Haki Morina: Udhëheqësit tanë janë në Hagë pa faj, kriminelët serbë janë të lirë

Aktuale

Haki Morina: Udhëheqësit tanë janë në Hagë pa faj, kriminelët serbë janë të lirë

Më: 17 prill 2022 Në ora: 16:49
Haki Morina

Ndonëse kanë kaluar 23 vjet nga masakra e tmerrshme e forcave serbe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, askush prej autorëve të këtyre krimeve nuk ka dalë para drejtësisë. Të mbijetuarit e kësaj masakre sot përkujtojnë me dhimbje të thellë më të dashurit e tyre dhe shprehen të gatshëm të dëshmojnë në Hagë për krimet serbe.

Naim Hakolli, i mbijetuari i masakrës në Çikatovë të Vjetër, tregon se si policia serbe në orët e hershme të mëngjesit kanë masakruar 23 pjesëtarë të lagjes Morinë, kryesisht burra, fëmijë e pleq.

Hakolli është shprehu se institucionet nuk po vazhdojnë të zbardhin rastin dhe të arrestojnë kriminelët serbë.

Hakolli: Kam emocione të mëdha kur ndodhem këtu

“Unë jam vetë rasti që kam qenë i pranishëm në këtë masakër, këtë torturë barbare serbe, burra, fëmije, pleq janë të gjithë këtu...Unë e kam përjetuar këtë rast të luftës është një rast shumë i rëndë dhe nuk po e di qysh po munden institucionet tona të mos i arrestojnë kriminelet serbë që kanë bërë këto krime të mëdha. Është një krim i papërshkrueshëm dhe kam emocione të mëdha kur ndodhem këtu...Fëmijët i kanë masakruar kur kanë ardhur në orën gjashtë të mëngjesit, nuk dua ta përkujtoj hiç këtë rast”, tha Hakolli.

Ai gjithashtu shtoi se është i gatshëm të shkojë edhe në Hagë për të dëshmuar për pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij.

Hakolli: Jam gati të dëshmoj edhe në Hagë

“Unë kisha shkuar edhe në Hagë atje, kisha ditë çka të tregoj për këtë rast... Shkojnë i marrin tonët të pafajshëm dhe i kanë burgosur atje. Këta duhet më parë t‘i burgosin serbët që i kanë bërë këto masakra”, tha ai.

Ndërsa Haki Morina shprehet se maskara e 17 prillit në lagjen Morinë është një tragjedi e madhe për të gjithë fshatin.

Morina: 17 prilli, dita më tragjike

“Sot është dita më tragjike për fshatin tonë, dita e 17 prillit ka ndodhur maskara e tmerrshme pikërisht në lagjen Morinë, data 17, ditë e shtune ka qenë kur janë masakruar 23 familjarë tanë”, tha ai.

Morina akuzon Serbinë se i ka zhdukur kufomat me qëllim për t ‘i fshehur krimet e tyre. Ai tha se deri në vitin 2015 nuk kanë qenë në dijeni për kufomat e tyre.

Morina: Deri në vitin 2015 ne nuk kemi ditur as për kufomat e tyre

“Serbia e ka bërë ekzekutimin i ka masakruar me mendimin për t’i zhdukur krimet e luftës. Ata i kanë marrë edhe kufomat dhe i kanë zhdukur deri në vitin 2015. Ne nuk kemi ditur as për kufomat e tyre… E kemi ditur që janë masakruar dhe i kanë pushkatuar. Ne bashkëluftëtarët i kemi varrosur nëpër vendet e krimit pas një kohe i kanë zhvarrosur dhe i kanë dërguar në Batanicë të Serbisë, janë munduar t’i fshehin kufomat dhe krimet që kanë bërë në fshatin tonë”, tha Morina.

Ndërsa, ai ka thënë se bashkëluftëtarët janë duke u gjykuar pa faj.

Morina: Udhëheqësit tonë janë në Hagë pa faj, kriminelët serbë janë të lirë

“Udhëheqësit e çlirimtarët tanë gjykohen, ndërsa kriminelët serbë janë të lirë dhe besa edhe në Kosovë ka kriminelë të Serbisë, ndërsa çlirimtarët tonë të dënohen që e mbrojnë vendin tyre. Kjo është tmerr për ne”, tha ai.

Ndryshe, sot janë mbushur 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat