​Gërvalla paralajmëron hapa konkret për anëtarësim në NATO, optimiste për Këshill të Evropës

Aktuale

​Gërvalla paralajmëron hapa konkret për anëtarësim në NATO, optimiste për Këshill të Evropës

Më: 7 mars 2022 Në ora: 10:32
Foto nga Komisioni

(E plotësuar 12:41) - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke raportuar në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporës, kryediplomatja Donika Gërvalla paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të marrin vendim për formimin e një grupi që merret me anën teknike, politike dhe diplomatike për anëtarësim në NATO. Ndërkohë tha se Kosova është e gatshme për pranimin e 5 mijë refugjatëve ukrainas.

Gërvalla: Jemi optimistë për Këshillin e Evropës, do të krijojmë një grup për anëtarësim në NATO

Në të gjitha format e mundshme diplomatike e kemi bërë të qartë se Kosova është e interesuar që Kosova të jetë sa më afër NATO-s dhe mundësisht të jetë anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Ne e dina se ka disa shkallë të ndryshme që çojnë në anëtarësim të plotë të NATO-s, pra ato shkallë të ndryshme janë të përcaktuara në kohëra të tjera, pasi me datë 24 shkurt kemi hyrë në një epokë të re ne si Evropë. Prandaj, unë nuk mund të premtoj se një gjë e tillë mund të ndodh, por unë mund të premtoj se do të punojmë fortë që të kapërcehen disa faza, të cilat kanë qenë të vetëkuptueshme deri më 24 shkurt dhe Kosovës t’i ofrohet mundësia për të qenë sa më afër NATO-s edhe nëse nuk i ofrohet mundësia për të qenë anëtare me të drejta të plota, minimumi që duhet të ndodhte me Kosovën është që së bashku me Suedinë, Finlandën, Austrinë dhe disa shtete të tjera që nuk janë anëtare të NATO-s të ndodhemi në tavolinën e dytë rreth NATO-s, por të jemi pjesë e tavolinës kur NATO bisedon për të ardhmen e Evropës dhe NATO-s. Kemi kërkuar nga Qeveria që të krijohet grupi që merret me anën teknike, politike dhe diplomatike të anëtarësimit tonë në mekanizma të ndryshëm të NATO-s. Gjatë kësaj jave me siguri do të keni informacione se cilët hapa mendojmë t’i marrim. Ka zhvillime që na bëjnë optimistë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aty askush nuk mund të parashohë të ardhmen. Ne mund të parashohim vetëm pjesën tonë, çfarë po bëjmë ne që një gjë e tillë të jetë e mundur. Edhe aty jemi takuar disa institucione së bashku dhe kemi diskutuar cilat janë hapat. Ditën e enjte e presim për një vizitë nëse nuk ndodh diçka speciale, ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë”, tha ajo.

Ministrja, deputetëve iu bëri të ditur vendimet që i kanë marrë për t’u rreshtuar krah aleatëve ndërkombëtarë për të dënuar agresionin rus në Ukrainë. Ajo tha se i kanë parashtruar kërkesë edhe KFOR-it që të mbyllë hapësirën ajrore të Kosovës për Rusinë.

Gërvalla: Do të marrim vendim për pranimin e 5000 refugjatëve nga Ukraina

“Në këtë kuadër me shoqatat e gazetarëve ndërkombëtar dhe këtu në Kosovë kemi treguar gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas së bashku me familjet e tyre, jo vetëm për të ardhur në Kosovë, por edhe për t’iu krijuar ambient pune me qëllim që punën e tyre që e kanë të pamundur të kryejnë në vendin e tyre të vazhdojnë në Kosovë. Jemi të ndërgjegjshëm se krahas betejës ushtarake është edhe beteja informative, e cila kryesisht bëhet me lajme të rreme që Rusia është kampion... Ne, si ekzekutiv kemi punuar konkretisht në këtë. Gjatë kësaj jave në mbledhjen e radhës të qeverisë unë dorëzoj kërkesën për marrjen e masave konkrete që të ofrohet ambienti i përshtatshëm të shikohen mundësitë për pranimin deri në 5000 refugjatë nga Ukraina. Për këtë kam biseduar me organizata ndërkombëtare që ndodhen në Kosovë dhe kanë një eksperiencë, si UNHCR-ja. Qeveria do të ndajë një fond të caktuar për t’iu bashkuar ndihmave humanitare në të cilën është e përfshirë e gjithë bota. Ne do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore, e cila me produkte vendore të Kosovës do të përpiqet të zbusë edhe krizën humanitare në Ukrainë... Po ashtu, qysh ditën e parë kur jemi rreshtuar kah sanksionet e BE-së dhe ShBA-së kemi kërkuar nga KFOR-i mbylljen dhe bllokimin e hapësirës ajrore konform të gjitha vendimeve të vendeve demokratike. Në bazë të marrëveshjes së Kumanovës, kjo nuk është kompetencë e Republikës së Kosovës, por e komandantit e KFOR-it. Na është thënë se KFOR-i së bashku me NATO janë duke shqyrtuar këtë kërkesë tonën”, shtoi Gërvalla.

Ministrja foli edhe për gjendjen e sigurisë në vend.

Gërvalla: Nuk kemi sinjale konkrete për një sulm ushtarak të kujtdo qoftë në Kosovë, por duhet të jemi vigjilentë

Nuk kemi sinjale konkrete për një sulm ushtarak të kujtdo qoftë në Kosovë, por që duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të përgatitur, pasi asnjëherë nuk e dina. Shumë prej tyre e kanë nënvlerësuar rrezikun rus në Ukrainë dhe nuk kanë besuar se mund të vijë deri tek një luftë e hapur. Nuk duam që Kosova të bie pre e vlerësimeve të gabuara dhe jo të sakta. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithë partnerët dhe aleatët tanë me qëllim që gjendja dhe zhvillimet në rajon të vëzhgohen me një kujdes të jashtëzakonshëm. E kam të rëndësishme të them që në Kosovë nuk ka nevojë askush të ndjejë panikë rreth situatës, pasi nuk ka asnjë parashenjë që ndodhemi pranë një konflikti të armatosur me askënd”, deklaroi ajo.

Megjithëse i ofroi mbështetje ministres Gërvalla, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i kërkoi asaj që të shfrytëzojë momentumin e krijuar përmes takimeve bilaterale me homologët e saj dhe mos të marrë pjesë në takime së bashku me presidenten dhe kryeministrin.

Musliu-Shoshi: Është më mirë të keni takimet e juaja dhe të mos merrni pjesë në takime me presidenten dhe kryeministrin

Është një momentum i jashtëzakonshëm që MPJD të jetë më aktive. Vlerësoj se është shumë më mirë që ju të keni takimet e juaja dhe të mos merrni pjesë në takime me presidenten dhe kryeministrin, pasi ata mund të kryejnë punët e tyre që i kanë. Mirëpo ju si ministre është shumë e rëndësishëm që të keni takimet me homologët e juaj ku jeni vetëm ju dhe nuk jeni shoqërues e dy zyrtarëve tanë të lartë”, theksoi deputetja opozitare.

Mirëpo, ministrja Gërvalla tha se pjesëmarrja e saj në takime me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti nuk e ndalon punën dhe takimet e saja bilaterale.

Gërvalla: Nuk e di pse e shihni kritike këtë punë, përkundrazi e shoh si një progres të jashtëzakonshëm

Ne kemi konsideruar se prania e ministrit të Punëve të Jashtme në delegacionet që krerët e shtetit zhvillojnë e krijojnë kontinuitetin e politikës së jashtme. Nëse ministri i Punëve të Jashtme është prezentë në të gjitha takimet që zhvillon kreu i shtetit, atëherë në bisedat e mia që zhvillojë me homologët kam një qartësi të madhe. Nuk e di pse e shihni kritike këtë punë, përkundrazi e shoh si një progres të jashtëzakonshëm. Kjo nuk do të thotë se unë nuk zhvillojë takime të mija me homologët e mi. Kjo nuk do të thotë se unë vetëm gjatë ditës së diel kam bërë 35 biseda telefonike me partnerët dhe aleatë të ndryshëm, lidhur me situatën e krijuar”, tha Gërvalla.

Ndërsa, deputetja opozitare nga AAK-ja, Time Kadrijaj tha se Kosova duhet të shfrytëzojë rrethanat aktuale për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kadrijaj: Duhet të shfrytëzohet momentumi për t’u përafruar në NATO dhe BE

Duhet të shfrytëzohet momentumi për të përafruar në NATO, BE dhe anëtarësim në organizata të ndershme ndërkombëtare. Mirëpo, minimumi që BE-ja mundet të bëjë është se kushtet janë plotësuar dhe së paku Kosova të ketë liberalizimin e vizave. Është një momentum i vështirë për së paku kemi një unitet politik i cili u pa edhe me miratimin e rezolutës në Kuvend”, tha ajo.

Pavarësisht kësaj, kryetari i komisionit, Haki Abazi tha se rritja e shpresës te qytetarët për anëtarësim ndërkombëtar të Kosovës nuk është konstruktive, pasi sipas tij, BE-ja nuk ka prioritet zgjerimin.

Abazi: Rritja e shpresës te qytetarët për anëtarësim ndërkombëtar të Kosovës nuk mund të jetë konstruktive

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm se sa kohë të lirë kanë shtetet evropiane për t’u marrë me zgjerimin dhe aspektet të tjera, sado që neve na hynë punë ideja e një fatkeqësie që se kemi krijuar ne. Duhet të jemi koshient që prioritet i shteteve evropiane nuk është as zgjerimi dhe anëtarësim i anëtarëve të rinj, por ballafaqimi me rrezikun e jashtëzakonshëm që i kërcënohet sot Evropës nga armët konvencionale që mund të përdoret nga krejt kjo çmenduri që po ndodh atje. Kështu që rritja e shpresës tek qytetarët nuk mund të jetë gjëja më e mirë dhe konstruktive që mund të bëjmë në këtë fazë për anëtarësim dhe avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar”, theksoi ai.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme vazhdoi pa praninë e mediave.

***

Ministrja, Donika Gërvalla po raporton në Komsionin e Punëve të Jashtme.

Ajo së pari ka folur për situatën në Ukrainë, ku ditë më parë kanë filluar sulmet ushtarake nga ana e Rusisë.

Ajo në lidhje me këtë tha se Kosova është pozicionuar në krah të botës demokratike.

“Kosova shumë shpejtë dhe qartë është pozicionuar në krah të botës demokratike dhe botës së lirë. Jo vetëm sa i përketë luftës, por jemi rreshtuar duke iu bashkangjitur sanksioneve ekonomike, si të atyre të BE-së, ashtu edhe të SHBA-së”, u shpreh ajo.

Gërvalla gjithashtu u shpreh se kanë kërkuar nga KFOR-i që të bëhet mbyllja e hapësirës ajrore për Rusinë.

“Kemi kërkuar nga KFOR-i mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë. Komandanti i KFOR-it ka thënë se KFOR-i së bashku me NATO-n janë duke e shqyrtuar këtë kërkesë tonën. Na është premtuar nga KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që se këtë kërkesë tonën do ta marrin seriozisht”, u shpreh tutje ministrja Gëvalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat