​Gashi: Vetëvendosje e quante Kadri Veselin kriminel, sot citon interpretimet e tij

Aktuale

​Gashi: Vetëvendosje e quante Kadri Veselin kriminel, sot citon interpretimet e tij

Më: 19 prill 2022 Në ora: 12:21
Arben Gashi

Deputetët e pozitës nuk janë pajtuar për formimin e komisionit hetimor për energjinë dhe punësimet në KEK, iniciativë kjo e Partisë Demokratike të Kosovës. Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se komisioni hetimor nuk mund të formohet në këto rrethana kur nënshkrues janë të gjitha partitë opozitare por kjo është kundërshtuar nga opozita ku është deklaruar se iniciues është PDK ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë vetëm mbështetës.

Në deklarimin e saj, Kusari-Lila ka thënë se po veprohet edhe bazuar në praktikat e mëhershme të Kuvendit të Kosovës kur në krye të institucionit ishte Kadri Veseli.

Kusari-Lila: Nga praktikat e mëhershme nuk mund të formohet komisioni hetimor

“Bazuar edhe në praktikën e mëhershme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, më konkretisht atë të vitit 2018 kur njëjtë nënshkrues ishin deputetët e Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje, asokohe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i kryesuar nga zotëri Kadri Veseli u tha që për arsye se deputetët e dy partive janë nënshkruese iniciatore të komisionit hetimor, nuk mund të themelohet komisioni hetimor për arsye se nuk mund të udhëhiqet nga deputeti i njërit grup parlamentar i cili është edhe iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë ka reaguar shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi. Ai ka thënë se interpretimi i vitit 2018 ishte meqë kërkesa për themelimin e komisionit hetimor ishte e përbashkët e dy partive opozitare atë kohë.

Ndërsa tani, Gashi ka thënë se LDK nuk është incizuese por vetëm disa deputetë të kësaj partie e kanë mbështetur kërkesën e PDK-së.

Gashi: Vetëvendosje e quante Kadri Veselin kriminel, sot e citon

“Shihni kur arrijmë sot, nga një Vetëvendosje që në këtë Kuvend Kadri Veselin e quante kriminel sot citohet në interpretimet e tij. Nuk e citon kushtetutën e Kosovës ku thotë ‘cakton formimin e komisionit hetimor parlamentar’, ‘cakton’. Një komision hetimor parlamentar të cilin shumicën do ta keni ju sepse e thotë ligji për hetimin parlamentar, e thotë kushtetuta, ju do ta keni shumicën, pushteti nuk mund ta drejtojë atë komision e as iniciatori i formimit të komisionit nuk mund ta drejtojë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se formimi i komisioneve hetimore parlamentare është i rregulluar me Kushtetutën e Kosovës duke shtuar që nuk guxon të cenohet mbikëqyrja parlamentare.

Gashi: Nuk guxon të cenohet mbikëqyrja parlamentare

“Shtylla që duhet të funksionojë sot në parlamentarizmin e Kosovës është mbikëqyrja parlamentare, mbikëqyrja parlamentare nuk guxon të cenohet, sepse është e drejtë kushtetuese e garantuar me nenin 77 pika 1 dhe pika 2. Ne nuk do të lejojmë që kjo të cenohet, se çka thotë Mimoza tybe nuk ja vlen me ju përgjigj hiç”, ka shtuar Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat