Gjeneral Qehaja: Çdo skenar përveç këtij është i mundshëm në Ukrainë, ja çka po i pret forcat ruse

Aktuale

Gjeneral Qehaja: Çdo skenar përveç këtij është i mundshëm në Ukrainë, ja çka po i pret forcat ruse

Nga: A.ZH Më: 1 mars 2022 Në ora: 16:02
Gjenerali Ramadan Qehaja

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjeneral Ramadan Qehaja, ka bërë një analizë për pushtimin e Rusisë në Ukrainë. 

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se cenimi i integritetit territorial të Ukrainës nuk u bë tani, por në vitin 2014 kur forcat ruse pa shumë mund aneksuan një pjesë të Ukrainës - Krimenë.

Sipas tij, në atë kohë, Ukraina nuk i kishte organizuar forcat e armatosura dhe kishte investuar shumë pak në ushtri. 

"Nëse e bëjmë një analizë të veprimeve taktike dhe operativo-strategjike të sulmeve ushtarake ruse si forca pushtuese në njërën anë, dhe forcave mbrojtëse ukrainase në anën tjetër, duhet nënvizuar disa gjëra:Cenimi i integritetit territorial të Ukrainës nuk u bë tani, por në vitin 2014 kur forcat ruse pa shumë mund dhe pothuajse asnjë rezistencë morën, përkatësisht e aneksuan një pjesë të Ukrainës - Krimenë. Atëbotë u konstatua se Ukraina nuk i kishte organizuar forcat e armatosura dhe kishte investuar shumë pak në ushtri. Në këtë kontekst, edhe strukturat tjera të sigurisë çaluan përfshirë edhe shërbimi i zbulimit ushtarak e civil për vetë faktin se nuk sinjalizuan këtë pushtim të territorit. Për rrjedhojë nuk u ndërmorrën masa preventive për mbrojtje, përkatësisht rezistencë", është shprehur Qehaja, përcjell Bota sot.

Ndërsa, tani sipas gjeneralit, edhe pse Rusia ka një epërsi të forcave 4:1 ndaj Ukrainës, ata nuk arritën të pushtojnë shpejtë terrritorin e Ukrainës. Kjo, siç  ka thënë eksperti i çështjeve të sigurisë, ndodhi për shkak të rezistencës së madhe ukrainase, të cilat janë të trajtuara dhe të mirë organizuara.

"Me rastin e ndërhyrjes ushtarake ruse, që filloi me 23 shkurt 22, me forca dhe armatim e mjete ushtarake të shumta, pavarësisht se sulmi ishte mjaft i furishëm dhe me një epërsi e raport të forcave 4:1 (sipas vlerësimit tim) në favor të rusëve, ata nuk arritën të bëjnë pushtimin e shpejtë të territorrit të Ukrainës ashtu siç menduan ushtarakët e lartë rusë. Shikuar ushtarakisht, mësymja e forcave ruse ishte i ngadalësuar në masë të madhe për shkak të rezistencës mjaft të madhe të forcave dhe mjeteve ushtarake ukrainase, të cilat tani më ishin mirë të organizuara dhe të trajnuara. Ukraina në dukje nuk mbrojti territorin në kufi, gjë që taktikisht ishte veprim i mirë, sepse nuk ekspozoi forcat në kufi për t'u granatuar dhe dobësuar. Ajo lejoi armikun të hyjë paksa në thellësi të territorit për të i tërhequr në luftime në terrene jo vetëm të panjohura, por edhe të papërshtatshme për ta", ka thënë më tej Ramadan Qehaja.

Ai vlerëson edhe rolin e presidentit Volodymyr Zelensky.

"Për më shumë, ukrainasit duket se arritën të ngadalësojnë depërtimin e forcave ruse fal moralit të paprecedentë të ushtarëve dhe qytetarëve të mobilizuar, duke mobilizuar në afat rekord mbrojtjen territoriale. Rol të veçantë është duke luajtur Presidenti Zellenski,  i cili, krahas fitimit të simpatisë dhe zemrës së komunitetit ndërkombëtar, ai duke qenë pjesmarrës i drejtpërdrejtë në Shtabin e Pergjithshëm të Forcave Të Armatosura Ukrainase dhe si komandant suprem aty për aty, po arrin të japë urdhëra komandantëve ushtarakë për të bërë rezistencë në kohë reale".

Si dobësi të ushtrisë ruse, Qehaja e sheh edhe mos njohjen e territorit ukrainas.

"Vlen të theksohet poashtu se mos njohja e territorrit nga ushtarakët rusë dhe hapësira shumë e madhe e territorrit ukrainas ishte një ndër dobësitë e theksuara të komandimit dhe drejtimit të komandave dhe njësiteve të forcave ruse. Njëkohësisht duket se forcat ruse nuk janë në gjendje të kenë një logjistikë më të organizuar aq më parë që kishin angazhuar shumë tanke, mjete të blinduara, etj e që ishin shpenzues të mëdhenj të karburantëve dhe pjesëve rezervë. Pa një logjistikë funksionale vështirë të arrihen caqet ushtarake sidomos në sulm."

"Kuptohet se lufta ka edhe rregullat e veta në kuptim të së drejtës ndërkombëtare luftarake e që përkundër saj komandat dhe njësitet ruse shkatuan humbje të jetëve të njerzëve-civilëve të pafajshëm dhe shkatërrime të objekteve dhe ndërtesave të banimit dhe atë pa pasur nevojë. Njëkohësisht janë duke shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe fluks enormë të refugjatëve."

Ai ka folur edhe për përkrahjen e shteteve të fuqishme ndaj Ukrainës, duke thënë se sanksionet e tyre ndaj Rusisë, kanë filluar të japin efektet e veta, përcjell Bota sot.

"Është për t'u përshëndetur përkrahja e pa precedentë për luftën mbrojtëse ukrainase nga shtetet perëndimore demokratike (SHBA, Angli, Francë, Gjermani etj.) duke gjykuar me ngulm sulmin arritën t'i vënë sanksionet ndaj Rusisë. Sanksionet po duket se kanë filluar të japin efekte të veta sado që ato si instrument marrin kohë deri sa të marrin formën dhe ndikimin e duhur."

Qehaja ka thënë se nuk dihet kur do të mbarojë lufta në Ukrainë, pasi Rusia vështirë se do të tërhiqet e turpëruar.

"Gjykimi i sulmit dhe demonstratat antiruse, duke filluar nga Moska e vende të tjera, ishte dhe mbeti çështje shumë e rëndësishme morale dhe ndikoi në depërtimin e ngadalshëm të forcave ruse. Megjithatë, tashmë jemi vetëm në fazën fillestare të një luftë,e cila nuk dihet se si dhe kur do të mbarojë. Rusia vështirë se do të tërhiqet e turpëruar, prandaj çdo skenar përveç tërheqjes ruse në këtë moment është i mundshëm. Forcat ushtarake ruse edhe mund të depërtojnë edhe më tej në thellësi të territorrit ukrainas, por mbajtjen e territorrit të pushtuar nga ana e tyre vështirë se do ta menaxhojnë. Kjo aq më parë që, sipas doktrinës klasike ushtarake, territorri mund të konsiderohet i okupuar atëherë kur ushtari (këmbësori) shkel në atë territorr dhe atë e mbanë. Përndryshe depërtimi eventual dhe më i thellë i forcave ruse me forca e mjete të bilnduara e të motomekanizuara është vetëm një anë e medaljes përderisa rezistenca popullore ukrainase do të jetë më prezente se sa pothuajse kudo, krahasuar me zonat tjera të konfliktit në së paku tre dekadat e fundit", ka shkruar gjenerali Ramadan Qehaja në Facebook./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat