Kurti shfuqizon vendimet e Haradinajt për tokat e AKP-së, kjo është arsyeja

Aktuale

Kurti shfuqizon vendimet e Haradinajt për tokat e AKP-së, kjo është arsyeja

Më: 30 prill 2022 Në ora: 15:35
Kryeministri Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka shfuqizuar vendimet e ish-kryeministrit Haradinaj për dhënien e tokave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit disa komunave.

Kurti tha se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet sipas tij është i pakompromis.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimeve të qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP-ja në komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit. Zbatimi i ligjshmërisë është parim themelor me të cilën udhëhiqet qeveria jonë për këtë kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet është i pakompromis. Vendimet e ish-qeverisë Haradinaj përmes të cilave tokat e AKP u ndahen komunave të caktuara sot duhen shfuqizuar përshkak të rrethanave të ndryshuara ligjore”, tha Kurti.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimet duhet të shfuqizohen për arsye që s’janë zbatuar dhe përshkak të ndryshimit të ligjit.

“MAPL ka sjellë për miratim shfuqizimin e disa vendimeve të ish-qeverisë Haradinaj. Propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit bazohet për arsye se këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen dhe për faktin se në vitin 2019 ka ndryshuar ligji i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale dhe këtë duhet ta harmonizojmë”, tha ministri Krasniqi.

Kabineti qeveritar miratoi me shumicë votash propozim-vendimin e ministrisë së Pushtetit Lokal.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat