Ish ambasadori: Sulmi ndaj Ukrainës këmbanë e fuqishme alarmi për Evropën e botën, ja pse

Aktuale

Ish ambasadori: Sulmi ndaj Ukrainës këmbanë e fuqishme alarmi për Evropën e botën, ja pse

Nga: P.R Më: 24 shkurt 2022 Në ora: 22:18
Ukrainë, 24 shkurt 2022

Ish ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka, përmes një postimi në facebook ka thënë se ka dështuar strategjia perëndimore për frenimin e fuqisë agresive ruse, pasi kjo e fundit pushtoi Ukrainën.

“Ky agresivitet nuk do të shfaqej në keto përmasa dhe me këtë intensitet, në rast se politika perëndimore për frenimin e fuqisë ruse do të ishte më konkrete, më efektive dhe më koherente. Ka, të paktën 15 vjet, më konkretisht, që nga Konferenca e Mynihut për Sigurinë, në vitin 2007, që Putini kërkon nga Perëndimi respektimin e “vijave të kuqe”, në raport me Rusinë, që në thelb, do të thotë revizionim i rezultateve që solli fundi i luftës së ftohtë në Europë”, ka shkruar Lauka, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Dështimi i strategjisë perëndimore për frenimin e fuqisë agresive ruse

Sot trupat ushtarake ruse sulmuan Ukrainën. Ky veprim është shprehje e natyrës së pandryshueshme agresive të regjimit autoritar rus, në krye të të cilit qëndron autokrati Vladimir Putin.

Ky agresivitet nuk do të shfaqej në keto përmasa dhe me këtë intensitet, në rast se politika perëndimore për frenimin e fuqisë ruse do të ishte më konkrete, më efektive dhe më koherente.

Ka, të paktën 15 vjet, më konkretisht, që nga Konferenca e Mynihut për Sigurinë, në vitin 2007, që Putini kërkon nga Perëndimi respektimin e “vijave të kuqe”, në raport me Rusinë, që në thelb, do të thotë revizionim i rezultateve që solli fundi i luftës së ftohtë në Europë.

Vetë ai, me veprime të hapura e të vazhdueshme, e ka revizionuar rendin europian, të vendosur, pas viteve `90. Në vitin 2008, Putini kundërshtoi ashpër planet e NATO-s për anëtarësimin e Ukrainës në këtë organizatë, duke deklaruar se ajo nuk është komb as shtet. Cili ishte reagimi perëndimor ndaj këtij qëndrimi? Fillimisht, Franca dhe Gjermania dhe më pas edhe vendet e tjera të NATO-s u tërhoqën para presionit të tij. Në gusht 2008, Rusia sulmoi Gjeorgjinë dhe pushtoi dy krahina të saj, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat i njohu si shtete të pavaruara dhe menjëherë vendosi aty bazat e saj ushtarake. Cili ishte ragimi perëndimor ndaj këtij agresioni? Një marrëveshje e turpshme, e nënshkruar nga presidenti francez N. Sarkozi, me homologun e tij V. Putin, në të cilën, as që bëhej fjalë për tërheqjen e trupave ruse nga territori gjeorgjian. Asnjë masë ndëshkuese ndaj Rusisë agresore dhe politikës së saj revanshiste për shtrirjen e ndikimit në hapësirën postsovjetike. Përkundrazi, në vitin 2010, në Samitin e NATO-s në Lisbonë, Rusisë i krehet bishti dhe shpallet “partnere strategjike” e kësaj aleance. Në vitin 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë, ndërhyri në Ukrainën Lindore dhe mbështeti ushtarakisht dhe financiarisht separatistët në Donjeck dhe Lugansk. Cili ishte reagimi perëndimor ndaj agresionit të radhës të Kremlinit? Një numër sanksionesh simbolike ndaj individëve dhe ndërmarrjeve që nuk ndikuan aspak në frenimin e fuqisë agresive ruse. Përkundrazi, asaj iu shtuan orekset dhe në dhjetor 2021 iu dërgoi ultimatum NATO-s dhe SHBA-së, në të cilin theksohej me forcë që revizionimi i rezultateve të fundit të luftës së ftohtë (njohja e hapësirës postsovjetike dhe asaj të Europës Lindore si sferë e ndikimit rus) të fiksohej në dokumente ndërkombëtare, juridikisht të detyrueshme. Nga ecejaket e pafund të përfaqësuesve të lartë të politikës dhe diplomacisë perëndimore në Moskë, Putini kuptoi se në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Ukrainën, as këtë radhë, nuk do të kishte reagim perëndimor të atij niveli që mund t`i shkaktonte dhimbje të vërtetë regjimit të tij. Njohja si shtete të pavarura e dy republikave të vetëshpallura në territorin ukrainas-Donjeck dhe Lugansk, i vërtetoi parashikimet e autokratit Putin. Në vend që politika e sanksioneve, më së fundi, të ishte më e ashpër dhe të drejtohej ndaj sektorëve kyçë të ekonomisë ruse, Perëndimi u kufizua me masa simbolike ndaj disa oligarkëve dhe bankave ruse, pa prekur regjimin putinist, i cili është përgjegjësi kryesor i politikës agresive të Rusisë, që po hedh në erë rendin europian e më gjerë. Shefi i politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, J. Borrel, në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme, deklaroi se, tani e tutje, oligarkët e sanksionuar nga Perëndimi nuk mund të bëjnë më shoping në Milano. Po sa i shërben kjo sigurisë së Ukrainës, paqes dhe stabilitetit në Europë?

Sulmi rus ndaj Ukrainës duhet të shërbejë si këmbanë e fuqishme alarmi për Europën dhe gjithë botën: të hiqet dorë përfundimisht nga iluzionet se një agresor si Putini mund të paqtohet me lëshime të njëpasnjëshme. Në vitet `30 të shekullit të kaluar, politika e lëshimeve e udhëheqësve perëndimorë ndaj Hitlerit e dërgoi njerëzimin në kasaphanën e luftës së përbotshme. A mos vallë me lëshimet që po i bëhen diktatorit Putin po përgatisim një Hitler të dytë dhe kasaphanën e përbotshme të radhës, e cila, në epokën bërthamore, mund të rezultojë edhe e fundit për civilizimin tonë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat