Sot rivarrosen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës së Krushës së Vogël

Aktuale

Sot rivarrosen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës së Krushës së Vogël

Më: 26 mars 2022 Në ora: 07:17
Ilustrim

Mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël, me kërkesë të familjeve dhe me përkrahje institucionale, do të rivarrosen sot, më 26 mars 2022, në përvjetorin e Masakrës së Krushës së Vogël.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, Komuna e Prizrenit, sot në orën 12:00 fillon ceremonia e varrimit të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël: Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, i zhdukur me datën 26.03.1999; Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, i zhdukur me datën 26.03.1999; Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, i zhdukur me datën 26.03.1999; Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, i zhdukur me datën 26.03.1999; Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, i zhdukur me datën 26.03.1999; Skifter (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981, i zhdukur me datën 26.03.1999.

Procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur janë kryer sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e personave të identifikuar u pritën në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Sipas njoftimit, familjarët u njoftuan për angazhimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhunshëm nga lufta në Kosovë, duke vënë theksin edhe në punën që aktualisht është duke u realizuar në procesin e ri-inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara deri më tani.

U veçua angazhimi i vazhdueshëm dhe përpjekjet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”, njofton Zyra e Kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat