Diplomati shqiptar: Këngëtarja serbe po vajton mbytjen e anijes ruse, mos na e sjell Vuçiqi të këndojë në Tiranë?

Aktuale

Diplomati shqiptar: Këngëtarja serbe po vajton mbytjen e anijes ruse, mos na e sjell Vuçiqi të këndojë në Tiranë?

Nga: A.ZH Më: 16 prill 2022 Në ora: 16:22
Shaban Murati

Ish-diplomati shqiptar Shaban Murati, ka folur për mundësinë që këngëtarja serbe Ivana Zhigon, të shkojë në Tiranë, për të kënduar për “Ballkanin e hapur”,  këngën serbe për Kosovën.

Në një postim në Facebook, Murati ka thënë se Zhigon kishte kënduar para një viti në kryqëzorin e fundosur rus “Moskva”, këngën “Oj Kosovo, Kosovo!”.

Ajo dje ka publikuar një këngë, në të cilën, shpreh solidaritetin me Rusinë dhe marinën ushtarake ruse për mbytjen e kryqëzorit “Moskva” në Detin e Zi, nga forcat ukrainase, përcjell Bota sot.

“Zot, ruaje Shqipërinë nga Ivana dhe Ivanët rusë, serbë dhe shqiptarë!”, ka shkruar diplomati.

Postimi i tij i plotë:

Se mos na e sjell Vuçiqi të këndojë në Tiranë...

Shtypi rus njoftoi në datën 15 prill se këngëtarja e njohur serbe Ivana Zhigon publikoi në datën 15 prill një video, ku shpreh solidaritetin me Rusinë dhe marinën ushtarake ruse dhe hidhërimin e saj për mbytjen e kryqëzorit flamurmbajtës “Moskva” të Flotës Luftarake Ruse të Detit të Zi, i cili u mbyt gjatë luftimeve me forcat mbrojtëse të Ukrainës. Këngëtarja serbe i drejtohet marinës ruse, që po lufton në Ukrainë: ”Të dashur marinarë, ju faleminderit për çka po bëni për planetin Tokë, për njerëzimin. Ushtria ruse po mbron të vërtetën dhe drejtësinë për gjithë botën. Populli serb është me ju në këto minuta të rënda”.

Këngëtarja serbe kujton në video se ka dhënë koncert në kryqëzorin “Moskva” para një viti dhe se ka kënduar para marinarëve rusë këngën “Oj Kosovo, Kosovo!”. Meqë disa zyrtarë në Tiranë nuk e dinë se ç’është kjo këngë serbe, po citoj vetëm një strofë ku thotë: “Gjithë serbët thërrasin ne nuk jua japim Kosovën! Ka qenë gjithmonë e jona, dhe në shekuj e jona mbetet!”. Këngëtarja Ivana Zhigon drejton shoqatën e miqësisë Serbi-Rusi.

Po e shpërndaj këtë informacion për këngëtaren e njohur serbe se mos presidenti Vuçiq ia sugjeron qeverisë së Shqipërisë që ajo të vijë në Tiranë të këndojë për “Ballkanin e hapur” këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo!”. Njoftimin e bëj edhe se mos ndonjë kozmopolit narcist në qeverinë e Shqipërisë, për inat të Kosovës e fton Ivanën të vijë në Tiranë.

Thjesht për krahasim se ku qëndron këngëtarja serbe: rreth 20 mijë artistë rusë kanë kërkuar me peticione që forcat ushtarake ruse, që po luftojnë në Ukrainë, të largohen menjëherë nga Ukraina.

Zot, ruaje Shqipërinë nga Ivana dhe Ivanët rusë, serbë dhe shqiptarë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat