Kurti e Osmani takojnë në Mynih kryeministrin e Greqisë, ia kërkojnë njohjen e Kosovës

Aktuale

Kurti e Osmani takojnë në Mynih kryeministrin e Greqisë, ia kërkojnë njohjen e Kosovës

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 08:35
Pamje nga takimi i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me Kyriakos Mitsotakis

(E plotësuar 18:25) - ​Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga shefja e shtetit, Vjosa Osmani dhe zëvendësja e tij Donika Gërvalla, kanë takuar kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Ky takim vjen pak ditë pasi Mitsotakis është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin në Beograd.

Dy krerët e shtetit Osmani e Kurti ia kanë kërkuar kryeministrit grek njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Greqia është një faktor i rëndësishëm për rajonin tonë, NATO-n dhe BE-në. Bashkë me presidenten Vjosa Osmani, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla u takova me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Ne ndajmë vlera, qëllime dhe interesa ekonomike të përbashkëta dhe rikonfirmova nevojën për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Kurti-komisionerit Hahn: Mosliberalizimi është e drejtë e mohuar

Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn.

Ringjallja ekonomike, sistemi dual i arsimit, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe liberalizimi i vizave ishin pikat qendrore të diskutimit përgjatë takimit.

Kryeministri Kurti tha se Kosova ka shënuar përmirësim të madh të indikatorëve ekonomikë gjatë vitit të kaluar.

“Ekonomia e vendit i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë”, tha kryeministri. Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti ka thënë se të hyrat vjetore janë rritur, qarkullimi vjetor i bizneseve është rritur, gjithashtu eksportet dhe investimet e huaja.

“Një nga dy prioritetet kryesore të qeverisë është punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Përveç investimeve të huaja, ulja e papunësisë te të rinjtë duhet të trajtohet edhe nëpërmjet reformave në sistemin e arsimit. Prandaj, edhe synim e tashmë edhe veprim i yni është zhvillimi i një sistemi dual të edukimit që do të mundësonte lidhje ndërmjet tregut të punës dhe sistemit arsimor”, tha kryeministri Kurti.

Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, përkatësisht Tregut të Përbashkët Rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe se Tregun e Përbashkët Rajonal e sheh si platformën e duhur dhe të vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive të Bashkimit Evropian.

Ai tha po ashtu se bashkëpunimi rajonal si premisë duhet gjithmonë të ketë trajtimin e barabartë dhe reciprok në mes të gjitha palëve të përfshira.

Sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti përsëriti faktin, që edhe është evidentuar tashmë në raportin e Komisionit Evropian, se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.

“Mos liberalizimi tanimë është e drejtë e mohuar. Përmirësimet në indikatorët ekonomikë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe politikat reformiste në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike e bëjnë Kosovën më meritore për mbështetje edhe më të madhe financiare nga Bashkimi Evropian, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndërkaq, komisioneri Hahn tha se Bashkimi Evropian, përveç tjerash do të përkrahë teknikisht dhe financiarisht në projektet për arsim dhe aftësim profesional.

​Kurti takohet Kovaçevskin, muajin tjetër bëhet vlerësimi i marrëveshjeve Kosovë-Maqedoni

Ndër takimet e para bilaterale në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e zhvilloi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri Kurti e uroi homologun Kovaçevski për detyrën e re dhe i dëshiroi udhëheqje të suksesshme të qeverisë, duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë.

Image
Albin Kurti dhe Dimitar Kovaçevski

Në këtë takim të parë bilateral, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Kovaçevski për të arriturat e vitit të parë të qeverisjes së tij.

Në vitin 2021, Kosova ka shënuar rritje dyshifrore ekonomike, eksportet dhe investimet e huaja janë rritur për 2/3-tat, kurse të hyrat buxhetore dhe qarkullimi vjetor i bizneseve për 1/3-tat. Si rezultat i luftës së vazhdueshme të krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit. Në të njëjtën kohë, nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Në shtatorin e vitit të kaluar është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbledhje ishte konfirmim i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të mirë në mes dy vendeve. Gjatë takimit të sotëm u diskutua mbi statusin dhe progresin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët. Muajin tjetër bëhen gjashtë muaj nga mbledhja e përbashkët, dhe me këtë rast pritet të bëhen vlerësimet e para të progresit dhe zbatimit të marrëveshjes nga dy zyrat respektive”, theksoi kryeministri Kurti.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, përpos bashkëpunimit bilateral, në takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal.

Kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet bashkëpunimin dhe integrimin rajonal mbi bazën e trajtimit të barabartë.

“Në këtë drejtim, Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe konsideron se Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të tij është platforma e duhur dhe e vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive në mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Sa i përket sigurisë rajonale, kryeministri Kurti tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e NATO-s.

“Përfshirja e Kosovës nën ombrellën e aleancës atlantike, për të cilin mision e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut si aleat dhe partner të afërt, i kontribuon sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri Kovaçevski tha se ky është takimi i parë me fqinjin e parë në kuadër të Konferencës së Mynihut, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet po aq e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në rrafshin e synimeve të përbashkëta për rajonin dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

***

Ka nisur Konferenca e Sigurisë në Mynih.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur takimet e tij në Mynih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë atje.

Kurti ka takuar Komisionerin për Buxhet, Johannes Hahn.

Kryeministri me anë të një postimi në Twitter ka thënë se ka kërkuar nga Hahn më shumë mbështetje për punësimin e të rinjve nga Kosova.

“Integrimi në BE ka të bëjë me reforma që lidhen me vlerat e BE-së. Me ekonomi të mirë. Me indikatorët për ekonomi të mirë dhe performancë në sundimin e ligjit ne duhet të marrim më shumë fonde nga BE-ja.

I kërkova Komisionerit për buxhet dhe administratë Johannes Hahn për më shumë mbështetje për arsimin dhe punësimin e të rinjve tanë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kurti udhëton në Gjermani, merr pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të udhëtojë sot për në Mynih të Gjermanisë.

Ata do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Nga zyra e kryeministrit kanë njoftuar se Kurti e Gërvalla do të qëndrojnë tri ditë në Gjerman e që do të kenë takime të ndryshme.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot udhëton për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë atje (Munich Security Conference). I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryeministri Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat