​Mes tensioneve dhe akuzave u zhvillua raportimi i Hajdarit në Komisionin për Ekonomi

Aktuale

​Mes tensioneve dhe akuzave u zhvillua raportimi i Hajdarit në Komisionin për Ekonomi

Më: 19 prill 2022 Në ora: 14:23
Pamje nga takimi

Mes tensioneve, akuzave dhe kundërakuzave u zhvillua të martën raportimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.

Ndonëse për shkak të përplasjeve dhe kritikave, raportimi i ministres Hajdari lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore dhe raportimi lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave është shtyrë për një mbledhje tjetër.

Fillimisht gjatë raportimit në lidhje me marrëveshjen ndërkombëtare, pati përplasje dhe akuza mes anëtarëve të Vetëvendosjes, kryetarit të këtij komisioni, Ferat Shalës nga PDK-ja, Pal Lekajt dhe ministres Hajdari.

Shala kritikoi ministren Hajdari se kanë shkelur të gjitha kriteret e kërkuara për projektin e konkurrueshmërisë dhe sipas tij, përfitues të këtyre mjeteve janë kompani ndërtimore dhe këshilluese.

Po ashtu ai ngrehi edhe një shqetësim, se sekretari i kësaj Ministrie është përfitues për shkollim në AUK.

Shala: Ka kompani ndërtimore fitues të granteve, po ashtu edhe vet sekretari i Ministrisë me 12 mijë euro për shkollim

“Një numër i madh i përfituesve të kësaj liste tashmë dalin që janë jashtë asaj që parasheh marrëveshja ndërkombëtare, për mos të përmendur emra, ju themi se në listë, numër 2, 15, 17, 19 dhe 20. Po ashtu numri 32, 34, 38, 39, 46, 59, 60, 64, 70, 73 dhe shumë të tjerë janë kompani të cilat kanë fituar grante të mira, por që nuk janë të parapara në asnjë veprimtari. Pra, kriteret të cilat ju në rishikimin e kontratës nuk përmbajnë këtë. Kemi këtu kompani që janë ndërtuese, dhe që nuk janë pjesë e komponentës të paraparë me marrëveshjen e parë të Bankës Botërore dhe as një marrëveshjen e dytë. Po ashtu kemi kompani që janë këshilluese, por që janë shkelë kriteret. Pra, kanë shkuar në destinacion te kompanitë të cilat nuk kanë qenë pjesë e komponentes të marrëveshjes ndërkombëtare. Ndër të tjera, a mund të më thoni se cila është baza ligjore ku dy ditë para rënies së Qeverisë në atë kohë, ministri i atëhershëm i Financave, i qeverisë Kurti 1 ka nënshkruar me 1 janar?... Si ka mundësi që nga këto grante të huamarrjes nga Banka Botërore të financohet sekretari i Ministrisë me 12 mijë euro për shkollim në një universitet privat”, ka pyetur deputeti Shala.

Ndërsa, ministrja Hajdari duke iu përgjigjur deputetit Shala, tha se marrëveshja ka bazë ligjore. Derisa ka arsyetuar grantet për ndërtimtarët dhe për sekretarin e përhershëm të ministrisë së MINT.

Hajdari: Sekretari mori 4 mijë euro jo 12 mijë

“Për grante, kemi pasur sektorin privat me potencial të eksportit, pra edhe ndërmarrjet shërbyese kanë potencial të eksportit, por edhe këshillueset mund të jenë nga sektori i komunikimit informativ që japin shërbime, këshilla për digjitalizim. 60 përqind e sektorit të shërbimeve të teknologjisë informative është eksport. E analizojmë tutje, nëse është ndërmarrje me ndërtimtari, zotriu ndoshta dëshiron me eksportuar blloka, sepse ka një produkt. Parakusht ka qenë eksporti, dhe ai nëse ka aplikuar për një makineri të re për eksport, pse mos t’i aprovohet?... Pyetja tjetër, sekretari për shkollim. Sekretari ka të drejtë për një trajnim. Pra, ai ka kërkuar një autorizim nga ana ime për t’u trajnuar që i takon me Ligj të shërbyesit civil… Unë ja kam aprovuar me plot besim, sepse është trajnim. Nëse ju aludoni në shkollimin e tij, ai nuk i ka paguar 12 mijë euro nga projekti. Është vetë financim nga ana e tij… Të qartësojmë 12 mijë euro nuk janë, nga 12 mijë euro, 8 mijë euro ai (sekretari) i ka vetëfinancim”, theksoi ajo.

Ndërsa, pas fjalimit të deputetes, Mimoza Kusari Lila, e cili akuzoi ish-Qeverinë e PAN-it nisi përplasja ndërmjet anëtarëve të komisionit.

Përplasja ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës

Kusari-Lila: Kjo mbledhje devijoi komplet, në këtë mbledhje nuk pat asnjë raportim kualitativ të ministres si rrjedhojë e pyetjeve që ju i bëtë. Gjithmonë me tendenca, me informacione, a ke shkuar, lista e gjatë, a keni shkuar në atë hotel apo në atë hotel. Normal që Ministria s’i ka me i akomoduar 130 persona që vijnë të nënshkruajnë.

Shala: Na ka thënë edhe herën e kaluar se ka bërë 4 mijë euro rezervimin e ‘Pianos’, por doli që publikisht që e tha.

Kusari – Lila: O kryetar a ta pyesim qysh në kohën tuaj kur keni qenë PAN-i me 500 mijë euro janë bërë marrëveshje prej fondit emergjent, janë vendosur aty për aty në mbledhje të Qeverisë. Pal, u devijua kjo mbledhje.

Lekaj: Tash mos devijo ku s’duhet. Mos u mundo tash me i ikë skandalit kryesor. Për mua është skandal dhe dikush duhet me shku në burg. Tash të tregoj pse? S’e na keni lodhë 20 vjet.

Kusari-Lila: Nuk është korrekte, të kishim folur për çështjen isha pajtuar.

Shala: Çështja është se ai ka nënshkruar 8 milionë euro, personi që s’është pjesë e Ministrisë.

Bunjaku: A po ndaleni ju dy, se nuk jemi këtu për t’iu dëgjuar juve. Ndaluni, qetësohuni. Jo një orë me fol veç njëri, të tjerët veç me dëgju.

Lelaj: Ju që në rastin e parë keni bërë shkelje të marrëveshjes ndërkombëtare. Tjetra e përmendet me të drejtë që kontrata, më fal mos m’u përziej.

Hyseni: Po ti mendon kështu.

Lelaj: Mos u mundoni me i fsheh këto që për mua asnjë amater s’kishte mundur me i bërë. Dhe kur e thotë ministrja, kjo marrëveshje është një kontratë për të ndihmuar sektorin privat për eksport, rasti ‘Piano’ është eksport? 3980 euro. Alpinistja a është eksperte, 1413 euro. A janë këto 115 mijë e 903 euro janë shpenzua në Dubai. Eksport qenka. Ministri Peci qenka eksport dhe zyrtarët tjerë nga kjo shumë, për këtë dikush duhet me dhënë llogari dhe mos na shitni pallavra këtu, ministrat.

Ndërkaq, ministrja Hajdari e cila u pengua disa herë nga deputeti Lekaj, ka sqaruar shpenzimet gjatë vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, (EBA) në kuadër të ‘Expo 2022 Dubai’ të mbajtur nga muaji tetor deri në mars. Ajo tha se 115 mijë euro ka shpenzuar Republika e Kosovës gjatë vizitës në Dubai.

Hajdari: Po më vjen keq për të gjitha këto aludime, po shpifni

“Po më vjen keq për të gjitha këto aludime, të cilat dalin te një eksport i ‘Pianos’ që nuk ka lidhje ky projekt i Bankës Botërore me pianon që ju aludoni. Evidentoje që unë kam paguar “pianon” për koncertin e 17 shkurtit në Dubai me paratë e huadhënies të Bankës Botërore… Prit, mos ndërprit (deputet Lekaj). Po shpif. Kryesues, ju s’po më leni as ta sqaroj... Mos pengo”, theksoi ajo e cila disa herë është penguar nga deputeti Lekaj.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, nuk u ndal me kaq, ai e quajti ministren Hajdari “praktikante e keqe”.

Lekaj: Ministre po më duket që praktikante e keqe je

“Ministre po më duket që praktikante e keqe je”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputetja Kusari-Lila ka akuzuar ish-qeverinë e PAN-it, se në MTI ka qenë i emëruar një sekretar që para dy muajve është zënë me drogë.

Ajo në krah i doli Gazmend Mejzinit, koordinator për projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore.

Kusari-Lila: PAN-i ka pasur një sekretar që para dy muajve është zënë me drogë

“Në rast se ka pasur modifikime të marrëveshjes sipas vet marrëveshjes, cenohet prapë integriteti i një personi tjetër që as nuk ka aktakuzë, as nuk është nën hetime. Në të kundërtën është cenuar personaliteti i Mejzinit, nga një ish-sekretar në kohën e koalicionit të juaj PDK-AAK-Nisma, i cili dy muaj më parë është zënë me 50 kilogram drogë. Kryetar jeni duke folur, deshët me cenu integritetin e Mejzinit që ia ka cenuar një sekretar i cili është marrë me vjedhje të telefonave në Ministri, ndërsa dy muaj më parë Qeveria që ju keni qenë pjesë, ai ka ushtruar detyrë aty. Ka qenë me dhunë fizike, me 100 skandale brenda Ministrisë dhe para dy muajve është zënë me drogë. A merrni përgjegjësi për këtë? Dhe tash një njeri profesionist që udhëheq projektin e Bankës Botërore, jo ai është me dyshime. Deri kur kështu”, theksoi Kusari Lila.

Pas përplasjeve, me kërkesë të deputetes së VV-së, Mimoza Kusari-Lila është ndërprerë mbledhja, me arsyetimin se për pak minuta nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala tha se mbledhja me këtë rend dite vazhdon një ditë tjetër.

Gjatë raportimit, ministrja Hajdari tha se shuma totale e mjeteve për ridestinim ka qenë 8.36 milionë euro dhe ka mohuar se ka pasur shkelje.

Ndërkohë, para raportimit të ministres Hajdari, Komisioni caktoi katër ekspertë për draftimin e Projektligjit për kriptovaluta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat