Avokati i Thaçit: Prokuroria po shërbehet me materiale të UDB-së, 100 dëshmitarëve s’ua dimë as emrat

Aktuale

Avokati i Thaçit: Prokuroria po shërbehet me materiale të UDB-së, 100 dëshmitarëve s’ua dimë as emrat

Më: 24 mars 2022 Në ora: 16:36 Përditësuar në ora: 19:48 më 24.03.2022
Pamje nga video

​Avokati i Thaçit: Po punojmë me informacione të redaktuara, nuk e dimë kush janë dëshmitarët

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, mbrojtja e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit kanë kërkuar që prokurorisë t’i caktohet një kufizim kohor për paraqitjen e provave.

Ata kanë vlerësuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po vonohet në nxjerrjen e materialeve dhe se shumë nga dokumentet janë të redaktuara, çka sipas tyre po ua vështiron hetimet.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se nuk e dinë kush janë një e treta e dëshmitarëve.

Kehoe: Po punojmë me informacion jashtëzakonisht të redaktuar

“Ne po punojmë me informacion jashtëzakonisht të redaktuar, me një të tretën e dëshmitarëve që nuk e dimë akoma se kush janë. Këtë e kemi thënë gjithnjë. Nëse duam që çështja të ecë përpara sa më shpejt, hiqni redaktimet dhe na jepni një kopje të redaktimeve”, ka thënë ai.

Megjithatë, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka thënë se redaktimet janë të autorizuara në mënyrë ligjore.

Ndërsa avokati Ben Emmerson ka thënë se prokurorisë duhet t’i vendoset një afat kohor për çështjen e saj, në mënyrë që e njëjta të jetë më e fokusuar.

Emmerson: Gjykata duhet t’i vendosë kufizim kohor prokurorisë

“E vetmja mënyrë për të arritur një farë disipline në paraqitjen e provave në gjykim nga ana e prokurorisë është të bëhet ajo që kanë bërë të gjitha gjykatat e tjera ndërkombëtare, është që thuhet kaq kohë ka në dispozicion prokuroria për të paraqitur provat e veta dhe pastaj le të vendosë vetë prokuroria se me cilët dëshmitarë do të fokusohet”, ka thënë Emerson.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë është diskutuar edhe për nxjerrjen e materialeve për çka mbrojtja ka kërkuar nga prokuroria një afat kohor se kur do t’i përfundojë ato. Ndërsa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është thënë se presin që dokumentet të jenë të gatshme në gjysmën e parë të muajit prill.

Prokurorja Claire Lawson ka thënë se nga konferenca e fundit mbi ecurinë e çështjes deri tani kanë nxjerrë 19 paketa me dokumente.

Lawson: Nga konferenca e fundit kemi nxjerrë 19 paketa me dokumente

“Që prej konferencës së mëparshme për ecurinë e çështjes ne kemi nxjerrë 19 paketa në bazë të materialit sipas rregullës 102(3), është paketë e cila përfshin 8 mijë e 284 dokumente. Kemi parashtruar kërkesa për masa mbrojtëse që lidhen me kërkesën sipas rregullës 102 (3) të mbrojtjes së Krasniqit dhe mbrojtjes së Veselit, jemi përfshirë në diskutime me këto ekipe lidhur me këtë natyre të dokumenteve”, ka thënë ajo.

Lawson ka shtuar se planifikojnë që gjatë tri javëve të ardhshme të nxjerrin të gjitha dokumentet e tjera.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që ZPS-ja të bëjë vlerësim se kur do të përfundojë me nxjerrjen e materialeve.

Avokati Gregory Kehoe ka thënë se nuk janë përmbushur kërkesat e mbrojtjes për nxjerrë të materialeve sipas rregullës 102(3).

Kehoe: Kemi kërkuar 1 mijë dokumente, prokuroria nuk e ka përmbushur kërkesën

“Kemi kërkuar që prej konferencës së mëparshme 1 mijë dokumente, dhe sot që flasim asnjë prej kërkesave nuk është përmbushur. Edhe kolegët kanë shkruar të njëjtën gjë që po ju duket një periudhë goxha e gjatë kohore ZPS-së në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesave tona”, ka thënë ai.

Avokati është shprehur i shqetësuar me vonesën në nxjerrjen e materialeve dhe ka kërkuar që gjykata të përcaktojë udhëzime për ZPS-në lidhur me këtë çështje.

Kehoe: Nuk e dimë se kush janë 100 dëshmitarë emrat e të cilëve janë redaktuar

“Janë gati 100 dëshmitarë që nuk e dimë as kush janë, janë emrat të cilët janë redaktuar, vende të cilat janë redaktuar dhe i nderuar gjykatësi ju keni parë edhe aktakuzën dhe si është redaktuar. Kur të marrim këtë informacion do të kërkojmë më tepër informacion sipas rregullës 102(3). E kuptoj që ka ca vështirësi me të cilat është hasur ZPS, megjithatë edhe ne kemi vështirësitë njësoj, por duam të çojmë çështjen përpara, arsyeja e vetme është së duam ta çojmë përpara çështjen pasi të akuzuarit vazhdojnë të jenë të brengosur. Nuk e di nëse i nderuar gjykatës mund të jepini udhëzime strikte për të siguruar që kjo çështje bën progres përpara dhe sigurohemi që dokumentet sipas 102(3) nxjerrën në kohën e duhur”, ka thënë avokati i Thaçit.

Seanca e radhës ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të mbahet më 20 maj 2022.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020.

​Mbrojtja kërkon të vendoset afat për përfundimin e hetimeve të prokurorisë

Avokatët mbrojtjes të Thaçit dhe të tjerëve kanë kërkuar që 6 maji të jetë data e përfundimit të hetimeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas tyre, prova të reja do të duhej të përfshiheshin vetëm nëse e kalojnë testin e provave, që nënkupton miratimin gjyqësor.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, avokatët e të akuzuarve kanë deklaruar që duhet të ketë një afat kohor për hetimet dhe çështjen e prokurorisë.

Emmerson: Duhet të përcaktohet një afat për dosjen e prokurorisë

“Duhet të përcaktojmë një afat, të themi kjo është pika fundore, dhe për ne në fakt të bëjmë këtë diskutim në mars të vitit 2022 rreth faktit se kur prokuroria duhet që të jep dosjen e vet ose kur të përfundojë hetimet e veta, në vetvete kjo është shumë problematike. Mendoj që problemi kryesor është që vendimi i zotit Smith që kishte parashtruar disa dokumente juve i nderuar gjykatës dhe që u vendos që të merreshin zoti Thaçi e Veseli ndërkohë që hetimet ishin në fazat e hershme, dhe me thënë të drejtën çdo prokuror i ndershëm dhe çdo prokuror profesionist që unë kam hasur në arenën ndërkombëtare do ta kishte bërë këtë punë përpara se të ndalonte të akuzuarit, pra ne në fakt çështjen e prokurorisë do të duhet a kishim marrë të plotë, do të duhej të kishte dorëzuar të plotë disa javë pas arrestimit të të akuzuarve”, ka thënë avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria po i reziston afatit të 6 majit dhe sipas tij e njëjta nuk është angazhuar për ndonjë afat.

Kehoe: Prokuroria nuk është e gatshëm të transferojë çështjen para trupit gjykues

“Nuk duket se janë të gatshme të transferojnë çështjen përpara trupit gjykues. Për sa i takon angazhimit të tyre, ata nuk janë angazhuar për asgjë, pra duhet të ketë një fund, duhet t’i vijë fundi këtij hetimi, siç tha zoti Emmerson ka fakte të reja që mund të kalojnë testin e provave të reja. Ata kanë një çështje që evoluon vazhdimisht, nëse nuk do të evoluojë vazhdimisht kjo çështje nuk do të kishte nevojë për hetime shtesë. Edhe njëherë parashtrojmë para jush i nderuar gjykatës që të përcaktoni një afat, dhe për një 6 maji është dukshëm i arsyeshëm”, ka thënë Kehoe.

Me këto parashtrime është pajtuar edhe mbrojtja e Rexhep Selimit.

Young: Pse prokuroria i trembet afatit nëse ajo ka përfunduar pjesën më të madhe të hetimeve

“Nëse prokuroria tani po na thotë se janë të bindur se pjesa më e madhe e hetimeve kanë përfunduar unë pyes përse i tremben ata një afati. E mbështes parashtrimin e zotit Emmerson duhet të ketë një datë përfundimtare për arsye të menaxhimit të mirë të çështjes, në këtë rast do të ishte 6 maji”, ka thënë ai.

Ndërsa avokati i Krasniqit, Aidan Elys ka thënë se nuk duhet të ketë zgjatje të hetimeve.

Elys: Nuk ka arsye të mos vendoset një afat për prokurorinë

“Nuk shohim asnjë arsye pse të mos ketë një afat dhe pse duhet të vazhdojnë të zgjaten hetimet, këtu duhet të heqim një vijë dhe të vendosim”, ka thënë ai.

ZPS-ja ka deklaruar që pjesa dërmuese e hetimeve ka përfunduar andaj sipas tyre nuk ka nevojë për vendosje të afateve.

Ndërsa në parashtrimet e mbrojtjes është thënë se gjykatësi duhet të përcaktojë 6 majin 2022 si datë për përfundimin e hetimeve nga ZPS-ja.

Mbrojtja e Thaçit e të tjerëve thotë se prokuroria po i fsheh provat shfajësuese

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtja e të akuzuarve ka kritikuar prokurorinë për mos nxjerrje të provave shfajësuese.

Duke folur për materialet e rregullës 103 që përfshinë provat shfajësuese, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se ekzistojnë dokumentet nga institucionet amerikane që tregojnë se UÇK-ja nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste.

Kehoe: ZPS ka kërkuar dokumente nga qeveria amerikane

“Po i kthehem një komenti të ZPS-së lidhur me komentin e tyre për materialet e rregullës 103 (2), ishte një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i drejtohej kryetarit të Komitetit të punëve të jashtme ku është thënë që nuk ka pasur ndonjë kontroll komandë efikase të UÇK-së në Kosovë. Dhe përgjigja e tyre ishte ne i kemi kontrolluar ato dosje dhe është aty. Ata kanë bërë kërkesa drejtuar qeverisë amerikane, ka vite që e bëjnë këtë dhe nuk kanë bërë asnjë kërkesë për asnjë dokumentacion që cenonte kredibilitetin e hetimit të tyre dhe thonë se nuk i kanë pasur. E di njeri këtë gjë, që ata kanë kërkuar dokumente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i di njëri dokumentet e tyre, është marrë ndonjë vendim që nuk duan t’i marrin këto dokumente, është shkelje e rregullës 103 dhe nuk është i vetmi dokument”, ka thënë ai.

Avokati Kehoe ka përmendur edhe një raport të CIA-s, i cili sipas tij tregon se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste.

Kehoe: UÇK-ja nuk ishte përfshirë në aktivitete terroriste

“Është edhe një raport i CIA-s i 3 janarit 2000, CIA publikisht i drejtohet Kongresit në rastin e diskutimit të një projektligji për buxhetin. Shtetet e Bashkuara konstatuan, thotë këtu, që udhëheqja e UÇK-së duket se nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e veta gjatë luftës. Kjo ka ardhur nga agjencia e zbulimit amerikan, kanë thënë gjithashtu që UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objekteve jo luftarake. Pra, thonë që nuk e dinë këtë raport, ku thuhet se nuk ka pasur trafikim dhe udhëheqja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste. Përsëri po ndjekim një qasje, mirëpo se çka do të thotë materialet e rregullës 103. Këtu duhet ta japim horizontin tonë me atë që është material i rregullës 103 dhe testi do të duhej të ishte nëse do t’ua cenonte çështjen aty, ata duhet të na japin neve këto materiale, ky është shqetësimi ynë. Është shqetësim që duhet rregulluar që ky informacion duhet dorëzuar menjëherë e jo të pritet 16 muaj e pastaj të dorëzohet”, ka thënë avokati Kehoe.

Deklaratat e mbrojtjes së Thaçit, prokurorja i ka quajtur spekulative.

Prokurorja: ZPS nuk ka qasje në dokumentet amerikane që po i përmend mbrojtja

“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit sa i takon kontakteve me qeverinë amerikane dhe shkalla e bashkëpunimit apo materialit që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh se ZPS ka qasje apo ka në zotërim dokumentacione ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë përfaqësuesja e ZPS-së.

Lidhur me këtë ka reaguar avokati Kehoe, i cili ka thënë se ZPS-ja në vazhdimësi i ka bërë kërkesa qeverisë amerikane lidhur me strukturën e UÇK-së.

Kehoe: ZPS po shikon vetëm atë që po dëshiron

“Kanë parë atë që kanë dashur të shikojnë, ngrenë aktakuzë kundër këtyre personave të cilët kanë që në nëntor të vitit 2020 që rrinë në burg, edhe pse na thoshin që do ta fillonim gjyqi në prill a në maj, por nuk po flasim më për këtë. Seriozisht po thonë që nuk i kanë bërë kërkesë qeverisë amerikane apo CIA-s, apo ndonjë qeverie tjetër për këtë informacion sa i takon këtyre operacioneve narkotike të UÇK-së kur CIA pastaj përgjigjet dhe thotë që nuk ka asnjë provë që të mbështesë këto pretendime”, ka thënë ai.

Derisa është diskutuar për provat shfajësuese, prokurorja ka thënë se nga konferenca e fundit kanë nxjerrë edhe tetë paketa me materiale të rregullës 103 të cilat përmbajnë 751 prova. Ajo ka thënë se ka ende materiale për t’u rishikuar nëse përmbajnë prova shfajësuese.

Avokati i Kadri Veseli, Ben Emmerson ka thënë se ka prova që konfirmojnë manipulimet nga ana e autoriteteve serbe.

Emmerson: Serbët përdorin taktika për informacione jo të vërteta

“U bëj jehonë fjalëve që ua drejtoj zoti Kehoe. Ka shumë lloje provash, të cilat gjenden në domenin publik dhe të cilat konfirmojnë ato lloj manipulimesh nga ana e autoriteteve serbe siç është përfshirë këtu edhe zhvarrosja e varrezave masive të viktimave, që janë transportuar në kufi me Serbinë ku është gjendur një kamion, po ashtu rivendosja e kufomave nga ana e policisë në territorin serb. Pra, është kryer një operacion pastrues në masë të gjerë që tregon edhe manipulimin e provave. Është folur gjatë për këtë në gjykimet e tribunalit, serbët kanë përdorur një sërë taktikash për të marrë informacione të rreme dhe prova të rreme, përfshirë këtu torturën, shantazhin e të tjera, të gjitha janë materiale shfajësuese e të cilat duhej të ishin përfshirë tek analiza që i ka bërë ZPS-ja, sidomos në materialet që vinë nga shërbimi informativ serb”, ka thënë ai.

Emmerson ka thënë se ka përpjekje nga ana serbe për të manipuluar provat.

Emmerson: Ka orvatje serioze nga ana serbe për të manipuluar provat

“Ka gjëra të cilat çdo prokuror që ndodhet në këtë proces mund të jetë në dijeni të informacioneve që i kanë parë, por që kanë dalë në proces edhe të tjera për shembull provat e forcave serbe në terren në Kosove, kanë pasur në dispozicion municione kineze për të vrarë civilë dhe kjo të dukej sikur ishte bërë nga UÇK-ja. Pra, ka orvatje serioze nga ana serbe për të manipuluar provat. Ky informacion dihet. Pse nuk na është vënë në dispozicion?”, ka thënë ai.

Avokatët kanë kërkuar nga prokuroria që të ecin me ritëm më të përshpejtuar në nxjerrjen e materialeve.

Young: Materiali shfajësues mund të ndryshojë çështjen gjyqësore

“Kemi shqetësime të rënda sa i takon qëndrimin që mban prokurori për nxjerrjen e materialit shfajësues. Siç e dimë ky material ka të bëjë me pafajësinë e të akuzuarve dhe mund të ndryshojë tërësisht pistën, apo edhe çështjen gjyqësore”, ka thënë avokati i Rexhep Selimit, David Young.

Sipas avokatëve, provat që lidhen me UÇK-në mbetën pa u nxjerrë.

Elis: ZPS-ja nuk po kryen detyrat në mënyrë korrekte

Kjo nuk tregon që ata po e kryejnë në mënyrë korrekte këtë detyrim, sepse kanë kaluar 16 muaj tashmë në këtë proces, kjo sasi që vazhdojnë të nxjerrin tregon një problem që ka diçka që nuk funksion”, ka thënë avokati Elis, pjesë e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

Ndryshe, ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga Dhomat e Specializuara për kinse krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga janari 1998 deri në dhjetor 2000. /

Mbrojtja e Veselit përmend manipulime provash nga Serbia: Këto informata nuk na i dha Prokuroria

Mbrojtja e Kadri Veselit në Hagë sot në seancën ndaj krerëve të UÇK-së ka fajësuar Prokurorinë se nuk ka nxjerrë provat shfajësuese.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se të gjitha provat që gjenden në domenin publik, konfirmojnë manipulime të provave nga autoritetet serbe.

”Ka shumë prova që gjenden në domenin publik dhe të gjithat konfirmojnë atë lloj manipulimesh të provave nga autoritetet serbe sic është zhvarrosja e varreve masive të viktimave në kufi me Serbinë ku është gjendur një kamion”, tha Emmerson.

Ai tutje tha se këto prova janë të rrejshme, të cilat përfshijnë torturën e shantazhin, dhe të njëjtat nuk u dhanë nga Prokuroria, apo nuk u përfshinë në materialet shfajësuese.

”Prova të rrejshme përfshirë torturën, shantazhin. Dhe të gjitha janë prova shfajësuese dhe do të duhej të ishin përfshirë tek ZPS-ja. Volumi i kësaj çështje gjyqësore është tepër i madh, të kemi arritur vetëm 70% të materialeve, ka dicka që nuk shkon. U dashkan edhe 7 muaj të tjerë për ta përfunduar. Duhet një afat këtu”, tha tutje ai.

”Ka diçka që nuk po funksionon me efikasitet. Ka gjëra të cilat cdo prokuror që ndodhet, merr pjesë në këtë proces, mund të jetë në dijeni të informacioneve që kanë parë. Provat e forcave serbe në terren në Kosovë që kanë pasur municione kineze për ta bërë situatën, për të vrarë civilë, dhe të dukej sikur ishte bërë nga UÇK-ja. Ka orvatje serioze për të manipuluar provat. Ky informacion dihet pse nuk na është dhënë. Ka dicka që nuk shkon këtu”, tha ai.

Se Prokuroria është treguar shumë e ngathët në dhënien e provave e tha edhe Andrew Strong, avokat tjetër i Veselit.

Ai tha se forma me të cilën po punon Prokuroria, po e konsumon tërë kohën.

”16 muaj dhe këta janë në burg e ende nuk janë zbuluar të gjitha dokumentet vetëm 70% dhe për 30% te mbetura i bie që edhe 5 muaj duhen. Prandaj na duhet një afat. Ky është një proces që po konsumon kohën. Materialet që kemi marrë së fundi, janë të para 3 vjetëve. Dhe këtë nuk e kuptoj – mendojmë se diçka nuk po funksionon. Koha po shkon e na duhet një afat”, u shpreh Strong para të pranishmëve.

Avokati i Thaçit: Prokuroria po shërbehet me materiale të UDB-së

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka fajësuar Prokurorinë për fshehje të dokumenteve shfajësuese.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka akuzuar ZPS-në se ka marrë shumë informacione dhe dokumente nga Shërbimi Inteligjent Serb (UDB).

“Kjo çështje ka të bëjë me kredibilitetin e ZPS-së”, ka theksuar Kehoe.

Sipas tij, me mijëra materiale shfajësuese po fshihen nga Prokuroria, edhe 16 muaj pas burgosjes së krerëve të UÇK-së.

“Nëse dokumentet janë në dispozicion të Prokurorisë, ato duhet të na dorëzohen menjëherë”, ka thënë Kehoe.

Derisa avokati i Thaçit po fliste, Gjykata Speciale disa herë e ka mbyllur këtë seancë për publikun.

Mbrojtja e Thaçit e shqetësuar: Janë 100 dëshmitarë të cilëve s’ua dimë as emrat

Mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën statusore të radhës në Gjykatën Speciale ka shprehur shqetësimin me taktikat e Prokurorisë, e cila po zvarrit dorëzimin e dokumenteve.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se deri më tani mbrojtja ka kërkuar mbi 1000 dokumente të ndryshme.

Sipas tij, ndonëse ishte premtuar se ato do t’i dorëzohen mbrojtjes, deri më sot kjo nuk ka ndodhur.

“Ne kemi kërkuar prej konferencës së fundit mbi 1000 dokumente. Asnjë premtim nuk është përmbushur. Jemi të shqetësuar me vonesat. Kemi shumë dëshmitarë, rreth 100 prej tyre të cilëve nuk ua dimë emrat, nuk e dimë kush janë, nuk dihet vende. Të gjitha janë të redaktuara“, ka shtuar ai.

Edhe mbrojtja e krerëve tjerë të UÇK-së është ankuar të gjykatësi i Paraprakes për vonesat që janë duke u krijuar.

Mbrojtja dyshon që këto vonesa po krijohen për të zvarritur fillimin e procesit gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat