A nuk duhet të hetohet dhe arrestohet Ramush Haradinaj sipas dosjes së Freedom House?!

Aktuale

A nuk duhet të hetohet dhe arrestohet Ramush Haradinaj sipas dosjes së Freedom House?!

Nga: Idriz Morina Më: 20 prill 2022 Në ora: 20:08
Ramush Haradinaj me Hashim Thaçin dikur në Kuvendin e Kosovës

Dy të dyshuarit kryesorë që për shumë vite shquheshin edhe si një lloj taksambledhësish mbi shtetin, dalin sërish si lider të krimit të organizuar dhe korrupsionit në katër vitet e shkuara.

Kësaj here faqen e nxirosur të tyre, e mavijos fare, organizata amerikane me besueshmëri të jashtëzakonshme në këtë fushë, Freedom House (Shtëpia e Lirisë).

Sipas saj, katër vitet e shkuara kanë dëshmuar se ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi, dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Image
Ramushi në siklet (foto arkiv)

Një drejtësi e kapur

Derisa Hashim Thaçi, tashmë një vit e gjysmë ndodhet në Hagë, i arrestuar nga gjykata speciale, Ramush Haradinaj ndodhet në liri, dhe madje din të shfaqet shumë i dhunshëm herë pas here për të penguar reformat në drejtësi dhe në gjithë sistemin, që ishte shndërruar thuajse në pjesë të klaneve mafioze, një drejtësi e kapur nga sistemi dhe bizneset, që po ashtu i kontrollonin grupet e po këtyre të fuqishmëve.

Por, Ramush Haradinaj ka zgjedhur t’i mohojë akuzat e Freedom House, dhe jo të kërkojë falje, nëse ka bërë krime apo ka bashkëpunuar me rrjete kriminale.

“Dua të ju siguroj se edhe si Kryeministër por edhe tash, kam punuar dhe vazhdoj të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Gjithashtu, do të jem në krye të detyrës, që kësaj Qeverie t'i bëjë opozitë duke i treguar popullit për gabimet e saj në qeverisje”, shkruan Ramush Haradinaj në reagimin e tij.

Por, nuk është vetëm kjo akuzë për të. Sipas Freedom House, qeveritë e Kosovës në një periudhë kohore, të pasaktësuar janë ndikuar nga qeveritë ruse, kineze e turke. Pra, nuk mjafton që Haradinaj të justifikohet vetëm për akuzat për bashkëpunim me rrjete kriminale, ai duhet të deklarohet edhe për faktin se edhe qeveria e tij, potencialisht, është akuzuar se ka qenë e ndikuar nga qeveritë e përmendura nga Freedom House.

“Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, thuhet në raportin e Freedom House”, thuhet në raport.

Image
Ramushi energjik dhe popullor dikur

Pra, pa e kufizuar numrin e viteve, dhe pa u kufizuar në vetëm një qeveri, raporti akuzon se qeveritë e Kosovës kanë bashkëpunuar përveç me Turqinë që dihen botërisht vizitat, edhe me qeverinë ruse dhe kineze.

Dihet se në vitin 2018 në nëntor u takua ish-presidenti Thaçi me diktatorin rus Putinin në Paris më shumë se në një rast, gjatë shënimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore

Pra, nuk dihet nëse ndikimi erdhi në qeveri si pasojë e këtij takimi, apo edhe se për cilat qeveri bëhet fjalë konkretisht, dhe cilët kryeministra.

Por, Ramushi dhe udhëheqësit tjerë të qeverive, që raporti mund t’i etiketojë duhet të deklarohen me sinqeritet se ishin apo jo nën ndikimin rus e kinez dhe cilët ishin zyrtarët apo ndërmjetësit që e bënin këtë.

Por, mesazhi i qartë është i Freedom House, sa i përket bashkëpunimit me krimin dhe nuk lë vend për dyshim.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç”, thuhet në raport.

Pra, në bazë të tij, dhe provave që kanë prokuroritë, duhet të nisin së paku një proces të shpejtë hetimi apo edhe arrestimin e Haradinajt dhe të tjerëve, ‘figurave të mëdha’, emrave që sigurisht i përmban raporti në fjalë.

Image
Ramushi duke u gjykuar në Kolmar të Francës, kur Serbia donte ta ekstradonte

Një parashtrim ironiko-satirik

T’i kthehemi pak me ironi, asaj pakënaqësie që po iu vlon në gji, mbështetësve të Ramushit e Thaçit!

A është rastësi apo përpjekje për t’mos e njohur luftën çlirimtare të Kosovës, vlerësimi që morën në raportin e ri të Freedom House për Kosovën!?

Si u bë që sërish një hero i Kosovës, dhe një tjetër që po ‘qëndron stoikisht’ në Hagë, të ndodhet në analet e krimit?!

A nuk janë spastruar ata, që kur gjykata Themelore e Prishtinës, e mbylli çështjen e 40 mijë veteranëve të dyshimtë, apo të 19 mijë të tjerëve që besohej se kishin mashtruar me statusin e tyre?! Pse nuk i lënë rehat as me këtë!

A nuk e mbylli çështjen Ramush Haradinaj, kur e kërcënoi Albin Kurtin se do ta bllokonte në Qeveri, me 20 mijë mashtruesit që do t’i venin pas?

Si nuk mësoi bota pak histori, të ofruara nga Ganja dhe bajlozët si Buzhala, Batua, e të tjerë, që ndonëse s’na kanë pirë gjakun, na kanë marrë çdo të mirë, që edhe dikush nga ne mund ta kishte pasur, pra na ka privuar dhjetëra mijëra vetave nga një mirëqenie, nga një jetë shumë më e mirë.

A e din Fredom House, se Ramushi shkon e ua thyen më së paku dhëmbët, kudo që të jenë, ata që s’mbanjnë erë drejtësie!!!

A nuk ka luftuar Ramushi me shok për këtë ditë, që ata vetë ta caktojnë se çfarë është e mirë e çfarë e keqe, çfarë dramatike e çfarë normale, çfarë e ligjshme e çfarë kriminale?!

Ramushi, si ka nja një qind shtëpi, që t’i strehojë bashkëpunëtorët e tij të krimit të organizuar.

Pse Freedom House, nuk po e leni të qetë Ramushin, a nuk i ka përfunduar vuajtjet në Hagë?

A nuk u pasurua Ramushi më shumë prej se u kthye në liri?

Po deri atëherë vetëm përkohësisht, disa javë kishte qenë në krye të Qeverisë?

Droga, nafta, armët, alkooli, cigaret... ndërtimet, pronat....tregu si të mbrohen këto, nëse ata shkojnë në burg, këta dhe të dërguarit e tyre...

Ju drejtësia nuk e latë të kënaqej, madje sapo ishte zotuar për një epsh të ri, ta ndiqte, diçka që si erupsion i kishte mbetur në rini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat