PDK-ja kundër fondit për mbrojtje në luftë / A nuk është ky vazhdim i puçit të “komandantëve” ndaj shtetit?!

Aktuale

PDK-ja kundër fondit për mbrojtje në luftë / A nuk është ky vazhdim i puçit të “komandantëve” ndaj shtetit?!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 3 mars 2022 Në ora: 20:22
A po e dirigjon PDK-në Hashim Thaçi nga Haga?

Sa herë që Kosova gjendet në situata delikate gjenden njerëz, dhe madje organizime partish, që me retorikë mbulojnë aktet kundër shtetit!

Nuk mjaftojnë fjalët, as ato të bukura, as ato në dukje logjike në kohë jo normale. E gjithë Evropa po kalon momente jo normale, nga kjo krizë e shkaktuar si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës së ukrainasve, që po mbështet nga më shumë se 30 shtete. Frika se një konflikt mund të shpërthejë në Ballkanin Perëndimor është shprehur nga zyrtarë të lartë europian dhe nga ekspertë të ndryshëm.

Në kohën kur thuaja çdo shtet europian po i kalon procedurat e zakonshme dhe po përpiqet të gjejë një zgjidhje, për të ndihmuar në kthimin e stabilitetit, dhënien fund luftës Rusi-Ukrainë, kur paqja europiane dhe ajo botërore është seriozisht e rrezikuar, PDK-ja, del dhe trumbeton se është në mbrojtje të rendit dhe ligjit.

Cilin rend dhe ligj do ta mbrojë ajo, nëse ndodhemi në prag të ndonjë lufte, dhe më pas nuk e kontrollojmë dot, për shkak të pafuqisë apo mosveprimit tonë?

Qeveria e Kosovës të mërkurën nxori vendim për themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin mund të kontribuojnë apo shpresohet ta bëjnë këtë së pari diaspora, e cila ka një pasuri shumëherë më të madhe se sa qytetarët brenda Kosovës, pastaj bizneset të cilat janë zhvilluar shumë, dhe pastaj të gjithë ata që kanë mundësi dhe vullnet ta ndihmojnë atdheun.

Fondi po mblidhet, dhe nuk duhet të mblidhet për asgjë tjetër, përpos për ta ndihmuar sigurinë e vendit, blerje armatimi modern, të të gjitha llojeve që janë të domosdoshme për mbrojtjen nga kërcënimi prej Serbisë, ose i përbashkët serbo-rus!

Prandaj, qëndrimi i saj kundër këtij qëllimi esencial për ekzistencën e shtetit në rast të rrezikut është një shfaqje trishtuese e qëndrimeve të figurave të saja, edhe në kohët më të vështira, në luftë.

Kjo tregon qartë se PDK-ja, pavarësisht se ka një udhëheqje të re, ajo dirigjohet nga ‘komandantët’ e komprometuar.

Si u bë që një parti të ndjek të njëjtën strategji, në luftë dhe në paqe!

Disa figura të saj, thuaja që nga fillimi i krijimit të “Shtetit paralel” të Kosovës, e kontestuan liderin e shqiptarëve Ibrahim Rugovë, dhe presidentin e Republikës, të cilën Pavarësi e Shpallën me 7 shtator 1990, e konfirmuar me referendum në prillin e vitit 1991.

Pra, e kontestuan LDK-në, e cila e shembi komunizmin në Kosovë, e para në ish-Jugosllavi, ndërsa vetë Rugova pat ndikim në gjithë botën shqiptare, që në fillim pasi ishte bërë një hero-udhëheqës model.

Kulminacioni i mohimit të presidentit Rugova arriti në luftë, kur ai u vu në krye të listës së ekzekutimit, dhe me shumë gjasë, ai kurrë nuk u hoq nga ajo listë e kobshme.

Në kohën kur shqiptarët nuk dinin ku dhe si mund të shpëtonin nga dhuna sistematike e Serbisë, vrasjet, torturat, rrahjet etj., të cilat gjatë luftës kulmuan me krime masive gjenocid, dëbim masiv, djegie pronash dhe shkatërrim të përgjithshëm, lideri i mëpastajmë i PDK-së (kjo parti atëherë nuk ekzistonte), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla e të tjerë, hartonin lista për ekzekutime, për çka edhe akuzohen nga gjykata speciale.

Rugovën nuk po e arrinin dot, por kishin filluar vrasjet e bashkëpunëtorëve të tij. Atentat i dështuar ndaj Enver Malokut në verën e vitit 1998, (ekzekutimin do ta realizonin në janar 1999), rrahja e rëndë profesorit Zejnullah Rrahmani, atentat ndaj Sabri Hamitit në shtator 1998, i cili u mbijetoi plagëve të tre plumbave, ekzekutim në sy të dy dëshmitarëve të ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, me 21 shtator 1998 etj.

Koloneli Ahmet Krasniqi ia kishte dalur të krijonte një UÇK të mirëfilltë, në shtrirje horizontale dhe në organizim vertikal. Forcat e tij gjatë verës e kishin tronditur ushtrinë serbe duke e mundur në një kundërsulm profesional, që mbeti në histori si Beteja e Loxhës.

Në vend të përkrahjes dhe shpërblimit, ai e gjeti ekzekutimin! Vrasjet nuk do të ndalonin, ato po kryheshin edhe brenda llojit, ishte vrarë po gjatë verës, Behajdin Hallaqi, Ilir Konusheci, ndërsa ekzekutimet vazhdonin si i eprorit nga Istogu Sadri Ramqes, burgosje, frikësime dhe kërcënime për mbështetësit e presidentit Rugova, tek varri i të cilit shkonte pa pushim Hashim Thaçi, që kur u zgjodh kryeministër, e derisa u arrestua në detyrën e presidentit me 5 nëntor 2020!

Vrasjet i vazhduan edhe pas luftës, duke vrarë figura të jashtëzakonshme si Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, Haki Imeri, Ismet Rraci, Shaban Manaj etj., e duke kryer dhjetëra atentate të tjera, me plagosje, dhe dështime caku.

Numri i vrasjeve politike nuk është i qartë, por sipas të gjitha informacioneve ato që mund të kualifikohen me motive politike shkon mbi 100, vetëm i vrasjes së anëtarëve të LDK-së, zyrtarëve të saj dhe mbështetësve, përfshirë vrasje të truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku, gazetarëve të “Bota sot” Bekim Kastratit dhe të Bardhyl Ajetit.

Trazirat e marsit, dhe bisedime për ndarje të Kosovës

Përveç shumë vrasjeve politike në luftë dhe në paqe, ata organizuan edhe një krim tjetër të shëmtuar në politikë.

Organizuan trazirat e marsit 2004, me të cilat Kosovën e futën në bisedime me Serbinë, me ndërmjetësim ndërkombëtar. Pavarësisht lëshimeve të mëdha, kompromiseve të mëdha, Serbia nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen në Vjenë, të cilin dokument Kosova e nënshkroi, të njohur si Pakoja Ahtisari.

Nuk mjaftuan as këto të drejta për serbët, që askund në botë një pakicë prej 50 mijë banorësh nuk i ka, dhe me 2010 Hashim Thaçi, duke gënjyer se po nënshkruante një projektrezolutë për bisedime teknike me Serbinë, e çoi vendin në bisedime politike, duke bërë sërish lëshime, tani më, edhe më shumë se sa në Vjen.

Bisedimet në Bruksel e rrezikuan fundamentalisht shtetin e Kosovës, me asociacionin, dhe më pas edhe me hapjen e çështjes së shkëmbimit të territoreve, të cilën agjendë e pranoi atëherë edhe ndërmjetësuesja Frederika Mogherini.

U deshtë trysni e madhe nga brenda dhe refuzim i fuqishëm nga vende i Gjermania, dhe nga mitë tanë amerikan që ky opsion të thyhej!

Dhe ja tani PDK-ja kundër Fondit të Mbrojtjes, a nuk është ky një vazhdim i puçit të komandantëve ndaj shtetit të Rugovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat