​Osmani: Rusia e Serbia po synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor

Aktuale

​Osmani: Rusia e Serbia po synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor

Më: 1 mars 2022 Në ora: 20:49
Recep Tayyip Erdogan dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar sot se bota demokratike duhet me vendosmëri t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

Osmani gjatë një takimi në Ankara me homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan tha se Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Erdogan se Turqia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Presidenti turk ndërkaq ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.

Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj.

Po ashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme, thuhet në komunikatën për media të Presidencës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat