​Kurti pas miratimit të masave të reja: Kosova po arrin të kalojë valën e variantit Omicron

Aktuale

​Kurti pas miratimit të masave të reja: Kosova po arrin të kalojë valën e variantit Omicron

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 18:43
Albin Kurti

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja anti-COVID. Me masat e reja, ora policore do të fillojë nga ora 24:00 deri në ora 05:00, ndërkaq gastronomia do të punojë deri në orën 23:00. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë njoftuar se vendosja e maskës do të jetë e obligueshme vetëm në ambientet e mbyllura. Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e nesërme.

Kreu i ekzekutivit tha se masat kanë pasur efekt edhe në imunizimin e qytetarëve, ku gjatë dy javëve të fundit janë administruar mbi 40 mijë doza të vaksinës.

Kurti: Kosova po arrin të kalojë valën e variantit Omicron

“Kosova po arrin të kalojë valën e variantit ‘Omicron’, dukshëm më lehtë se disa vende të tjera të rajonit e të botës. Trendi i rasteve të reja po bie për të gjashtën ditë me radhë, aktualisht është 31 përqind më i ulët se sa piku. Spitalizimet janë në nivelin 16,6 për qind të pikut të valës së variantit delta dhe janë gati pesë herë më të ulëta se sa në të njëjtën fazë të asaj vale. Nga periudha 17 deri më 30 janar, sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse për 1 milion banor, rastet e vdekjes kanë qenë kësisoj: Kosova pesë vdekje, Shqipëria 23 vdekje, Maqedonia e Veriut 89 vdekje, Serbia 52 vdekje, Mali i Zi 132 vdekje dhe Bosnjë Hercegovina 146 vdekje”, ka thënë ai.

E, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se kanë vendosur disa lehtësime, pa harruar ruajtjen e shëndetit. Ai ka njoftuar se është marrë vendim lidhur me orën policore, orarin e punës së gastronomisë, bartjen e maskës dhe për posedimin e dy dozave të vaksinës për hyrje-daljet në Kosovë.

Latifi: Hiqet obligimi i bartjes së maskës në hapësirat e hapura

“Hyrja në Kosovë u lejohet personave që posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy vaksina apo me një nëse është nga Johnson&Johnos, vetëm me një dozë nëse ka edhe test PCR, ose personit që ka e ka kryer virusin në tre muajt e fundit ose është testuar negativisht në 48-orët e fundit. Hiqet obligimi i bartjes së maskës në hapësirat e hapura, ndërsa mbetet në të gjitha rastet në hapësirat e mbyllura. Kufizimi i qarkullimit është nga ora 00:00-05:00. Ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23:00”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se në hapësirat garuese, lejohen shikuesit vetëm deri në 10 përqind, ndërsa në ato të jashtme deri në 30 përqind. Me vendimin e ri, lejohet aktiviteti i bibliotekave, kinemave dhe teatrove deri në 50 përqind të kapacitetit. Po ashtu, janë hapur edhe fitneset dhe palestrat.

Latifi ka mohuar se kanë pasur presion nga vendet fqinje për lehtësim të këtyre masave. Sipas tij, Qeveria Kurti nuk merr vendime në bazë të presionit por për të mirën e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat