Reagon avokati Tahiri i Naser Pajazitaj: Po bëhet presion që i pandehuri të dënohet pa prova

Aktuale

Reagon avokati Tahiri i Naser Pajazitaj: Po bëhet presion që i pandehuri të dënohet pa prova

Më: 7 maj 2022 Në ora: 22:11
Naser Pajazitaj

Avokati i të pandehurit Naser Pajazitaj, Ahmet Tahiri ka reaguar pas deklaratave të familjarve të Donjeta Pajazitaj, të cilët kanë lënë fajtor drejtësinë kosovare që nuk po vendos për dënimin përfundimtar.

Tahiri ka thënë se po bëhet presion që i pandehuri të dënohet pa prova.

Madje, Tahiri i ka fajësuar edhe mediat për presion publik.

“Se nuk ka dyshime për manipulime në rastin e Donjta Pajazitajt, kjo është evidente veçanërisht duke iu referuar vendimeve kontradiktore të gjykatave, e deri tek presioni mediatik që të ndëshkohet një person pa prova. Ky presion përpos që nuk është etik, madje është edhe joprofesional kur merren parasysh vetëm deklarimet e njërës palë.Kjo është veç një padrejtësi e radhës ndaj një të pandehuri që pamëshirshëm i bëhet gjyqi publik”, ka shkruar Tahiri.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj thuhet se e kishte marrë viktimën me veturë në fshatin Strellc, e kishte dërguar atë në malet e Strellcit, e kishte vrarë me dy plumba dhe për të humbur gjurmët, trupin e saj e kishte mbuluar me disa drunj.

Familja e Donjeta Pajazitajt, lajmin për vdekjen e saj e kishin marrë vetëm pas më shumë se një muaji, kur trupin e saj e kishin gjetur disa kalimtarë të rastit.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë shpallur gjashtë aktgjykime, tri nga shkalla e parë, dy nga Gjykata e Apelit dhe një nga Gjykata Supreme, mirëpo procesi për këtë rast akoma nuk ka marrë një epilog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat