Tomë Gashi dënohet me gjobë për rastin e shkelmimit të lypsarit

Aktuale

Tomë Gashi dënohet me gjobë për rastin e shkelmimit të lypsarit

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 17:56
Tomë Gashi

Oda e Avokatëve të Kosovës e ka vërtetuar dënimin me gjobë në vlerë 2 mijë e 500 euro ndaj avokatit Tomë Gashi lidhur me rastin e shkelmimit të lypsarit dhe kartonit ku ai mbante paratë e grumbulluara.

Sipas vendimit të OAK-ut, Gashi ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë dhe ka cenuar autoritetin e avokatisë.

“Kolegji Disiplinor me Vendimin nr.3-17/2021 datës 24.11.2021 ka shpallur përgjegjës të paraqiturin Avokat T. G. me seli në P., sepse me datën 14/02/2020 në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, ka ndërmarr veprime jo etike kur ka shkelmuar lypsarin, si dhe kartonin me të hollat e tij, me çka ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 të statutit të OAK-së, lidhur me nenin 8 të KEPA-s, sepse me veprimin e bërë ka cenuar autoritetin e avokatisë”, thuhet në vendimin e OAK-ut.

Ky vendim i Odës së Avokatëve ka ardhur pasi Kolegji Disiplinor ka shqiptuar gjobën prej 2.500 ndaj avokatit. Gashi është ankuar lidhur me shqiptimin e kësaj gjobe, por OAK vendosi se ankesa e Gashit është e pabazuar.

“Kolegji Disiplinor në pajtim me nenin 51 paragraf 1, nënparagraf 1.2 të Ligjit për Avokatinë, nenin 123 paragraf 3 të Statutit të OAK-së të paraqiturit, Avokatit T. G. i ka shqiptuar masën disiplinore Gjobë në shumë prej 2,500 €, si dhe në emër të paushallit disiplinor shumën prej 50 €, me paralajmërimin se gjoba dhe paushalli duhet të paguhet në buxhetin e OAK-së, në afat prej 15 dite nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm. Kundër këtij vendimi, në afatin ligjor ka ushtruar ankesë i paraqituri Avokati T. G.. Prokurori Disiplinor ka ushtruar përgjigje në ankesë, duke propozuar që ankesa e ushtruar nga i paraqituri të refuzohet, ndërsa vendimi i Kolegjeit Disiplinor të vërtetohet”, thuhet më tutje në vendimin e OAK.

Kështu ndaj Tomë Gashit është vërtetuar dënimi me gjobë prej 2.500 euro dhe si dhe në emër të paushallit disiplinor shumën prej 50 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat