Kur do të arrestohen ata ’nofull-mëdhenjtë’! / Kur do t’shkojnë prapa grilave ‘kokat e krimit’

Aktuale

Kur do të arrestohen ata ’nofull-mëdhenjtë’! / Kur do t’shkojnë prapa grilave ‘kokat e krimit’

Nga: Idriz Morina Më: 8 prill 2022 Në ora: 17:20
Foto ilustrim nga punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës vite më parë

Institucionet e hetimit tashmë disa muaj kanë kryer disa operacione të rëndësishme. Rasti ‘Brezovica”, rasti “Subvencionet” i filluar në kohën e qeverisë Hoti, operacioni “Pika” dhe një sërë operacionesh masive, kanë dhënë disa rezultate, por jo të mjaftueshme.

Tensionet e krijuara pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, e kthyen vëmendjen jo vetëm të opinionit, por edhe të institucioneve kah kriza atje dhe rreziku i bartjes së luftës në Ballkanin Perëndimor, me rrezik përfshirjen e Kosovës.

Por, sot ka filluar një operacion, që ishte vazhdim i atij të mëparshmit “Pika”, për krim të organizuar dhe korrupsion, në policinë dhe doganën e Kosovës, në kufirin me Shqipërinë.

Një numër i madh, për të mos thënë tmerrues i të arrestuarve. Në rastin e parë u arrestuan 50 veta, 48 policë dhe dy doganier. Ndërsa, sot 26 veta.

Ky numër kaq i lartë është shqetësues, pasi përbën afër 1% të personelit të Policisë së Kosovës, pa llogaritur edhe rastet tjera të arrestimeve, në procese të tjera, si në bastisjet në veri, dhe po ashtu në anët tjera të Kosovës, që duket se padyshim arrestimet në këtë vit brenda policisë mund të shkojnë në rreth 2%. Policia e Kosovës, i ka rreth 9 mijë pjesëtarë.

Kështjellë në mbrojtje të krimit

Por, a mund të drejtohej një rast hetimi edhe ndaj Këshillit të Pavarur Prokurorial, i cili sot si duket është kthyer në kështjellën, jo të “Rambujesë”, por në një mburojë të vërtetë për shkelësit e ligjit, ndërsa edhe vetë këta e kanë shkelur ligjin rëndë, edhe sipas ekspertëve të drejtësisë, në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Realisht ky Këshill duhet të mbahet përgjegjës për dështimin e gjykimit të aferave si PRONTO, të mos hetimit të vrasjeve politike (mos nxjerrjes para drejtësisë të autorëve dhe porositësve), të mosveprimit hetimor për ata që donin ta ndanin Kosovën, për komprometimin e procesit hetimor të rastit të veteranëve etj.

Po ashtu ky Këshill duhej ta përqendronte Prokurorinë, pas krijimit të gjykatës speciale, për hetimin e vrasjeve politike jashtë mandatit të saj, dmth të atyre pas vitit 2001.

Natyrshëm shkojmë te pyetja, nëse hetimet duhet të zgjerohen edhe ndaj gjykatësve. Nëse policët aq shumë janë komprometuar, këta të nivelit më të thjeshtë apo të cilët kanë punë e kontakte të drejtpërdrejtë me palë, dhe nëse prokurorët kanë dështuar të kryejnë hetimet e duhura për shumë procese, si mund të kenë shpëtuar gjykatësit?

Ndoshta një fillim hetimi me kohë, do të mund të jepte rezultate, për t’mos u ballafaquar si me atë në Këshillin Prokurorial.

Por, sërish pyetja kthehet tek akuza dhe vlerësimi, se koka apo truri i udhëheqjes së hetimeve dhe drejtësisë (zbardhjes së krimit) në Kosovë është Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Arrestimet, si ato që janë duke u bërë tash e sa kohë, duket se janë si të një niveli më të poshtëm të krimit.

Si u bë që Kosovën ta braktisin më shumë se një milion banorë!?

Por, njerëzit janë duke pritur, sidomos ata që po i kundërshtojnë proceset jashtë vendit (në Hagë), që drejtësia tek ne të dëshmohet se është në nivelin më të lartë të duhur.

Në përmbushje të kësaj ‘dëshire’ të tyre, dhe të gjithë atyre që duan drejtësi, shqiptarët po presin arrestimin e kokave të krimit, madje sikur janë duke u lutur edhe mbështetësit e Vetëvendosjes që ta shohin, një kokë të krimit, të arrestuar, prapa grilave!

Duket se në Kosovë shpresën më të madhe e krijon më mirë se vetë qeverisja e mirë, drejtësia e duhur!

Mos hetimi i duhur në shkeljet gjatë procesit të privatizimit, tenderëve, disa prej të cilëve në qindra miliona euro, pasurimi nga ndërtimet e larta, shpronësimet, privatizimet si i Aeroportit të Prishtinës, KEK-ut nga KEDS-i etj.

Rekordmenët me akuza publike si Xhavit Haliti, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj etj., si komandat lufte, pastaj ish kryeministra si Agim Çeku e Isa Mustafa, ish ministra, deputetë e ish-deputet!

Nëse këta dhe të tjerë vërtetë kanë qeverisur mirë, si u bë që Kosovën ta braktisin më shumë se një milion banorë!?

Pa hetimin e mirëfilltë të këtyre krimeve dhe të këtyre të dyshuarve, apo për të cilët ekziston një perceptim i lartë për dyshime se kanë qeverisur me shkelje të ligjit apo se kanë përfituar nga pasja e detyrave të larta në shtet, nuk ka shumë shpresa për sundimin e rendit dhe ligjit.

Vetëm atëherë, njerëzit do të vendosin jo veç të mos ikin, por madje edhe shumë të larguarve do të kthehen!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat