​Mbrojtja kundërshton prokurorinë: Përveç mediave, Gucati dhe Haradinaj nuk i kanë ofruar qasje askujt në dokumente

Aktuale

​Mbrojtja kundërshton prokurorinë: Përveç mediave, Gucati dhe Haradinaj nuk i kanë ofruar qasje askujt në dokumente

Më: 15 mars 2022 Në ora: 14:47
Gucati dhe Haradinaj

Avokati i Hysni Gucatit ka deklaruar se krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk u kishin ofruar qasje në dokumente askujt përveç përfaqësuesve të shtypit. Jonathan Elystan Rees, derisa ka paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes, ka thënë se Gucati e Haradinaj ndër të tjera u kanë kërkuar gazetarëve që të mos i publikojnë emrat e dëshmitarëve të mundshëm që ishin pjesë e dosjeve që kishin arritur në OVL-UÇK nga persona ende të panjohur.

Rees ka thënë para trupit gjykues që, krerët e OVL-UÇK dhe avokati i tyre u kanë thënë mediave që mund të publikojnë komunikimin në mes të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe zyrtarëve serbë, por jo edhe emrat e personave të cilët mund të ishin dëshmitarë.

Rees: Nuk ka asnjë provë që njerëz të tjerë, përveç shtypit, kanë pasur qasje në dokumente në OVL-UÇK

“Në paragrafin 66 të dosjes së tyre përfundimtare, ZPS thotë që njerëz të tjerë përveç anëtarë të shtypit kanë pasur mundësi të hyjnë në këtë ndërtesë dhe mund t’i kenë parë këto dokumente, kjo nuk ka asnjë provë që të provojë që njerëz të tjerë përveç anëtarëve të shtypit të mund t’i kenë pasur qasje në këto dokumente”, ka thënë avokati i Gucatit.

Ai ka thënë se Hysni Gucati i ka ftuar gazetarët që të lexojnë dokumentet por nuk u ka thënë që t’i botojnë emrat të cilët përmendeshin aty.

Rees: Gucati dhe Haradinaj u kanë bërë thirrje gazetarëve që të mbrojnë emrat e dëshmitarëve

“Zotëri Gucati dhe zotëri Haradinaj i kanë kërkuar gjithnjë shtypit që të mbronte emrat e dëshmitarëve që shfaqeshin në këto dokumente të cilat i janë lejuar shtypit t’i shfrytëzojë... Mund të shohim këtu që zotëri Gucati siç e ka bërë që nga fillimi, e fton shtypin që të lexojë dokumentet, ai nuk thotë që të botohen emrat”, ka thënë Rees.

Mbrojtja e Hysni Gucatit është duke e paraqitur deklaratën përmbyllëse pasi gjatë ditës së djeshme ZPS e ka përfunduar deklaratën e saj.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat