donte që UÇK-ja të kryente dhunë etnike sepse kjo do të dëmtonte reputacionin e tij ndërkombëtar, për mendimin tim nuk kishte lidhje midis krimeve dhe udhëheqjes qendrore të Kosovës, të shqiptarëve të Kosovës’. Ndërsa ne po diskutonim provat, asgjë nga këto nuk u është dhënë juve i nderuar gjykatës, asgjë fare, dhe këtë informacion ata e kanë pasur në dorë prej katër vitesh, dhe këta zotërinjtë që rrinë në burg nga nëntori i 2020-ës e kishin këtë informacion dhe e bënë të njohur që nga 1 shkurti”, ka thënë avokati i Thaçit.

Ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka thënë se nga pikëpamja procedurale ky është material i rregullës 103 dhe do të duhej të bëhej i njohur më parë.

Guillou: Materiali do të duhej të ishte bërë i njohur më parë

“E kuptoj, për ne ka rëndësi kjo që dua të them, nga pikëpamja procedurale që është material i rregullës 103 dhe duhet të ishte bërë i njohur që më parë”, ka thënë gjykatësi.

Por sipas mbrojtjes së Thaçit, katër të akuzuarit duhet të lirohen nga paraburgimi.

Kehoe: Thaçi dhe të tjerët duhet të lirohen nga paraburgimi

“Duhej jo vetëm të bëhej e njohur kjo gjë për ju përpara, por këta burra duhet të lirohen, si pasojë e mosdijes, këta burra duhet të lirohen bazuar në një dokument që ata e lanë aty e mbajtën për katër vite. Kjo na çon përsëri të rregulli 62, ky duhet të jetë një tribunal që kërkon të vërtetën, dhe prokurori i specializuar duhet të përpiqet të tregoj të vërtetën, ju nuk e keni pasur kurrë këtë dokument dhe as ne nuk e kishim përpara të martës”, ka thënë Kehoe.

Madje, sipas avokatit Kehoe, ka edhe qindra ushtarë të UÇK-së që janë thirrur për të dhënë deklarata nga ZPS dhe të njëjtat nuk janë bërë të ditura.

Kehoe: Qindra ushtarë të UÇK-së janë thirrur për të dhënë deklarata që nuk janë bërë të ditura

“Ka disa individë që ata nuk i kanë bërë të njohur, në paragrafin 13 të aktakuzës ish kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi, zotëri Bukoshi ka folur me ZPS-në, intervista ka përfunduar me një deklaratë të vënë në diskutim nga prokurori ‘ju duhet të jeni shok me Hashim Thaçin apo jo’, ne nuk e kemi marrë kurrë këtë dokument, asnjë njoftim nëse e ka nënshkruar apo jo. Qindra ushtarë të UÇK-së janë thirrur për të dhënë deklarata, ku janë këto deklarata, çfarë thonë ata”, ka thënë Kehoe.

Mbrojtja e Thaçit, mbështetur edhe nga avokatët e tjerë, ka thënë se nuk janë në dijeni edhe sa materiale të tjera të tilla nuk janë nxjerrë nga Prokuroria.

Kehoe: Katër persona rrinë në burg ndërsa ZPS fshihet pas refuzimit që të flas në publik për këtë

“Ndërsa këta katër zotërinj rrinë në njësinë e paraburgimit, kurse ata fshihen pas refuzimit që të flasin në publik për atë që thonë lidhur me Policinë e Kosovës dhe me lirimin e parakohshëm dhe nuk japin materiale shfajësuese, kjo gjë duhet të ndalojë, me gjithë respektin që kam kjo gjë duhet të ndalojë”, ka thënë avokati Kehoe.

Ai ka thënë se ZPS-së nuk i besohet dhe se duhet të ketë një autoritet të paanshëm për të kryer punët.

E avokati i Kadri Veslei, Ben Emmerson ka kërkuar që prokuroria të sqarojë rrethanat në të cilat nuk e ka bërë të ditur dokumentin e ish-ambasadorit Everts.

Ai gjithashtu ka kërkuar që prokuroria të tregojë edhe sa materiale të tjera shfajësuese i posedon.

Emmerson: Gjykatësi t’i kërkojë prokurorisë shpjegim për mos nxjerrjen e dokumentit me deklaratën e ish-ambasadorit Everts

“Do t’u kërkoja që t’i kërkoni prokurorisë të na i të shpjegojë rrethanat në të cilat ku dokument është mbajtur pa u nxjerrë për një kohë kaq të gjatë”, ka thënë Emmerson.

Ndërsa për këtë ka folur prokurorja Claire Lawson.

Lawson: Mbrojtja është më pak e interesuar në marrjen e materialeve shfajësuese

“Mbrojtja mund të vendosë ose jo që t’i përdorë këto në kuadër të vet procesit gjyqësor dhe këto më pastaj mund të peshohen si prova të procesi gjyqësor duke u parë edhe në kuadër të provave që ka paraqitur prokuroria. Zotëri Kehoe përmendi edhe një intervistë të dytë në veçanti nga përgjigjet që kemi marrë duket se mbrojtja është më pak e interesuar në marrjen e këtyre materieve por ka më shumë interesim të bëjë parashtrime për to. Ne vijomë të bëjmë shqyrtimin në fjalë për nxjerrjen e materialeve të mundshme shfajësuese”, ka thënë prokuroja.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020.

***

Vazhdojnë të dalin fakte nga Gjykata Speciale, gjatë seancës së sotme.

Prokuroria e kësaj gjykate ka fshehur edhe një deklaratë të ish-kryeministrit të Kosovës në egzil, Bujar Bukoshi, duke refuzuar që t’ia dorëzojë mbrojtjes.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, Pierre Prosper ka thënë se fshehja e deklaratave shfajësuese e shkatërron legjitimitetin e Zyrës së Prokurorit.

“Është një çështje që ka implikime të rënda, më të gjëra sesa Gjykata dhe Procedurat. Kjo (fshehja e deklaratave shfajësuese) shkatërrojnë dhe tundin sistemin e drejtësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Prosper.

Avokati Proper ka thënë se ai ishte pjesëmarrës apo monitorues i krijimit të shumë Gjykatave dhe Triubunaleve Ndërkombëtare, por diçka të tillë nuk ka parë asnjëherë.

Avokati tjetër i Thaçit ka përmendur edhe një deklaratë të ish-kryeministrit të Kosovës në egzil, Bujar Bukoshit. Sipas mbrojtjes kjo deklaratë shfajësuese edhe më tutje po mbahet e fshehtë.

***

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre Prosper, ka thënë se fshehja e deklaratave shfajësuese e shkatërron legjitimitetin e Zyrës së Prokurorit.

Prosper ka thënë se ai ishte pjesëmarrës apo monitorues i krijimit të shumë gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, por diçka të tillë nuk ka parë asnjëherë.

“Është një çështje që ka implikime të rënda, më të gjëra sesa Gjykata dhe Procedurat. Kjo (fshehja e deklaratave shfajësuese) shkatërrojnë dhe tundin sistemin e drejtësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Prosper.

Ai ka thënë se tribunalet mbështeten mbi besim, duke shërbyer si modele për sistemet e brendshme në botë.

“Prokuroria e ka tradhtuar këtë besim. Prokuroria e ka tradhtuar detyrën e vet për të provuar të vërtetën. Ata kanë humbur funksonin më kritik. Ndjekja e drejtësisë”.

“Në vend që të vendosin fakte që të çojnë në rezultate, ata vendosin që t‘i shtrembërojnë faktet për qëllimet e tyre. Është shkelje të drejtave të njeriut“, ka shtuar Prosper, i cili rrallë herë flet në seanca statusore.

Mbrojtja e katërshes në Hagë ankohet për redaktim të pjesës më të madhe të materialeve nga prokuroria

Avokati i Hashim Thaçit në Hagë, Gregory Kehoe, ka thënë se materialet që ia ka dorëzuar nga prokuroria janë të redaktuara pjesa më e madhe e tyre.

Në konferencën e sotme të ecurisë së çështjes, ai shfaqi provat para gjykatësit se ishin fotografi të zeza.

“Dëgjova prokurorinë sot se na janë nxjerrë në dispozicion informacionet neve dhe unë do të doja që t’i tregoja njëra pas tjetrës dhe t’ju shpjegoj situatën. Kjo është nxjerrja e parë që ka të bëjë me rregullën 102-3. Për nxjerrjen tjetër janë vetëm dy faqe. Do të thotë këto dokumente janë të gjitha të zeza. Kur ne bëjmë kërkesa në lidhje me këtë, fatkeqësisht këtë marrim prapa nga prokuroria. Pra, kur prokurorja foli për nxjerrjen e materialeve sot, është kjo që na kanë dhënë. Ende s’janë përgjigjur nga prokuroria. Dokumentacionet që do të jepen e që janë pjesë e aktakuzës”.

Kehoe ka lexuar edhe një pjesë të dokumentacionit në lidhje me të akuzuarin, Kadri Veseli.

“Ata akuzojnë klientin tim Veseli për sjellje të papërshtatshme në lidhje me aktivitetet që kanë ndodhur në qershor të vitit 1998, ndërkohë që pjesa tjetër e informacionit është e gjitha e redaktuar. Si është e mundur?”.

Ai tha se ky është vetëm një prej shembujve të shumtë derisa tha se edhe për dëshmitarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.

Në seancën e sotme ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadir Veselit dhe Rexhep Selimit po diskutohet lidhur me nxjerrjen e provave, përkthimet e shkresave, hetimet e prokurorisë e ato të mbrojtjes.

“Sa i takon provave materiale s’kam asgjë në dorë. Kemi këtë hendek të madh për ato dokumente që duhet të kemi në posedim”.

Po ashtu, mbrojtja tha se prokuroria s’po respekton afatin kohor që po vendos gjykata për dërgimin e dokumenteve.

***

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë.

Kjo u konfirmua nga avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Kuçi është parë brenda sallës ku po mbahet konferenca për ecurinë e çështjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

 Katërshja akuzohet për krime lufte.

Image

Hajredin Kuqi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat