Diplomatja Gërvalla e falënderon Turqinë për mbështetjen e ofruar ndaj Kosovës

Aktuale

Diplomatja Gërvalla e falënderon Turqinë për mbështetjen e ofruar ndaj Kosovës

Më: 13 mars 2022 Në ora: 16:39
Donika Gërvalla me Mevlut Çavushoglu

Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ishte temë kryesore e takimeve bilaterale të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në Forumin e Diplomacisë në Antali.

Në kuadër të këtij eventi, Gërvalla ka zhvilluar një sërë takimesh me homologë të saj të ndryshëm.

Ajo me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushoglu, ka biseduar për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme, implikimet në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë në prill të këtij viti si dhe rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Në njoftimin e lëshuar nga ministria thuhet se Gërvalla e ka theksuar qëndrimin e Kosovës kundër agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë dhe e falënderoi Çavushoglun për deklaratën e presidentit Rexhep Tayyip Erdogan në mbështetje të anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat e NATO-s dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Gërvalla u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Somalisë, Abdisaid Muse Ali, ministrin II. të Punëve të Jashtme të Brunei Darussalamit, Dato Seri Setia Haji Erywan bin Pehin Datu Pekerma Jaya Haji Mohd dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Senegalit, Aïssata Tall Sall.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat