Veliu pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti: Nëse vjen në Kuvend, personalisht do e përkrahi

Aktuale

Veliu pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti: Nëse vjen në Kuvend, personalisht do e përkrahi

Më: 26 mars 2022 Në ora: 15:57
Agim Veliu

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe ish-nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu thotë se do të votojë pro Projektligjit të PDK-së lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional prej 30 për qind.

Veliu thotë se LDK nuk e ka ende në diskutim të Grupit Parlamentar Projektligjin e PDK-së lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Deri më tani nuk ka patur asnjë deklarim rreth qëndrimit të LDK-së lidhur me Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, ani pse për Veliun një Projektligj i tillë do të votohet personalisht nga ai, teksa ka shtuar se LDK-ja nuk  e ka nxjerrë në diskutim fare këtë Projektligj.

“Sa i përket Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trust-i, LDK në Grupin Parlamentar nuk e ka nxjerrë ende në diskutim. Nuk kemi qëndrim ende, po nëse ai vjen në Kuvend, me procedura të Kuvendit, unë personalisht mundem me thanë se e përkrahi dhe do ta përkrahi”, thotë Veliu.

Ka patur reagime të ndryshme lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, ku shumë profesorë të ekonomisë kanë vlerësuar se një tërheqje e tillë e dëmton arkën shtetërore, përfshirë edhe ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, i cili para disa ditëve ka thënë se se një veprim i tërheqjes së parave nga Trusti është veprim me “rrisk të madh”, ku ka vlerësuar se kjo metodë e destabilizon Trustin.

“Një herë është shfrytëzuar mundësia e tërheqjes së mjeteve për shkak të pandemisë, tani kjo çështje duhet të mendohet më thellë. Kush do të kujdeset për njerëzit, nëse sot i shpenzojnë kursimet e tyre pensionale, kur ata do të dalin në pension. Është veprim me rrisk të madh. Dhe këso veprime e destabilizojnë Trustin Pensional dhe e rrisin pasigurinë për të ardhmen“, vlerësoi Mustafa.

Megjithatë, ndryshe nga Mustafa, Veliu vlerëson se një tërheqje e mjeteve nga Trusti nuk paraqet ndonjë rrezik, ku thotë se kjo është kërkesë e qytetarëve me të cilët ka diskutuar ai.

“Unë nuk po e shoh që është ndonjë rrezik që me u leju një tërheqje e mjeteve nga Trust-i në këtë kohë të krizës, përndryshe edhe kërkesat e qytetarëve, me të cilët unë kam pasë rast me diskutu, pra këto janë kërkesa në këtë drejtim, pasi që ata kërkojnë të lejohet një tërheqje e parave, kështu, nëse vjen në Kuvend unë personalisht do ta votojë, edhe pse po them që ende nuk kemi qëndrim të Grupit Parlamentar të LDK-së”, vlerëson Veliu.

Ndërkaq, ditë më parë nga LVV janë deklaruar se janë kundër një Projektligji të tërheqjes së mjeteve nga Trusti. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se LVV nuk e mbështet një Projektligj të tillë.

Lidhur me qëndrimin e LVV-së, Veliu thotë se nuk është në dijeni për qëndrimet e partisë në pushtet, anipse përmend se ka parë reagime individuale rreth Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Nuk e di për ta se cili është qëndrimi i tyre, por kam pa reagime individuale rreth kësaj kërkese, por që nuk e di njëherë do të shohim se kur vjen në Parlament se si do të veprohet edhe nga ta”, u shpreh Veliu.

Lidhur me qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë shprehur kundër nismës së deputetit Bekim Haxhiu, ky i fundit ka thënë se qëndrimi i LVV-së nuk përkon me nevojën e qytetarëve të Kosovës, teksa shton se kjo kërkesë nuk është e tij, por e qytetarëve.

“Nuk përkon me nevojën e qytetarëve, sepse kërkesa për tërheqje të mjeteve të Trustit nuk është e imja, është e qytetarëve”, tha Haxhiu.

Pro këtij Projektligji janë shprehur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku shefi i Grupit Parlamentar, nga radhët e kësaj partie, Besnik Tahiri kishte thënë se AAK do të mbështes iniciativën e deputetit Haxhiu, duke thënë se do ta bëjnë këtë për të zbutur gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës.

“Siç kemi pasë edhe deklarime publike, ne do ta mbështesim iniciativën e deputetit Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, në mënyrë që ta zbusim gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, më datë 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Kontributpaguesit, 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, të fituar gjatë kohës sa kanë punuar, e kishin tërhequr në vitin 2020, në kohën kur Avdullah Hoti ishte Kryeministër i Kosovës.

Nga Trust-i ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues, ku tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat