Çollaku: Kosova ta shfrytëzojë mundësinë për aplikim në KE

Aktuale

Çollaku: Kosova ta shfrytëzojë mundësinë për aplikim në KE

Më: 3 mars 2022 Në ora: 19:36
Bekim Çollaku

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, pas sulmeve ndaj Ukrainës, dhe të aplikojë për të qenë pjesë e këtij institucioni evropian.

Megjithatë, ai thotë se kjo duhet të bëhet duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurohet se Kosova të mos dështojë, sepse vetëm suspendimi i Rusisë nuk mjafton.

“Mendoj që rezoluta e sotme e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një shtytje e re për institucionet shtetërore, respektivisht Qeverinë e Kosovës, duke “përfituar” nga situata e jashtëzakonshme e krijuar si pasojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës ta shfrytëzojmë këtë momentum për të bërë aplikimin formal gjithmonë me kujdesin më të madh dhe në koordinim me shtetet më të fuqishme, sepse nëse nuk ka koordinim suspendimi i Rusisë nuk mund të jetë i mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Patjetër që është momentum i cili duhet shfrytëzuar, por në mënyrë të koordinuar dhe të qetë, por është moment i volitshëm që të bëhet aplikimi formal dhe pastaj të lobohet te shtetet kryesore që edhe anëtarësimi të ndodhë”.

“Kosova e meriton që të jetë anëtar i Këshillit të Evropës, sepse prania e Kosovës në këtë organizatë do të tregonte përveç që Këshilli i Evropës përkrah Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përkrah zhvillimin demokratik të Kosovës dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës, do t’i sillte edhe përfitime të ndryshme Kosovës dhe mbi të gjitha, që për mua është më e rëndësishmja, do të ishte qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut sepse do të ishte mundësi që për të gjitha padrejtësitë e bëra ndaj qytetarëve të Kosovës të ketë instancë më të lartë evropiane ku mund t’i adresojnë problemet e tyre. Qeveria do të duhej të ishte në krye të detyrës dhe t’i harmonizojnë veprimet e fundit dhe ta bëjnë aplikimin formal duke u koordinuar edhe me partnerët ndërkombëtarë që të mos ketë dështim, sepse dështimi eventual do të ishte një goditje që do të na kthehej bumerang”, deklaroi ai në “Info Magazine”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat