Biznesmeni që e la Nismën për kabinetin e Ramës: Jam pa ‘bexh partiak’

Aktuale

Biznesmeni që e la Nismën për kabinetin e Ramës: Jam pa ‘bexh partiak’

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 14:23
Bekim Brestovci

Bekim Brestovci, ish-udhëheqësi i Degës së Nismës Socialdemokrate në Prishtinë, ka mohuar të ketë ndërlidhje mes angazhimit të tij politik në partinë e Fatmir Limajt, me pozitën e këshilltarit të Përparim Ramës.

Biznesmeni me veprimtari afariste në diasporë, dha dorëheqje nga funksionet në Nismën Socialdemokrate më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Të hënën u emërua këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ai, do ta këshillojë për investime kapitale kryetarin Rama.

I pyetur nëse angazhimi i tij në zgjedhje si pjesë e Nismës dhe një koalicion i mundshëm mes “socialdemokratëve” të Fatmir Limajt me LDK-në në Prishtinë ka ndikuar në emërimin e tij në postin e këshilltarit, Brestovci i ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Jo, nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjes, pasi unë ka tre javë së paku që kam dhënë dorëheqje prej pozitave të mija që kam pasur në Nismë edhe prej partisë pra nuk jam më pjesë e Nismës. Mirëpo unë në postin tim si këshilltar i kryetarit Rama jam tash pa bexh partiak”, ka thënë Brestovci.

Komunës së Prishtinës, të udhëhequr nga Përparim Rama, do t’i shtohen edhe katër drejtori, sipas një paralajmërimi të shefit të ri të kryeqytetit.

Ditën kur u bënë të ditur emrat e drejtorëve nga PDK-ja, e cila bashkëqeveris në kryeqytet, Rama tha se Komunës së Prishtinës do t’i shtohet edhe: Drejtoria për Rini, Drejtria për “Qytetin e Mençur”, Drejtoria për Biznes dhe Bashkëpunim me Diasporë si dhe Drejtoria për Qentë Endacakë.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në vitin 2019, Brestovci figuron të ketë pasuri milionëshe. Ai është aksionar në disa kompani private në Gjermani, bazuar në deklarimin e vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat