Ramush Haradinaj prezanton pikat e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, sipas AAK-së

Aktuale

Ramush Haradinaj prezanton pikat e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, sipas AAK-së

Nga: P.R Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 20:51
Ramush Haradinaj

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se partia e tij, do të paraqesë një mocion për miratim në Kuvendin e Kosovës, e në të cilën do të parashihet vendosja e kornizës së marrëveshjes finale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ndër tjerash, Haradinaj ka bërë të ditur pikat, që sipas tij do të përmbajë ky mocion.

“Duke njohur vullnetin e popullit të saj, për të pasur një Marrëveshje Përfundimtare Gjithëpërfshirëse me Njohje Reciproke në Kufijtë Ekzistues ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që siguron paqen, prosperitetin dhe marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, e cila do të jetë në përputhje me tri parimet bazë: SOVRANITETIN, INTEGRITETIN TERRITORIAL DHE KUSHTETUTSHMËRINË”, ka shkruar ndër tjerash Hardinaj, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Bashkë me kolegët deputetë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të premten më 25 shkurt 2022, kemi thirrur një debat parlamentar ku do të diskutohet rreth dialogut dhe Marrëveshjes Përfundimtare Gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Ky është mocioni që do të paraqesim për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës:

Mocion për vendosjen e kornizës së marrëveshjes finale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Republika e Kosovës

•Duke njohur vullnetin e popullit të saj, për të pasur një Marrëveshje Përfundimtare Gjithëpërfshirëse me Njohje Reciproke në Kufijtë Ekzistues ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që siguron paqen, prosperitetin dhe marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, e cila do të jetë në përputhje me tri parimet bazë: SOVRANITETIN, INTEGRITETIN TERRITORIAL DHE KUSHTETUTSHMËRINË.

•Duke njohur gjithashtu përgjegjësinë e vet për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura në interes të sigurisë dhe prosperitetit të Rajonit dhe Komunitetit Ndërkombëtar në përgjithësi;

•Duke pranuar se Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë (2001) e lidhur nga shtetet pasardhëse të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ofron një kornizë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të caktuara analoge për palët;

•Duke rikonfirmuar aspiratën e vet për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO);

•Duke pasur parasysh të drejtën legjitime të shteteve për t’u kujdesur për të drejtat e komuniteteve të tyre që jetojnë në shtetet respektive, Republikës së Kosovës i garantohet e drejta e përkujdesjes për të drejtat e komunitetit shqiptar në Republikën e Serbisë dhe të njëjtës i garantohet e drejta e përkujdesjes për të drejtat e komunitetit serb në Republikën e Kosovës.

•Duke pranuar se e drejta për vetëvendosje në situatat kur një popull i veçantë shtypet ose kur qeveria e shtetit të mëparshëm nuk përfaqëson në mënyrë legjitime interesat e atij populli, është e sanksionuar qartë në të drejtën ndërkombëtare;

•Duke njohur mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010) se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;

•Duke rikonfirmuar detyrimet që dalin nga marrëveshjet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve;

•Duke rikonfirmuar angazhimin që Kosova ka marrë, në përputhje me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian;

Republika e Kosovës angazhohet për të arritur Marrëveshjen Gjithpërfshirëse `Zgjidhja e Madhe` (Big-Fix) që do të trajtojë çështjet e mëposhtme:

1. Njohja e shtetësisë dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare,

2. Republika e Kosovës është e përkushtuar që marrëveshja duhet të arrihet në përputhje me idenë e arritjes së “Zgjidhjes së madhe” në një samit ndërkombëtar të organizuar nën kujdesin e Presidentit Biden, përfaqësuesve të BE dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

3. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me tri parimet bazë: sovranitetin, integritetin territorial dhe kushtetutshmërinë.

4. “Zgjidhja e madhe” duhet të sigurojë Marrëveshjen Përfundimtare dhe do të hapë rrugën për një dialog të vazhdueshëm ndërmjet palëve për të gjitha çështjet e hapura pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

5. Pas `Marrëveshjes` duhet të vazhdojë dialogu për çështje të tjera të hapura me garanci nga SHBA, BE (posaçërisht nga vendet e QUINT) dhe MB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat